Nishani: KLD e Cefa po sulmohen
politikisht, korrupsion në politikë

Nishani: KLD e Cefa po sulmohen<br />politikisht, korrupsion në politikë
TIRANE - Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka lëshuar akuza të forta në drejtim të politikës dhe mazhorancës, kur një ditë më parë 39 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë dorëzuan në Kryesinë e Kuvendit kërkesën për shkarkimin e nënkryetarit të KLD, Elvis Cefa dhe anëtarit Lulzim Lelçaj. Në një mbledhje të jashtëzakonshme pa praninë e mediave, Nishani e ka cilësuar të paplotë këtë kërkesë, kur siç shprehet ai, nuk janë specifikuar arsyet perse Kuvendi nis këtë proces. Kreu i Shtetit në cilësinë e kreut të KLD, tha se akuza nuk është e mbështetur në ligj, duke dalëk kështu në mbrojte të dy anëtarëve të KLD.

Në këtë linjë, Presidenti Republikës, njëherazi kryetari i KLD-së, Bujar Nishani theksoi se ky institucion po vihet në mënyrë të pajustifikuar, të paargumentuar, të pa mbështetur në ligj në kundërshtim me frymën dhe germën e Kushtetutës, nën një sulm politik.

“Jam i detyruar të thërras këtë mbledhje të KLD-së, pasi dje jam njohur me kërkesën e ardhur nga Kuvendi i Shqipërisë ku njoftojnë nisjen e procedurës për shkarkimin e dy anëtarëve të KLD-së, z. Çefa që është njëkohësisht edhe Zëvendëskryetarë i KLD dhe z. Lelçaj, të ardhur në këtë Këshill, nga parlamenti. Ka një material bashkëlidhur i cili së pari është i pa plotë dhe i pa qartë për shkaqet dhe arsyet përse Kuvendi nis këtë proces. Akuza që bëhet, duhet thënë është akuzë dhe jo shkak, fukosohet tek shpërdorimi i detyrës dhe shkeljet e ligjit. Kjo kërkesë vë përpara përgjegjësisë në kontekstin e akuzës të gjithë punën e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pasi të gjitha vendimet e KLD-së janë kolegjiale dhe mbi bazën e votës të çdo anëtari të KLD-së. Të dy anëtarët kanë vetëm nga një votë në procesin e vendimmarrjes”, tha presidenti Nishani në fillim të mbledhjes, e cila filloi në orën 18:00.

Në këtë mbledhje të drejtuar nga Presidenti i Republikës dhe njëherësh kreu i KLD-së Bujar Nishani, pasi nënkryetari Cefa, nuk mund të drejtojë këtë mbledhje, nisur nga kërkesa e bërë nga deputetët e majtë për shkarkimin e tij, ishte i pranishëm edhe ministri i Drejtësisë Nasip Naço. Presidenti Nishani tha se KLD dhe Cefa janë përballur për një kohë të gjatë me akuza politike.

“Nisur nga çka është paraqitur në materialin e ardhur nga Kuvendi, duke patur parasysh që për një kohë të gjatë KLD si institucion dhe anëtarë të caktuar të KLD-së, përfshi edhe zotin Çefa, janë ndeshur në mënyrë të argumentuar me akuza politike nga institucionet e politikës, dhe duke e gjykuar këtë iniciativë të një pjesë të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë të cilët janë përfaqësues “par exellence” të politikës, mbi një institucion i cili në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë është një institucion i pavarur nga politika, është një institucion i cili ka një mision dhe një detyrë shumë të rëndësishme për të emëruar gjyqtarët e Republikës së Shqipërisë të Shkallës së parë dhe të Apelit, një institucioni cili ka për të detyrë për të promovuar gjyqtarët e shkallë së parë dhe apelit, ka për detyrë që të monitorojë veprimtarinë ligjore të gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë, ka për detyrë të ruaj integritetin dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor, ta garantojë atë pavarësi, një institucion i cili duhet të konsolidoj integritetin e çdo gjyqtari. Pra ky vihet në mënyrë të pajustifikuar, të paargumentuar, të pa mbështetur në ligj, në kundërshtim me frymën dhe germën e Kushtetutës, nën një sulm politik nga pushteti politik”, u shpreh Kreu i Shtetit.

Në vijim të fjalës së tij, Presidenti Nishani u shpreh se sfidat që ka sistemi gjyqësor kërkojnë një qasje dhe reforma shumë të mëdha, në funksion të parimit të sistemeve demokratike që është “sundimi i ligjit” dhe jo “sundimi i individëve apo pushteteve të caktuara, qoftë edhe ai i pushtetit politik”.
 
“Doja të ndaja me ju një shqetësim timin si Kryetar i KLD-së por edhe si kreu i shtetit shqiptar. Ka një debat të madh politik ndaj problemeve, shqetësimeve, sfidave, mangësive në sistemin e drejtësisë në tërësi dhe atë të gjyqësorit në veçanti, përfshi problemet me nivelin e profesionalizmit të gjyqtarëve, me aktet dhe veprimtaritë korruptive të gjyqtarëve , dhe bie dakord me shqetësimin që ekziston në tërësi tek opinioni publik të cilët kanë të gjithë të drejtën e tyre që të marrin drejtësi përmes një sistemi gjyqësor i cili është i arrirë profesionalisht, i trajnuar profesionalisht, me integritet të lartë moral dhe njerëzor dhe profesional. Sfidat që ka sistemi gjyqësor kërkojnë një qasje dhe reforma shumë të mëdha të cilat duhet të synojnë atë që ne e themi dhe që është parimi i sistemeve demokratike “sundimin e ligjit” dhe jo sundimi i individëve apo pushteteve të caktuara qoftë edhe ai i pushtetit politik”, vijoi Nishani.
 
Ndërkaq, Kreu i Shtetit duke pranuar ekzistencën e aferave korruptive mes gjyqtarëve e prokurorëve, tha se ky korrupsion është më i madh mes politikaneve e vendimmarrësve.
 
“Është e vërtetë që ka afera korruptive midis gjyqtarëve, midis prokurorëve, por praktika e jetës tonë ka konfirmuar se ky korrupsion është shumë herë më i madh midis politikanëve, ky korrupsion është shumë herë më i madh midis vendimmarrësve që përdorin resurset publike të këtij vendi dhe në fakt ka një konflikt të madh interesi në rastin e përballjes midis politikës dhe sistemit gjyqësor sepse njerëzit e korruptuar në mes politikanëve, njerëzit e korruptuar në mes pushteteve vendimmarrëse që përdorin pasuritë publike janë ata të cilët do të gjykohen nga njerëzit e gjyqësorit, do të gjykohen nga gjyqtarët, prandaj krahas asaj sfide të madhe që ka sistemi ynë i drejtësisë dhe gjyqësori në veçanti për t’u reformuar, për të përmirësuar procedurat, kodet, infrastrukturat, nivelin profesional të gjyqtarëve, trajnimin e tyre. Duhet me çdo kusht që këto procese të kalojnë përmes një procesi të konsultimit akoma më të madh të pavarësisë së tyre, të pavarësisë nga presionet dhe shantazhet që mund të vijnë nga çdo grup interesi politik apo jo politik, biznesi apo mediatik dhe grupe të tjera interesi, të cilat natyrisht që nuk janë të interesuar realisht për një gjyqësor të fortë, nuk janë të interesuar realisht për një gjyqësor profesional, nuk janë të interesuar realisht për një gjyqësor i cili me shpejtësi angazhohet për t’i dhënë të drejtën qytetarit, por janë padyshim për një gjyqësor i cili të jetë i përkulshëm ndaj presioneve që mund të vijnë nga njerëz të cilët duhet të përballen me ligjin. Natyrisht ky është një konflikt i madh interesi dhe do të jetë në vijimësi një konflikt interesi, por unë besoj se përgjegjësia dhe detyra e çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë dhe veçanërisht e atyre individëve që ushtrojnë detyra të ndryshme, përgjegjësi të ndryshme, mandate të ndryshme është që t’i qëndrojnë besnik parimeve universale të demokracisë, t’i qëndrojnë besnik parimeve dhe detyrim-përcaktimeve kushtetuese të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, t’i qëndrojnë besnik përcaktimeve ligjore dhe parimeve mbi të cilat bëhet një demokraci funksionale”, tha Nishani.
 
Pas diskutimeve, Këshilli vendosi me shumicën e votave që t’i dërgojë Kuvendit të Shqipërisë një informacion shpjegues lidhur me vendimmarrjet kolegjiale të KLD, të cituara në materialin e nënshkruar nga deputetët, pavarësisht faktit se kjo kërkesë i adresohet dy anëtarëve të KLD të zgjedhur nga Kuvendi.
 
Gjatë diskutimeve, disa anëtarë të KLD propozuan që ky informacion t’i dërgohet edhe Komisionit të Helsinkit në Kongresin Amerikan si edhe Komisionit për Politikën e Jashtme të Parlamentit Europian.

Kërkesa e 39 deputetëve
Ditën e djeshme, një grup prej 39 deputetësh dorëzuan pranë Kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, kërkesën për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Çefa dhe Lulzim Lelçaj. 
 
Sipas kërkesës në fjalë, deputetët e majtë kanë evidentuar 10 shkelje të bëra nga Cefa dhe Lelçaj. Në mesin e shkeljeve të konstatuara, në materialin 12 faqësh,deputetët e mazhorancës, theksojnë faktin se gjyqësori sot gjendet i vlerësuar gjerësisht si i korruptuar.
 
Po ashtu nënvizohet edhe shkelja në rastin e lejimit të konfliktit të interesit, në rastin e gjyqtarit të Apelit Gjin Gjoni si anëtar i Këshillit drejtues të Magjistraturës, për të vijuar më pas me mos emërimin e gjyqtarëve brenda afateve.
 
“Këshilli i Lartë i Drejtësisë, pasi shkarkoi pa asnjë shkak të ligjshëm anëtarin e Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës, Sokol Binaj, zgjodhi në të njëjtën mbledhje në vend të tij, anëtarin e KLD-së, Gjin Gjoni.” Thuhet në kërkesën e deputetëve të mazhorancës.

Redaksia Online
(e.s/e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap negociatat me BE për kapitullin 1, kur do ndodhë integrimi?



×

Lajmi i fundit

Ministria e Jashtme e Kosovës e konfirmon, një shtetas i Kosovës u ndalua nga autoritetet serbe në kufi me Hungarinë! Daçiç: U arrestua një kriminel lufte

Ministria e Jashtme e Kosovës e konfirmon, një shtetas i Kosovës u ndalua nga autoritetet serbe në kufi me Hungarinë! Daçiç: U arrestua një kriminel lufte