TIRANË, 22 Mars/ATSH/- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani uroi shqiptarët për festën e Sulltan Novruzit.
"Gëzuar festën e Sulltan Novruzit! Tek ne dhe kudo në botë festën e bukur të Sulltan Novruzit e respektojnë dhe e festojnë jo vetëm besimtarët bektashianë por edhe plot të tjerë", shkruan Nishani në mesazhin e tij të urimit.
Sulltan Novruzi, vijon mesazhi i Presidentit, mbart në thelbin e vet harmoninë ndërfetare. "Lumnimi që kjo festë u shkakton njerëzve me besime të ndryshme është prova dhe vetë ne jemi dëshmitarët", shkruan ai.
Në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, vijon mesazhi i Presidentit Nishani, janë ende të gjalla kujtimet e gjyshërve tanë të cilët kishin mësuar shkrim e këndim shqip nëpër teqe të shenjta që ishin shndërruar në shkolla dhe baballarë patriotë ishin shndërruar në mësues.
Besimtarët bektashinj do të festojnë sot Ditën e Sulltan Novruzit, ditë ku përkujtohet Imam Aliu, dijetar dhe shenjtor i madh. Sot, sipas traditës, bektashinjtë do t'i urojnë njëri-tjetri mirëqenie, mbarësi dhe dashuri.
/a.gjonaj/ /m.m/







