Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, në fjalën e saj në nisje të sesionit të ri parlamentar tha se ky do të jetë një sesion i ngjeshur me reforma të rëndësishme. Ai ceku rolin që do të ketë Kuvendi në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian.
“Nisim sesionit e tretë të legjislaturës dhe ju uroj të gjithë sesion produktiv në përmbushje të misionit dhe detyrave tona. Sesionin e kaluar Shqipëria mori suksesin e merituar të çeljes së negociatave. Kuvendi ka meritën e pazëvendësueshme për këtë/. Edhe veprimtaria legjislative ka qenë shumë produktive. Gjatë sesionit ngritëm 2 komisione të posaçme për reformën zgjedhore dhe atë administrative territorial. Gjithashtu mbështetëm vijimin e mëtejshëm të reformës në drejtësi. Opozita gëzoi të gjithë aksesin e nevojshëm për kontrollin e qeverisë. Detyrat kryesore të Kuvendit gjatë negociatave do të jenë përafrimi i legjislacionit shqiptar me atë të BE-së.
Ne do të zgjerojmë mbështetjen për procesin, duke bashkëpunuar me Parlamentin Evropian dhe parlamentet e tjera të vendeve anëtare. Detyrat kërkojnë thellimin e njohurive mbi legjislacionit. Roli i Kuvendit do të rritet gjatë procesit të negociatave”, tha Nikolla.
Fjala e plotë e Nikollës
Sot nisim sesionin e tretë të legjislaturës së dhjetë të Kuvendit të Shqipërisë. Ju uroj të gjithëve një sesion produktiv, në përmbushje të misionit tonë si parlamentarë, dhe detyrave në shërbim të Republikës, Kushtetutës dhe qytetarëve. Gjatë sesionit të kaluar, Shqipëria arriti një sukses të mirëpritur dhe të merituar: Bashkimi Evropian çeli zyrtarisht negociatat. Ky ishte një sukses që u takon të gjithë qytetarëve dhe institucioneve të vendit. Por Kuvendi ka rolin dhe kontributin e pazëvëndësueshëm si garantues i legjitimitetit demokratik të procesit të integrimit evropian. Veprimtaria legjislative ka qenë gjithashtu produktive: Shqyrtuam e miratuam shumicën e akteve ligjore të depozituara, përfshirë nismat e mbartura nga sesionet e kaluara. Miratuam 62 ligje, nga të cilat 58 nisma të Këshillit të Ministrave, 3 të deputetëve dhe 1 nismë e përbashkët e deputetit dhe e zgjedhësve.
Sipas tipologjisë, miratuam 12 ligje bazë, 12 akte ligjore me fuqinë e ligjit, 11 ndryshime dhe shtesa në ligj dhe 27 ratifikime konventash e marrëveshjesh ndërkombëtare. Gjatë sesionit të kaluar ngritëm dy komisione të posaçme, për Reformën Zgjedhore dhe Reformën Administrativo-Territoriale, veprimtaria e të cilave do të përfundojë gjatë këtij sesioni. Avancuam dhe mbështetëm reformën në drejtësi dhe procesin e vetting-ut, si një nga korsitë kryesore të kësaj reforme. Këshilli i Legjislacionit mori në shqyrtim vendimet e Gjykatës Kushtetuese mbi shfuqizimin e disa dispozitave në ligjet që janë nisma të deputetëve, vlerësoi nevojën e plotësimit në legjislacion sipas arsyetimit në vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe ua referoi këto ndryshime Komisionit të Posaçëm Parlamentar për realizimin e Reformës Zgjedhore.
Kuvendi ka funksionuar si një institucion pluralist e demokratik, në të cilin opozita gëzoi të gjithë aksesin e nevojshëm për kontrollin e veprimtarisë së Qeverisë. Deputetët e opozitës zhvilluan 502 diskutime, të cilat morrën rreth 76 orë të seancave, kundrejt 532 diskutimeve dhe rreth 88 orë të deputetëve të maxhorancës. Realizimi I 9 interpelancave, 25 raportime të institucioneve të pavarura si dhe Efektiviteti i Komisionit hetimor të ngritur me nismën e opozitës dhe transparenca e veprimtarisë së tij forcoi kontrollin parlamentar të kuvendit. Dimensioni gjinor i veprimtarisë parlamentare u pasqyrua edhe në diskutimet në seancat plenare. Gratë deputete edhe pse përbëjnë 36 % të deputetëve zhvilluan 450 diskutime ose 44% të totalit të diskutimeve, kundrejt 584 diskutime nga deputetët burra ose 56 % të diskutimeve edhe pse janë 64 % e totalit të deputetëve. Kuvendi rriti transparencën parlamentare, përmes krijimit të kushteve për ndërveprimin me qytetarët, ndërtimin e marrëdhënieve funksionale me publikun dhe intensifikimin e punës për një parlament të hapur për qytetarët. Pavarësisht kufizimeve të pandemisë, Kuvendi u vizitua fizikisht dhe virtualisht nga rreth 6 mijë qytetarë. Sistemi i ri audio-video i implementuar në të gjitha sallat e komisioneve, ka rritur transparencën parlamentare dhe ka përmirësuar cilësinë e aksesit të medias dhe publikut. Kuvendi ka krijuar “dhomën e medias”, e cila është një hapësirë në dispozicion të gazetarëve, të mirëpajisur prej nga gazetarët ndjekin në kohë reale punimet e tij.
II. Duke qenë se vendi ka hyrë në një stad të ri të procesit të integrimit evropian, edhe roli i Kuvendit do të ketë një dinamikë të re. Zhvillimi i negociatave është përgjegjësi e Qeverisë, por kjo përgjegjësi duhet mbështetet e kontrollohet nga Kuvendi. Në këtë kontekst, detyrat kryesore të Kuvendit gjatë negociatave të anëtarësimit do të jenë:
• Intensifikimi i përafrimit të legjislacionit kombëtar me legjislacionin e BE.
• Jemi të vetëdijshëm se do na duhet të përafrojmë në një periudhë të shkurtër kohore legjislacionin shqiptar me sistemin ligjor të BE-së, i cili është zhvilluar për mbi gjashtë dekada. Pas çeljes së negociatave të anëtarësimit, numri i ligjeve me përafrim do të rritet në mënyrë të konsiderueshme dhe po kështu edhe kërkesat për miratimin e tyre me procedurë të përshpejtuar.
• Shqyrtimi dhe dhënia e opinioneve mbi pozicionet negociuese të hartuara nga qeveria në të cilat përcaktohet situata aktuale, plani për përafrimin e plotë të legjislacionit dhe periudhat tranzitore për secilin nga kapitujt e negociatave;
• Bashkëpunimi me shoqërinë civile dhe aktorët e tjerë të shoqërisë me qëllim sigurimin e gjithëpërfshirjes së procesit;
• Fuqizimi i diplomacisë parlamentare në funksion të perceptimit realist, konstruktiv dhe pozitiv të arritjeve integruese të Shqipërisë dhe intensifikimi i bashkëpunimit me Parlamentin Evropian dhe me Parlamentet Kombëtare të Vendeve Anëtare/ Kandidate të BE-së.
Informimi i qartë i institucioneve dhe parlamentarëve evropianë, vendeve anëtare dhe partnerëve t të BE-së mbi reformat e ndërmarra dhe përgatitjen e Shqipërisë për anëtarësim, do të zgjerojnë mbështetjen në këtë proces.
Për këtë po analizojmë praktikat e disa vendeve të rajonit, me përvoja të suksesshme parlamentare në procesin integrues, duke pasur parasysh harmonizimin e tyre me sistemin tonë politik, kulturën administrative dhe kapacitetet institucionale.
Këto detyra kërkojnë thellimin e njohurive mbi legjislacionin, politikat e BE-së dhe procesin e negociatave të anëtarësimit, struktura të qëndrueshme, burime njerëzore shumë të kualifikuara dhe kapacitete më të larta institucionale e administrative, për të mbështetur rolin e Kuvendit gjatë negociatave të anëtarësimit. Kuvendi do të ndalet posaçërisht gjatë këtij sesioni për mjaft çështje të integrimit, por paraprakisht dëshiroj të nënvizoj se disa nga masat afatshkurtëra duhet të jenë:
• Rishkimi i kuadrit rregullator (Ligjit nr.15/2015 “Për rolin e Kuvendit të Shqipërisë në procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian” dhe Rregullores se Kuvendit) me qëllim përmirësimin e tyre në funksion të forcimit të rolit ligjvënës dhe kontrollues të Kuvendit gjatë procesit të negociatave të anëtarësimit..
• Forcimi i kapaciteteve administrative të strukturave ekzistuese që mbulojnë çështjet e integrimit evropian (Shërbimi i Përafrimit të Legjislacionit dhe Sekretariati Teknik i KKIE) si dhe ridimensionimi i strukturës aktuale në mbështetje të zbatimit të detyrimeve të anëtarësimit.
• Kjo do të kërkojë që organizimi dhe programimi i veprimtarive të komisioneve parlamentare të bëhet në bazë të kapitujve të negocimit.
• Gjithashtu, komisionet parlamentare do të fokusohen në shqyrtimin ex-post të legjislacionit, duke analizuar dhe vlerësuar efektet dhe pasojat e ligjeve në fuqi. Për këtë është e nevojshme të përgatitet një udhëzues mbi shqyrtimin ex-post të legjislacionit, dokument i cili do të rrisë informacionin për deputetët dhe efektivitetin e punës së Komisioneve parlamentare, kundrejt detyrimeve në procesin e integrimit evropian.
Një element i rëndësishëm i detyrimeve të Kuvendit në procesin e integrimit evropian do të jetë koordinimi i raportimit të Kuvendit në kuadër të Raportit vjetor të Komisionit Evropian dhe të institucioneve dypalëshe BE-Shqipëri si dhe ndjekja e hartimi dhe monitorimi i Planit të Veprimit për adresimin e Rekomandimeve të Komisionit Evropian. Sesioni i ri parlamentar do të jetë sesioni i dy reformave të rëndësishme: Reformës Zgjedhore dhe Reformës Administrativo-Territoriale. Shpreh besimin se komisionet e ngritura për përgatitjen e ndryshimeve ligjore të këtyre reformave të rëndësishme do të vazhdojnë punën efektive të nisur sesionin e kaluar.
Të nderuar kolegë, Siç jeni në dijeni, kohët e fundit, opinioni publik, media, Kuvendi dhe institucionet e tjera të vendit janë përfshirë në një debat mbi nevojën e spastrimit të politikës dhe institucioneve prej ish bashkëpunëtorëve dhe të favorizuarve nga sigurimi i shtetit si edhe mbi ndërgjegjësimin, kujtesën kolektive dhe ndëshkimin publik të krimeve të rregjimit komunist. Kjo ndjeshmëri e shoqërisë është konkretizuar në Kuvend në formën e projekt-akteve ligjore, të cilat janë përfshirë tashmë në programin e punës dhe kalendarin e Kuvendit.
Pesë shërbimeve të Kuvendit u është shtuar tashmë një shërbim i ri: Instituti Parlamentar. Krijimi i Institutit është bazuar në praktikat më të mira nga Shërbimi i Kërkimit në Kongresin e SHBA, Parlamentin Europian, si edhe në Institutet Parlamentare të disa vendeve të rajonit. Gjej rastin të falenderoj Qeverinë Zvicerane për mbështetjen financiare dhe Institutin Kombëtar Demokrat Amerikan për asistencën teknike për krijimin dhe funksionimin e Institutit. Struktura vendim-marrëse e Institutit, Këshilli Drejtues, i përbërë nga përfaqësues të gjitha grupeve parlamentare, është tashmë funksional dhe ka përcaktuar drejtimet kryesore të punës së Institutit Si një institucion që udhëhiqet nga parimet e objektivitetit, paanësisë, koherencës, besueshmërisë, dhe transparencës, Instituti, do të ofrojë analiza kërkimore dhe studime që do tí paraprijnë e shërbejnë procesit legjislativ, botime, informacione dhe referenca në shërbim të funksioneve të Kuvendit dhe deputetëve. Shërbimi i Edukimit Qytetar dhe Qendra e Vizitorëve, e cila po ngrihet si pjesë e Institutit, do të zbatojë programe për informimin dhe edukimin e qytetarëve mbi demokracinë dhe qeverisjen dhe do të nxisë e zgjerjojë pjesëmarrjen e qytetarëve, sidomos të rinisë, në veprimtarinë parlamentare.
Transparenca do të karakterizojë veprimtarinë parlamentare edhe gjatë këtij sesioni. Pas një procesi të gjatë të bashkëpunimit dhe konsultimit me median dhe shoqërinë civile, këtë sesion do të fillojmë zbatimin e standardeve të reja të transparencës sipas parimeve të Parlamentit të Hapur. Përfitoj gjithashtu nga rasti të falenderoj misionin e OSBE-së në Tiranë për bashkëpunimin me shërbimet e Kuvendit për rritjen e transparencës parlamentare. Teknologjia dhe mjetet alternative të komunikimit po kontribuojnë për të venë në dispozicion të publikut, në kohë, me përgjegjshmëri e cilësi të gjithë informacionin, mbështetur në të drejtën e publikut per informim. Gjithashtu, këtë sesion do të vihet në funksion të plotë faqja e re zyrtare ËEB e Kuvendit. Nëpërmjet përmirësimeve teknike të Platformës së Konsultimit Publik, Platformës Ndërinstitucionale dhe promovimit të sistemit e-parlament do të mundësojmë fuqizimin e funksionit mbikqyrës dhe do të lehtësojmë komunikimin e Kuvendit me institucionet e pavarura dhe qytetarët.
Gjatë sesionit të kaluar kemi pasur një bashkëpunim intensiv dhe produktiv me Kuvendin e Kosovës. Vetëm nga janari deri ne korrik janë realizuar gjithsej 13 vizita ose thene ndryshe dy vizata në muaj nga të dy palët, nga të cilat 6 të delegacioneve të Kuvendit të Kosovës në Tiranë dhe 7 vizita të delegacioneve të Kuvendit të Shqipërisë në Prishtinë. Këto shkëmbime vizita dhe organizimi i tryezave do të vazhdojë edhe gjatë këtij sesioni. Shumë shpejt do të nënshkruhet edhe Memorandumi i Mirëkuptimit midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës si dhe po punojmë për organizimin e mbledhjes së përbashkët të dy kuvendeve në muajin nëntor në kuadër të 110 vjetorit të pavarësisë.
Lajmi kryesor: