Nishani: Dialogu Kosovë-Serbi
si dy shtete të pavarura

Nishani: Dialogu Kosovë-Serbi<br />si dy shtete të pavarura
PRISHTINE- Kosova e lirë, e pavarur, demokratike dhe sovrane është sot jo vetëm një realiteti i pakthyeshëm, por një faktor i domosdoshëm për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik në gjithë rajonin e Ballkanit"- Ky është apeli i presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani sot në Prishtinë, në vizitën e tij të parë si President.

I shoqëruar nga Zonja e Parë e delegacioni shqiptar nisi sot vizitën zyrtare treditore në Kosovë me ftesë të homologes Atifete Jahjaga.  Të dy presidentët ranë dakord se dialogu me Serbinë është e vetmja rrugë efikase.

NISHANI: MBESHTESIM BISEDIMET KOSOVE-SERBI
Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani mbajti një fjalim para deputetëve të Kuvendit të Kosovës ku deklaroi se Kosova do të jetë kryefjala e aktiviteteve të tij për shtimin e njohjeve të reja, ndërkohë që shprehu mbështetjen e Republikës së Shqipërisë për bisedimet Kosovë-Serbi, si dy shtete të pavarura e sovrane.  "Shqiptarët nuk duhet të harrojnë vuajtjet, sakrificat e momentet e mbijetesës dhe përmes kësaj kujtese të shikojnë drejt së ardhmes. Kosovës po i hapet një kapitull i ri, si shtet sovran e i pavarur pa mbikëqyrje ndërkombëtare. " tha presidenti Nishani.

Ai tha se Shqipëria ka qëndrim të palëkundur sa i takon çështjes së Kosovës, duke thënë se pavarësia dhe integriteti territorial i Kosovës është i pacenueshëm, në kufijtë e njohur ndërkombëtarisht. Nishani përsëriti qëndrimin e Republikës së Shqipërisë për mbështetjen e bisedimet Kosovë-Serbi për çështjet praktike, si dy shtete të pavarura e sovrane.
Ai tha se mbështet vijat e kuqe të Prishtinës zyrtare për bisedimet me Serbinë, ndërkohë që sipas tij, marrëveshjet e arritura duhet të zbatohen dhe se shqiptarët ndonëse të ndarë në disa shtete kanë për alternativë integrimin në strukturat euro-atlantike. Në fillim të fjalimit të tij para ligjvënësve të Kosovës, Nishani shprehu nderimin e tij për presidentin e ndjerë, Ibrahim Rugova, komandantin legjendar, Adem Jashari, për luftëtarët e martirët, ndërsa shprehu mirënjohje edhe për faktorin ndërkombëtar që bazuar në vlerat demokratike veproi për të shpëtuar një popull liridashës nga spastrimi etnik.

JAHJAGA E NISHANI NE KONFERENCE

Presidentja Jahjaga e cila çmoi vizitën e Nishanit tha se mes tyre pati një bisedë të frytshme për bashkëpunimin e dy vendeve dhe investimet. “Këtë vit përfundon rruga e Kombit dhe do të kontribuojë jashtëzakonisht shumë dhe dalja e Kosovës në portet e Shqipërisë. Kjo është një rëndësi ekonomike.”- tha Jahjaga e cila falenderoi homologun shqiptar për ndihmën që është dhënë në të gjitha fushat sidomos në lobimin e mëtejshëm për njohjet.
Nga ana e tij presidenti Nishani tha se “Kosova e pavarur është realitet i pakthyeshëm dhe faktor kryesor për paqen “. Ai vlerësoi Jahjagën për kontributin në formimin e shtetit dinjitoz dhe shprehu gadishmërinë për të ndihmuar Kosovën.

 “Momenti i heqjes se mbikqyrjes së pavarësisë së Kosovës është një moment tjetër historik, që hap një rrugë të re për Kosovën, për qytetarët e saj në konsolidimin e shtetit, në konsolidimin e institucionevedhe në zhvillimin e demokracisë dhe prosperitetit ekonomik. Natyrisht, raportet e Shqipërisë me Kosovën kanë qenë të shkëlqyera dhe do të mbetën te tilla”, tha Nishani.
Presidenti Nishani takoi edhe kryeministrin Hashim Thaçi, kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi, e udhëheqës të subjekteve politike në Kosovë, si dhe zhvilloi homazhe në varrin e Presidentit Rugova. Pasdite Presidenti Nishani viziton Kishën Katolike në Binçë të Vitisë.

JAHJAGA: NUK JAP DOREHEQJEN
Presidentja e Kosovës deklaron se nuk do të japë dorëheqjen:“Me dorëheqjen time nuk do t’i çoja proceset përpara dhe është në kundërshtim me marrëveshjen dhe me Kushtetutën. Do të krijoja krizë të re dhe të përsëritshme me atë që ishte më parë”
(rg/sg/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Analiza e VOA: Demokracia në provë në Evropën Lindore mes akuzave për ndërhyrje nga Rusia

Analiza e VOA: Demokracia në provë në Evropën Lindore mes akuzave për ndërhyrje nga Rusia