Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Eric Wendt nisi punën me një takim me kryeministrin e vendit Edi Rama paraditen e së mërkurës. Pas Ramës, ambasadori shkoi në selinë e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme ku u prit nga ministri Ferit Hoxha.
“Welcome” shkroi kryeministri Edi Rama në një postim në Facebook ku publikoi një foto me ambasadorin. Ky i fundit e pasoi me disa foto të tjera ku shprehej:
“Një partneritet i fortë matet nga ajo që dy kombe arrijnë së bashku.”
Në një deklaratë në rrjetin social “X” ministri Ferit Hoxha tha se marrëdhënia mes dy vendeve mbështetet në vlera të përbashkëta demokratike, në një partneritet të fortë të sigurisë brenda NATO-s dhe në një miqësi të kahershme mes popujve tanë.
“Pres të punojmë ngushtë së bashku për të thelluar më tej marrëdhëniet tona dypalëshe, përfshirë për të zgjeruar mundësitë ekonomike dhe të investimeve, për të forcuar bashkëpunimin për sigurinë dhe stabilitetin rajonal, si dhe për t’iu përgjigjur sfidave globale që kërkojnë koordinim të ngushtë mes aleatëve”, u shpreh Hoxha.
Hoxha shtoi se Shqipëria është plotësisht e angazhuar për forcimin e mëtejshëm të partneritetit tonë strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe të lidhjeve tona transatlantike në vitet që vijnë.
Eric Wendt dorëzoi letrat kredenciale të shtunën tek Presidenti i Republikës Bajram Begaj, ndërsa një njoftim i ambasadës lajmëroi se ai nisi punën zyrtarisht të hënën.

Ambasadori Eric Wendt ka ndarë disa foto nga takimi i prezantimit me kryeministrin Rama ku ka përmbledhur temat e tyre të diskutimit që prekin bashkëpunimin Shqipëri-SHBA në fusha të ndryshme.
“Një partneritet i fortë matet nga ajo që dy kombe arrijnë së bashku.
Ambasadori Eric Wendt u takua sot me Kryeministrin Edi Rama për të diskutuar thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, zgjerimin e tregtisë dhe investimeve, si dhe forcimin e luftës kundër krimit të organizuar”, thuhet në njoftim.

Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha është takuar me Eric Wendt, i cili tashmë është emëruar ambasador i SHBA-ve në Tiranë. Hoxha shprehet se gjurmët e SHBA-ve në historinë e Shqipërisë janë të pashlyeshme dhe themel për partneritetin strategjik, të cilin synon të jetë edhe më i fortë përmes marrëdhënieve dypalëshe.
Ministri shton se ambicia e integrimit në BE dhe partneriteti transatlantik kanë të njëjtën rëndësi për Shqipërinë.
“Një kënaqësi e veçantë të mirëpres Ambasadorin Eric Wendt në Shqipëri dhe në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, në takimin tonë të parë.
Shtetet e Bashkuara mbeten një nga partnerët strategjikë më të afërt dhe më të çmuar të Shqipërisë. Marrëdhënia jonë mbështetet në vlera të përbashkëta demokratike, në një partneritet të fortë të sigurisë brenda NATO-s dhe në një miqësi të kahershme mes popujve tanë. Gjurmët e Shteteve të Bashkuara në momente kyçe dhe përcaktuese të historisë së Shqipërisë janë të pashlyeshme dhe mbeten një themel i fuqishëm për partneritetin tonë strategjik, të fortë dhe gjithnjë e më të thelluar.
Pres të punojmë ngushtë së bashku për të thelluar më tej marrëdhëniet tona dypalëshe, përfshirë për të zgjeruar mundësitë ekonomike dhe të investimeve, për të forcuar bashkëpunimin për sigurinë dhe stabilitetin rajonal, si dhe për t’iu përgjigjur sfidave globale që kërkojnë koordinim të ngushtë mes aleatëve.
Për Shqipërinë, anëtarësimi në Bashkimin Evropian, si përparësia jonë kryesore kombëtare, dhe një partneritet i fortë e i qëndrueshëm transatlantik janë dy anë të së njëjtës medalje. Mbetemi plotësisht të angazhuar për forcimin e mëtejshëm të partneritetit tonë strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe të lidhjeve tona transatlantike në vitet që vijnë.
I uroj Ambasadorit Wendt çdo sukses në misionin e tij dhe pres me kënaqësi një bashkëpunim të afërt, produktiv dhe të qëndrueshëm”, shkruan Hoxha.








Komente
Komento