- Politika uron për Festën e Pashkëve të gjithë besimtarët katolikë shqiptarë kudo ku ndodhen -
TIRANË, 5 Prill /ATSH- I. Vata/ -Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, nëpërmjet një mesazhi publik, u uron Festën e Pashkëve të gjithë besimtarëve katolikë shqiptarë kudo ku ndodhen.
Presidenti Nishani u drejtohet shqiptarëve në mesazhin e urimit të festës së Pashkëve, duke u shprehur se "Është një kënqësi e veçantë që të shpreh urimet më të mira në ditën e Pashkëve. Dëshiroj që t'ju uroj nga zemra një ditë të gëzuar Pashkësh, të mbushur plot hare, shpresë, forcë dhe ripërtëritje ëndrrash! Kjo festë na ringjall jo vetëm besimin tek i Plotfuqishmi, por edhe bindjen se vetëm nëpërmjet përjetimit dhe zbatimit të dëlirtë e të vërtetë të vlerave të pastra njerëzore".
"Kjo e kremte shënon ditën kur shpresa ringjallet, kur besimi ripërtërihet edhe më i fuqishëm, kur bekimi hyjnor, harmonia, bashkëjetesa dhe toleranca fetare hijeshojnë plot nur shoqërinë tonë dhe këtë e vuri në pah edhe Ati i Shenjtë, Papa Françesku, gjatë vizitës së tij të paharrueshme historike në shtator. Ndaj edhe urimi im është që këto virtyte dhe veti karakteristike shqiptare t'i ruajmë e t'i forcojmë nën frymën e kësaj Feste Pashkësh" u shprehet Nishani.
Po ashtu, kreu i shtetit thekson se "Dita e bekuar e Pashkëve këtë vit e ka gjetur Shqipërinë edhe më afër familjes evropiane dhe kjo përbën një tjetër dëshmi se shpresa jonë nuk shuhet, por ringjallet si Krishti me më tepër fuqi".
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka uruar për Festën e Pashkëve të gjithë besimtarët katolikë shqiptarë kudo ndodhen nëpërmjet statusit të tij Facebook, duke u shprehur se "Uroj per Festën e Pashkëve të gjithë besimtarët katolikë shqiptarë kudo ku ndodhen". /a.ke/









