(Shkolla "1 Maji" në Tiranë)
(Nxënësit e klasës së parë të shkollës "1 Maji")
(Shkolla e Mesme e përgjithshme "Ismail Qemali" në Tiranë)
Një ditë më parë ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla sëbashku me një grup mësuesish përcollën një mesazh urimi ku ka shtuar se kete vit jane rikonstruktuar 126 shkolla.
“Është një ditë e veçantë për 27 mijë vogëlushë që nisin rrugëtimin me dijen. Për 392 mijë djem e vajza që i drejtohen shkollës dhe që në këto çaste po bëjnë përgatitjet me prindërit e tyre. Për 30 mijë mësues dhe edukatorë që, po ashtu, tashmë kanë përfunduar me përgatitjet e orarit, planeve mësimore e klasave”- u shpreh Nikolla.
Nxënësit që këtë vit futen në klasën e dhjetë do të fillojnë me kurrikulën e gjimnazit të gjeneratës tjetër, që sipas ministres lehtëson ngarkesën nga 18 në 13 lëndë mësimore, rivendos gjuhën shqipe dhe unifikon lëndët e detyrueshme deri në klasën e 11.
Në këtë ditë të shënuar për të gjithë ata që ndjekin arsimin parashkollor, të detyrueshëm dhe të mesëm trafiku i rënduar i automjeteve ka shoqëruar pothuajse të gjitha rrugët e kryeqytetit, ku akset kryesore kanë pasur edhe peshën kryesore.
Policia rrugore ndërkohë është impenjuar që të lehtësojë trafikun e krijuar me qëllim që rrugët të jenë të qarkullueshme.
Trafiku në disa nga rrugët e Tiranës në ditën e parë të shkollës
Zhvillimet minutë pas minute nga dita e parë e shkollës
Ora 12:30 Viti i ri shkollor në Shkodër, 12 fëmijë të ngujuar nuk do ndjekin procesin mësimor
Jo të gjithë fëmijët kanë përjetuar këtë vit gëzimin e fillimit të vitit të ri shkollor.
Plaga e rëndë e gjakmarrjes vijon të ngujojë fëmijë në pamundësi për të marrë dijen në bankat e shkollës.
Kryetari i shoqatës "Misionaret e paqes" tha se në Qarkun Shkodër janë 12 fëmijë që nuk shkojnë në shkollë
Krahasuar me një vit më parë numri i të ngujuarve ka paaur një rënie, pasi nga 25 të ngujuar këtë vit janë vetëm 12 fëmijë në qarkun Shkodër që nuk shkojnë në shkollë.
Ndërkohë, ka pasur radhë të gjata në libraritë e Shkodrës pasi tekstet shkollore nuk janë shpërndarë të gjitha.
Qytetarët thonë se është e turpshme që qytetarët të presin me orë të tëra për të blerë tekstet shkollore.
Ata thonë se tekstet i kanë blerë një pjesë në një librari e disa të tjera në librari të tjera.
Ora 12:00 Ish-kolegët e kapiten Floran Deliajt, surprizë në shkollë tre fëmijëve të tij
Bashkë në këtë ditë të lumtur Fëmijët e Dëshmorit të Atdheut, pilotit Floran Deliaj kishin ditën e parë të shkollës sot. Por ata dhe familjarët e tyre janë gjendur përpara një surprize.
Në shtëpinë e tyre kanë mbërritur ish-kolegë të Floranit nga Forcat Ajrore, të cilët bashkë me gjyshin e fëmijëve kanë bërë gjithë përgatitjet e mëngjesit për ditën e parë të shkollës, duke i shoqëruar në shkollën 9-vjeçare “Mihal Grameno” në këtë ditë të gëzuar për ta.
Si një familje e madhe të gjithë bashkë janë futur në oborrin e shkollës, nga ku do të prisnin zilen e parë të mësimit për këtë vit, do të merrnin përshëndetjen e fëmijëve teksa hynin në klasë por dhe dhanë urimin për një vit mësimor të suksesshëm. Ndërsa vajza e vogël e Floranit është shoqëruar te kopshti.
Të gjithë bashkë, kolegë dhe familjarë të Floran Deliajt, kanë bërë që tre fëmijët e tyre ta ndjenin sa më pak mungesën e të atit, në ditën e parë të shkollës.
Kapiten Floran Delija “Dëshmor i Atdheut” bashkë me pilotin tjetër toger Donald Hoxha u ndanë nga jeta më datë 6 prill 2016, si pasojë e rrëzimit të një helikopteri EC 145, me të cilin po zhvillonin një fluturim stërvitor në Grizhë të Malësisë së Madhe.
Ora 11:45 Panariti uron nxënësit e Vaqarrit, festohet 70-vjetori i hapjes së shkollës.
Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, uroi sot fillimin e vitit të ri shkollor, nga gjimnazi i përgjithshëm " Bedri Llagami" në Vaqarr. Në prezencën e mësuesve, nxënësve dhe të ftuarve, Panariti zbuloji bustin përkujtimor në nder të gjyshit të tij, "Mësuesi i Merituar", Bedri Llagami, shëmbull frymëzues i dashurisë për dije dhe një nga figurat emblematike të arsimit shqiptar.
Me propozim të Shoqatës "Tirana" dhe me mbështetjen e Këshillit Bashkiak Tiranë, sot Shkollës së Mesme Vaqarr, i jepet emri " Bedri Llagami", pikërisht në ditën që përkon me 70 -vjetorin e hapjes së kësaj shkolle.
Në fjalën e rastit, ministri Panariti, shprehu mirënjohjen dhe nderimin e familjes së tij, atyre që bënë të mundur vendosjen e emrit të gjyshit të tij, në një prej gjimnazeve të Tiranës dhe i dhuroi shkollës një nga librat e para, që gjyshi i tij i ka falur në ditën e parë të shkollës, 46 vjet më parë.
“Jam i emocioniuar dhe shumë i nderuar që ndodhem sot pranë jush, në këtë fillim viti shkollor, ku një nga gjimnazet e Tiranës, është vendosur të mbajë emrin e gjyshit tim “Bedri Llagami”, një nga mësuesit e merituar, një nga pionerët e arsimit shqiptar. Sot, tek rri pranë këtij busti , në nderim të këtij njeriu fisnik, më vjen ndërmend dita ime e parë e shkollës, 46 vjet më parë, kur gjyshi më dhuroi një libër me tregime. Sot, këtë libër, kam dëshirë t’ia dhuroj gjimnazit që mban emrin e tij. Uroj me këtë rast të gjithë nxënësit, suksese në vitin e ri shkollor dhe ju kujtoj se, edukimi është themeli I një shoqërie të shëndoshë e të suksesshme, e cila falë arsimit mund të prijë me dinjitet të ardhmen e tij” .
Ora 11:30 Shkolla në Kamenicë,prindërit Peleshit: Shkolla të ndërtohet në mes të fshatit
Zëvendëskryeministri i vendit Niko Peleshi teksa ka qenë në fshatin Kamenicë për të uruar vitin e ri shkollor për nxënësit e këtij fshati, i është kërkuar nga prindërit e nxënësve që shkolla të mos ndërtohet në fund të fshatit por në mes të tij.
Kjo kërkesë e banorëve ka ardhur pas faktit se shkolla do të rindërtohet dhe i kanë bërë këtë kërkesë numrit 2 të qeverisë, kërkesë që sipas Peleshit do të shqyrtohet.
‘Shkolla nuk duhet të ndërtohet në fund të fshatit por në mes të tij. Fëmijët tanë ecin në këmbë për të shkuar në shkollë dhe nuk është normale që ajo të jetë larg, kur ka mundësi që të jetë më afër” tha një prind.
Ndërkohë që Peleshi ka siguruar banorët se do të shqyrtohet kërkesa e tyre.
‘Rëndësi ka që shkolla të ndërtohet, por më rëndësi ka që edhe fmëijët të mos lodhen kur shkojnë për në shkollë. Kam besim se kërkesa juaj do të shqyrtohet dhe do të merret një vendim” tha Peleshi.
Ai ka theksuar se investimet për shkollat do të vijojnë nga qeveria sepse femijët janë e ardhmja e vendit.
Ora 11:00 Durrës, Vangjush Dako përuron një shkollë të re dhe një kopsht të rikonstruktuar në zonën e plazhit
Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako në ditën e parë të shkollës ka përuruar shkollën e re 9-vjeçare “Abedin Dino” e cila është ndërtuar nga Bashkia e Durrësit në zonën e plazhit dhe pranë saj një kopësht totalisht të rikonstruktuar.
Në këtë shkollë të re me kushte moderne janë ulur në ditën e parë të shkollës 640 nxënës që do të kryejnë mësim në kushte bashkëkohore ku shkolla është e pajisur edhe me laboratorë, salla polifunksionale, biblioteka etj.
Në fjalën e tij kryebashkiaku Dako pasi ka uruar nxënësit për ditën e parë të shkollës deklaroi se bashkia e Durrësit do të vijojë me investime në shkolla e kopshte edhe në zonat e tjera të Durrësit për të krijuar ambiente sa më të mira për fëmijët.
Dako ka vizituar më pas ambientet e reja të kësaj shkolle ku do të mësojnë 640 nxënës të zonës së plazhit. Shkolla e re Abedin Dino është ndërtuar nga Bashkia e Durrësit me fond nga FZHR me vlerë me tvsh rreth 96.5 milion lekë të rinj.
Po kështu pranë kësaj shkolle Dako ka përuruar edhe ambientet e reja të kopshtit të fëmijëve i cili është rikonstruktuar tërësisht nga Bashkia e Durrësit.
Ky kopsht është rokonstruktuar me një fond prej reth 11.5 milion lekë nga Bashkia e Durrësit dhe aty do të ketë 150 fëmijë që do të kenë kushte moderne.
Kryebashkiaku Dako deklaroi se Bashkia e Durrësit do të vazhdojë me investime për kopshte e shkolla në të gjitha zonat e Durrësit që nga qyteti e deri në Ishëm, Manzë, Sukth, Rrashbull e Katund të Ri.
Ora 10:40 Viti i ri shkollor, Rama e Nikolla inaugurojnë shkollën e “Sadi Nuri” në Ndroq
Kryeministri ka zgjedhur shkollën e mesme "Sadi Nuri" – Njësia Administrative Ndroq për të uruar “Suksese!” të gjithë nxënësve që sot nisin vitin e ri shkollor. U zgjodh shkolla e mesme e Ndroqit, e cila sapo është rikonstruktuar në ambientet mësimore, por ende nuk ka përfunduar puna në terrenet sportive të saj.
Kryeministri Edi Rama bashkë Ministren Lindita Nikolla ishin në këtë shkollë edhe për të bërë një urim special për një nga nxënësit, Erdi Muça i cili sot festonte ditëlindjen e tij të 16-të. Një urim dhe një dhuratë. Sigurisht, libra të dy autorëve që janë krenaria e letërsisë shqiptare, Ismail Kadare e Dritëro Agolli.
Një tjetër moment falenderimi në këtë shkollë ishte edhe takimi me mësuesin e edukimit fizik Faslli Jashari, i sapo dalë në pension. Patjetër që terrenet sportive ishin në qendër të bisedës së Kryeministrit me mësuesin që premton të japë ende kontributin e tij për shkollën edhe pse ka nisur vitet e pensionit.
Shkolla e mesme “Sadi Nuri” është rikonstruktuar në 2016. Investimi me vlerë mbi 27 milionë lekë lekë. Pajisja me bazën materiale me vlerën mbi 3 milionë lekë.
Ora 10:30 Elbasan, Qazim Sejdnini: 2016-ta, viti i investimeve në shkolla
Duke u cilësuar si viti i investimeve në shkolla, në këtë vit të ri shkollor, kreu i Bashkisë Qazim Sejdini ka inspektuar nga afër punimet në përfundim të shkollës 9 – vjeçare “ Qamil Gurjanaku” në qytet.
Që nga muaji janar i këtij viti, Bashkia ka nisur investimet në rikonstruksionin total të infrastrukturës në shumë shkolla në qytet, por edhe në Njësitë Administrative, me një vlerë investimi prej 2 milion euro.
Gjatë inspektimit të punimeve në këtë shkollë, kreu i Bashkisë Qazim Sejdini e cilësoi vitin 2016 si vitin e investimeve në shkolla, ndërsa premtoi se këto investime do të vijojnë me qëllim që nxënësit dhe mësuesit të kenë kushte sa më komode”.
2073 nxënës u ulën për herë të parë në bankat e shkollës në Elbasan ndërkohë rreth 1900 nxënës nisën vitin shkollor në klasën e dhjetë.
Procesi mësimor ka nisur normalisht në të gjitha shkollat edhe pse dy prej tyre janë në rikonstruksion.
Sipas drejtoreshës së DAR Elbasan, Jonida Cungu, aktualisht dy shkolla ndodhen në rikonstruksion, shkolla “Qamil Guranjaku” në Elbasan dhe shkolla "Fiqiri Baltëza" në Papërr nxënësit e të cilave janë sistemuar në turnin e dytë dhe në një kat të vetë shkollës.
Sa i përket problemit të emërimit të mësuesve apo lëvizjeve paralele, sipas saj që në muajin nëntor të vitit të kaluar është ngritur një komision i posaçëm i cili ka verifikuar të gjitha dosjet dhe se ky komision ka tagrin ligjor për të shqyrtuar të gjitha rastet duke qenë transparent për të gjithë aplikuesit dhe po kështu është duke ndjekur edhe procedurat për fituesit në portalin mësues për Shqipërinë.
20300 nxënës kanë nisur vitin e ri shkollor në rrethin e Elbasanit ndërkohë mbi 600 kanë nisur arsimin e mesëm.
Ora 10:20 Gjirokastër: Çelet viti i ri shkollor edhe në zonat minoritare
Në të gjithë Qarkun e Gjirokastrës, ka startuar sot viti i ri shkollor. Nga të dhënat e marra nga Drejtoria Rajonale e Gjirokastrës, të gjitha shkollat e sistemit fillor, 9-vjeçar dhe atij parauniversitar, janë çelur pa probleme dhe nuk është shënuar asnjë anomali apo ngërç në startimin e tyre.
Për herë të parë këtë vit në rrethin e Gjirokastrës, janë ulur në bangat e shkollave, rreth 300 nxënës ku shumica e tyre, në qytetin e Gjirokastrës dhe atë të Libohovës.
Ndërsa në arsimin bazë, janë rregjistruar 3016 nxënës dhe në atë parauniversitar 1274.
Në Bashkinë e re të Gjirokastrës, funksionojnë 9 shkolla 9-vjeçare dhe 5 shkolla të mesme, ndërsa në Bashkinë e Libohovës 3 shkolla 9-vjeçare dhe një shkollë e mesme.
Viti i ri shkollor, ka startuar edhe për nxënësit e minoritetit grek i cili jeton kryesisht në Bashkinë e Dropullit ku në raport me viti e shkuar, mungesa e teksteve nuk ka qenë problematike pasi të gjithë nxënësit, janë pajisur me libra në gjuhën e tyre amtare.
Në këtë njësi vendore minoritare, egzistojnë tre shkolla 9-vjeçare dhe dy shkolla të mesme. Ndërsa në Bashkitë e Tepelenës, Memaliajt, Përmetit dhe Këlcyrës, mësimi ka startuar normalisht për 260 nxënës të klasave të para dhe dhe 2490 nxënës të arsimit bazë ndërsa po kaq në arsimin parauniversitar.
Ora 10:00 Nis viti i ri shkollor, mungojnë disa libra: Abetarja, Matematika, Kimia etj
Në një kohë kur sot të gjithë nxënësit janë ulur në bankat e shkollës, shumica prej tyre kanë ende mungesa në paketat e teksteve shkollore.
Në disa shkolla në kryeqytet mungon Abetarja, Matematika, Edukata Qytetare dhe Kimia.
Shkak është bërë vonesa me pajisjen e pullës hologram.
Ministria e Arsimit thotë se tekstet janë pajisur me këtë pullë dhe ka filluar shpërndarja por pavarësisht kësaj ende tekstet shkollore mungojnë në treg.
Edhe sot në librari ka pasur radhë për blerjen e librave.
Ora 09:30 Arsimi profesional, Klosi në Berat:Shtuam nxënësit, sfidë profesionalizmi
Ministri i Mirëqënies Sociale e Rinisë Blendi Klosi teksa ka qenë sot në një nga shkollat e profesionale në qytetin e Beratit ka thënë se pas rritjes së numrit të nxënësve që ndjekin arsimin profesional, sfidë mbetet profesionalizmi i këtyre shkollave.
Nga shkolla profesionale "Stiliano Bandilli" Klosi e ka cilësuar si arritje të punës dhe këmbënguljes rritjen e numrit të nxënësve sot në arsimin profesional dhe u shpreh se arsimi profesional do të kthehet në identitet dhe vitin e ardhshëm do të ketë numër nxënësish edhe më të lartë.
“Pasi plotësuam numrin e nxënësve nisim sfidën për profesionalizmin e arsimit profesional. Ne do të ecim të sigurt drejt arsimit profesional dhe do ti kthejmë shkollat në qendra të rëndësishme multifunksionale ku tregu i punës do të gjejë mekanikun, hidraulikun, hotelierin, etj. Shkolla Profesionale e nis vitin shkollor me 420 nxënës dhe 120 prej tyre i përkasin vitit të parë” tha ai.
Ora 09:15 Veliaj lë automjetin, merr biçikletën dhe inspekton shkollat e kryeqytetit
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka preferuar që në ditën e parë të vitit të ri shkollor, të lërë mënjanë automjetin dhe të inspektojë shkollat e kryeqytetit me biçikletë.
Kjo foto është bërë në ambientet e shkollës "1 Maji" ku kryebashkiaku është parë duke lëvizur me biçikletë, ndoshta për të sensibilizuar qytetarët që të përdorin këtë mjet lëvizës sa më shumë, por edhe për të ndikuar në përmirësimin e trafikut.
(Kryebashkiaku Veliaj me biçikletë te shkolla "1 Maji")
Ora 09:00 Veliaj nga shkolla “1 Maji”: Deri në fund të mandatit asnjë shkollë me 2 turne
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj teksa ka marrë pjesë në nisjen e vitit të ri shkollor në shkollën "1 Maji" ka thënë se deri në fund të mandatit të tij si kryebashkiak asnjë shkollë nuk do të ketë më mësim me dy turne.
Gjatë fjalës së mbajtur me këtë rast, Veliaj ka thënë se ekspertët e bashkisë kanë punuar në 200 shkolla të Tiranës, në mënyrë që nxënësit të kenë kushte më të mira për një proces mësimor-edukativ më të suksesshëm.
Por, Veliaj ka shtuar se me punën e mirë që është bërë në këtë drejtim, tashmë janë stafet pedagogjike dhe nxënësit ata që duhet të mirëmbajnë këto ambiente.
“Faleminderit kolegëve të bashkisë që kanë punuar gjatë gjithë kohës. Kemi pasur edhe vullnetarë që kanë ndihmuar fëmijët sot. Javët e ditët e para janë një kohë kur shtohen lëvizjet, por sot sheshi “Skënderbej” nuk u bllokua, kërkojmë bashkëpunimin e të gjithëve. Është punuar në 200 shkolla, e mira nuk ka fund, por ne do vijojmë punën. Sistemuam shkollat, shtuam terrenet sportive, kemi hapur themele për shkolla të reja. Në koordinim me Drejtorinë Arsimore Rajonale kemi 2 ose 3 gjimnaze me dy turne, 20 gjimnaze janë vetëm me një turn. Shkolla në Kombinat sa i janë hedhur themelet, “Hoxha Tahsim” përfundon gjysma e themeleve, ndërkohë po punohet në 16 shkolla. Në fund të mandatit do të heqim mësimin me dy turne. Me vepra kemi treguar se kështu ecet përpara. Duhet të mirëmbajmë të gjitha godinat arsimore stafet pedagogjike dhe vetë nxënësit” tha Veliaj.
Ora 08:57 Ditmir Bushati: Investimi i Bashkisë së Tiranës, investim për gjeneratën tjetër
Ndërkohë, Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka thënë se investimi që ka bërë Bashkia e Tiranës është investim jo vetëm për nxënësit, por për të gjithë gjeneratën tjetër, ndërkohë që ka falenderuar prindërit për mirëkuptimin që kanë pasur me bashkinë e Tiranës.
“Faleminderit bashkisë së Tiranës dhe kreut të saj për punën që ka bërë për ndërhyrjet në godinat arsimore. Kjo shkollë është rikonstruktuar totalisht. Është investimi më i mirë për gjeneratën dhe brezat e ardhshëm. Faleminderit prindërve për durimin që kanë treguar. Ky është një investim fantastik” tha Bushati.
Zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj ka shtuar se këtë vit të ri shkollor fëmijët do të realizojnë mësimin me standarde ndërkohë që sa i përket fëmijëve që kanë ardhur nga emigracioni ajo ka thënë se janë pjesë reale e arsimit.
(Ministri i Jashtëm Bushati dhe kryebashkiaku Veliaj)
Ora 08:30 Lezhë, 250 nxënës pa mesim
Në këtë fillmvit shkollor, 250 fëmijë të komunitetit rom dhe egjiptian të shkollës jopublike “Shenjtja Mari” në Lezhë rrezikojnë të mbeten pa mësim. Prej një viti, drejtoria arsimore ka hequr edhe mësuesen e vetme që jepte mësim në këtë shkollë.
Humanisti Luciano Levri nëpërmjet kameras së Report Tv kerkon me teper mbeshtetje ne menyre qe edhe keta femije te kene mundesi te arsimohen.
Per kontributin e dhene prej disa vitesh ne Lezhe ne ndihme te femijeve ne veshtersi te medha ekonomike, Luciano Levri mban edhe titullin e qytetarit te nderit, por kjo ska mjaftuar qe institucionet vendore ne Lezhe t’I vijnë në ndihmë.
“Prej vitesh drejtoria arsimore na kishte derguar nje mesuese qe jepte mesim ne shkollen tone, por fatkeqsisht prej nje viti e ka larguar. Keshtu qe ne punojme me 250 femije pa ndihmen e asnje institucioni. Ne na ka ndihmuar vetem shkolla jo publike Rrogacionistet e cila ka mundesuar bursat per 12 vajza rome qe te ndjekin gjimnazin, por nderkohe kemi edhe 4 vajza te tjera qe prej ketij viti do te ndjekin universitetin, e kjo eshte nje enderr qe po realizojme. Ne kete menyre ne kerkojme me teper vemendje. Kemi ftuar edhe policine e shtetit qe te jete prezente dhe te ndjeke kete shkolle pasi ne kemi bere te mundur largimin e ketyre femijeve nga rruga, por edhe ky institucion fatkesisht nuk gjen kohe per te qene prane nesh, e kjo eshte per te ardhur keq"tha ai.
Ora 08:20 Viti i ri shkollor në Fier ka nisur me protesta, nxënësit bojkotojnë mësimin
Prindërit dhe 300 nxënëit të shkollës 9-vjeçare të fshatit Kallm i vjetër kanë dalë në protestë, pasi sipas tyre rruga që lidh fshatin me shkollën është e dëmtuar dhe nuk është ndërhyrë fare për rikonstruksionin e saj.
Prindërit dhe nxënësit kanë marrë vendim që të bojkotojnë procesin mësimor edukativ, pasi sipas tyre kanë bërë kërkesa për rikonstruksionin e rrugëve të fshatit që e lidhin atë me shkollën por deri sot askush nuk i ka marrë parasysh.
Ata kanë shtuar se nëse kërkesat etyre nuk merren parasysh, bojkoti do të vijojë për 5 ditë të tjera.