Shirat e ditëve të fundit kanë rritur ndjeshëm nivelin e ujit në lagunën e Karavastasë, duke nxitur një fenomen të rrallë natyror e përmbytur ishullin ku folezon Pelikani Kaçurrel. Bëhet fjalë për të vetmin vend ku kjo specie shumon në Shqipëri.

Drejtori i Administrata e Zonës së Mbrojtur Fier, Fotjon Prençe, tha për Agjensinë Telegrafike Shqiptare se situata ishte parashikuar dhe se masat ishin marrë që në janar. 

“Falë masave të marra në kohë nga stafi i Parkut, në bashkëpunim me OJF-të partnere dhe në kuadër të projektit RESCOM, u realizua ngritja e shtretërve të riprodhimit gjatë muajit janar. Si rezultat, procesi i folezimit të pelikanit kaçurrel po vijon i qetë dhe pa probleme, pavarësisht nivelit të lartë të ujit”, theksoi Prençe.

Laguna e Divjakë-Karavasta është një nga zonat më të rëndësishme për biodiversitetin në vend dhe një pikë kyçe për Pelikanin Kaçurrel.

Kjo specie e rrallë po shtohet edhe në zona të tjera si Narta, Kune-Vaini dhe liqeni i Shkodrës, por Karavastaja mbetet habitati kryesor i saj në Shqipëri. Kjo zonë përfaqëson një nga habitatet më të rëndësishme për ruajtjen e biodiversitetit në Shqipëri.

Pelikani Kaçurrel (Pelecanus crispus) është një nga shpendët më të veçantë të lagunave shqiptare dhe ndër më të kërkuarit nga vizitorët që merren me vëzhgimin e shpendëve.