Teksa një pjesë e gjyqësorit dhe opozita shpresojnë në rrëzimin ligjit nga Gjykata Kushtetuese, Inspektori i Përgjithshëm i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Shkëlqim Ganaj, ka firmosur dje udhëzimin për mënyrën e deklarimit të pasurive nga ana e gjyqtarëve dhe prokurorëve, në zbatim të kapitullit të IV të ligjit të Vetingut.

Udhëzimi parashikon modalitetet e deklarimit të pasurive të njerëzve të drejtësisë si dhe dokumentacionin justifikues. Subjekti i rivlerësimit dhe personat e lidhur me të, duhet të dorëzojnë deklaratën e pasurisë në ILDKPKI brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit të Vetingut. Dorëzimi i deklaratës së pasurisë duhet të bëhet nga vetë prokurori apo gjykatësi, në protokollin e ILDKPKI-së, ku do të pajiset me vërtetimin përkatës për dorëzimin e deklaratës dhe fletën e inventarit për dokumentacionin justifikues bashkëlidhur deklaratës së pasurisë.

Sipas udhëzimit, deklarata duhet të shoqërohet me certifikatën personale dhe certifikatën familjare të subjektit të rivlerësimit, e cila duhet të jetë lëshuar brenda 3 muajve të fundit. Deklarata e pasurisë nuk do të pranohet dhe do të konsiderohet e padorëzuar nëse nuk shoqërohet me dokumentacionin e identifikimit të subjektit të rivlerësimit dhe personave të lidhur me të.

Kushti që rrezikon gjyqtarët dhe prokurorët
Ka një kusht të panegociueshëm që mund të “djegë” gjyqtarët dhe prokurorët. Sipas udhëzimit, për çdo pasuri në pronësi, të paluajtshme, të luajtshme, likuiditete, vlerën e aksioneve, letrave me vlerë dhe pjesët e kapitalit në zotërim etj., subjekti i rivlerësimit dhe personi i lidhur me të, duhet të deklarojë burimin, në momentin e krijimit për secilën prej tyre, duke bashkëlidhur dokumentacionin ligjor për të justifikuar ligjshmërinë e burimit të krijimit për secilën pasuri, në momentin e fitimit të tyre. Dokumentacioni justifikues i dorëzuar më parë në ILDKPKI, nuk e shkarkon subjektin e rivlerësimit dhe personat e lidhur me të nga përgjegjësia dhe detyrimi për dorëzimin e të gjithë dokumentacionit justifikues edhe një herë për pasuritë e tyre. Verifikimi i ligjshmërisë dhe besueshmërisë së dokumentacionit do të jetë sfida e ILDKP dhe ekspertëve të FBI. Ka dyshime të forta se rreth 80 për qind të gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk e justifikojnë dot pasurinë.

Pasuritë që duhet të shoqërohet me dokumente
Udhëzimi rendit pasuritë e mundshme që mund të deklarohen nga prokurorët dhe gjyqtarët, të cilët duhet të shoqërohet me dokumentacionin përkatës justifikues. Kështu parashikohet deklarimi i pasurive të paluajtshme, të regjistruara ose jo në regjistrat publikë, që duhet të shoqërohet me dokumentacionin justifikues ligjor, kontratë shitblerje, kontratë sipërmarrje, akt marrëveshje, kontratë paraprake, kontratë porosie etj, dhe certifikatën e pronësisë në rastet kur prona është e regjistruar në ZVRPP. “Deklarimi i pasurive të paluajtshme në proces legalizimi pranë ALUIZNIT, të shoqërohet me kopje të të gjithë dokumentacionit të paraqitur pranë këtij institucioni. Deklarimi i pasurive të paluajtshme të dhëna me qira tek persona të tjerë të lidhur, të shoqërohet me kontratën e qiradhënies të lidhur para noterit. Deklarimi i pasurive të paluajtshme të marra me qira tek persona të tjerë të lidhur, të shoqërohet me dokumentacionin justifikues ligjor për këtë veprim juridik, si dhe dokumentacionin e pronësisë të personit tjetër të lidhur (pronarit) për objektin e dhënë me qira”, thuhet në udhëzim.

Pasuritë e tjera
Sipas udhëzimit deklarimi i huamarrjeve dhe huadhënieve në likuiditete, të shoqërohet me dokumentacionin justifikues ligjor dhe me vërtetimet bankare, në rast se veprimi në kohën e kryerjes së tij është kryer me transaksion bankar. “Deklarimi i pasurive të paluajtshme, të luajtshme, likuiditeteve dhe çdo pasurie tjetër të fituar nëpërmjet dhurimit, të shoqërohet me dokumentacionin justifikues ligjor për këtë veprim juridik, si dhe dokumentacionin justifikues të pronësisë të personit tjetër të lidhur (dhuruesit). Deklarimi i pasurive të luajtshme, të regjistruara në regjistrat publikë, të shoqërohet me dokumentacionin justifikues ligjor, kontratën e shitblerjes dhe vërtetimin përkatës nga institucioni i zhdoganimit dhe i regjistrimit të kësaj pasurie. Deklarimi i pasurive të paluajtshme, të luajtshme, likuiditeteve, etj, në posedim ose në përdorim të subjektit të rivlerësimit dhe/ose personave të lidhur, të shoqërohet me dokumentacionin justifikues ligjor për këto marrëdhënie juridike, si dhe dokumentacionin justifikues të pronësisë të personit tjetër të lidhur (pronarit)”, thuhet në vendim.

Dhuruesit dhe huadhënësit
Sipas udhëzimit, nëse personat e lidhur me subjektin e rivlerësimit deklarojnë një marrëdhënie me persona të tjerë të lidhur (fizikë dhe juridikë) në cilësinë e dhuruesit, huadhënësit dhe huamarrësit, detyrohen të paraqesin dokumentacionin justifikues ligjor të lëshuar nga institucionet shtetërore dhe private për personat e tjerë të lidhur, referuar burimit të krijimit të dhurimit, huadhënies dhe huamarrjes, dhënë personit të lidhur me subjektin e rivlerësimit. Po ashtu, deklarimi si burim krijimi pasurie i të ardhurave nga emigracioni prej subjektit dhe/ose personave të lidhur, të shoqërohet me dokumentacionin justifikues ligjor nga vendi i punës, qyteti dhe shteti përkatës, për periudhën e deklarimit, si dhe mënyrën e kalimit të këtyre mjeteve monetare brenda territorit të Shqipërisë.
 
Kushti
Për çdo pasuri subjekti i rivlerësimit, duhet të deklarojë burimin, duke bashkëlidhur dokumentacionin ligjor për të justifikuar ligjshmërinë e burimit të krijimit për secilën pasuri, në momentin e fitimit të tyre.
 
Verifikimi
Verifikimi i ligjshmërisë dhe besueshmërisë së dokumentacionit do të jetë sfida e ILDKP dhe ekspertëve të FBI. Ka dyshime të forta se rreth 80 për qind të gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk e justifikojnë dot pasurinë.
 
 

Pasuritë jashtë shtetit
Sipas udhëzimit, prokurorët dhe gjyqtarët dhe personat e lidhur me të, që kanë pasuri jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, duhet të paraqesin deklarimet bankare të viteve të fundit, të dhënat e fundit mbi regjistrimin e pasurisë, si dhe dokumente të tjerë që tregojnë vlerën e pasurive që ndodhen jashtë vendit. Deklarimi si burim krijimi pasurie i të ardhurave nga qiraja, të shoqërohet me vërtetimin përkatës për pagesën e tatimit mbi të ardhurat e përfituara nga qiraja. Deklarimi i kredive të marra nga bankat/institucionet financiare, duhet të shoqërohet me kontratën e lidhur me bankën/institucionin financiar, kolateralin e vënë si garanci, si dhe një vërtetim nga banka/institucioni financiar për gjendjen e kredisë në datën e dorëzimit të deklaratës së pasurisë.
 

g