Në asnjë vend të Bashkimit Europian, monarki apo republikë qoftë , parlamentare apo gjysëmpresidenciale, nuk ekziston papajtueshmëria juridike apo faktike midis mandatit të ministrit dhe atij të deputetit. Qëkurse ka lindur vota e lirë popullore, që zëvendësoi, apo evitoi revolucionet e përgjakshme, nuk gjendet në histori një qeveri demokratike që të jetë ndërtuar me parimin e mosqënies deputetë të ministrave të saj, apo ku deputetët duhet të dorëzojnë mandatin si kusht për të qenë pjesë e kabinetit qeveritar.

Diskutime ka patur e ka prapë. Diskutime amatoreske, demagogjike, populiste, periferike, sempliciste, nisur nga qëllime të mira, apo sa për t’u gjetur Kola në punë, siç thonë në Shkodër- nuk ka rëndësi. Rëndësi ka fakti se këto lloj diskutimesh kanë dalë me kohë nga moda, për të mos thënë se nuk kanë hyrë ndonjëherë tamam në axhendën e kërkimeve politike serioze. Arsyeja është e thjeshtë: idetë në fjalë bien ndesh me parimet madhore të përgjegjesisë dhe autoritetit në politikë, që janë parasëgjithash përgjegjesi dhe autoritet vote.

Ka ndodhur dhe ndodh që në momente krizash partitë krijojnë qeveri teknike, ku kryeministri dhe ministrat nuk janë deputetë. Këto janë qeveri kalimtare, me mandat të kufizuar, të pavotuara nga populli, që rëndom përmbushin një detyrë kryesore: përgatisin zgjedhjet, pra i japin mundësi publikut të veshë me përgjegjësi dhe autoritet vote përfaqësuesit e vet.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si Republikë tipike presidenciale kanë veçorinë se kryetari i qeverisë, që është Presidenti, votohet direkt nga populli, madje bashkë me zëvendësin e tij. Përballë këtij modeli të qartë të veshjes së drejtëpërdrejtë popullore me pushtet të kryetarit të qeverisë, modeli shqiptar i aleancave, kombinacioneve dhe cicmiceve në tryeza e kulisa nuk jep asnjë argument për të mbështetur idenë tashmë elektorale të Edi Ramës për të krijuar në rastin e një fitoreje eventuale të së majtës një qeveri ku ministrat nuk do të jenë deputetë.

Qëkurse zoti Rama e hodhi për herë të parë këtë ide, e konsiderova një shpikje shqiptare pa kuptim, produkt i atyre eglendisjeve mendore boshe, kur nuk gjen dot përgjigje të thjeshta për problemet e publikut dhe u qepesh “të mëdhave”; apo kur ke hallin si të ushqesh me iluzione ata që nuk do të jenë në listat e kandidatëve për deputetë, duke u dhënë mesazhin se do të jeni ministra dhe ata që do të jenë në zonën e rrezikshme të listave duke u dhënë mesazhin jeni të sigurtë pasi të parët e listave do të hyjnë në qeveri dhe vendin e tyre në Kuvend do ta zini ju.

Që Rama është i përligjur në manovrat e tij për të mbajtur sa më të bashkuar e të motivuar partinë e tij të përçarë , kjo s’do mend e kalem për t’u thënë. Që në mungesën tashmë totale të frymës dhe motiveve politike përbashkuese, ai është i detyruar t’u drejtohet premtimeve dhe pazareve për karrige e poste, edhe kjo dihet. Si është vendi bëhet kuvendi, thotë popullli. Por që në funksion të hallit të tij të përqafojë dhe propozojë pa u menduar dy herë një ide populiste në dukje dhe antidemokratike në thelb, kjo është shumë, kjo është ku rafsha mos u vrafsha.

Pa dashur të eksploroja në mendësinë e vjetër totalitariste ku ushqehen larva të tilla mendore si kjo e papajtueshmërisë së postit të ministrit me postin e deputetit, pasi realisht kam menduar se Rama e kishte përqafuar këtë ide si një amator dhe jo si një diktator, e kam kundërshtuar qëkurse autori e rrëfeu për herë të parë në rreth të ngushtë.

Sërish mendoj se kjo ide e merr shtytjen nga amatorizmi. Thënë këtë, nuk mund të mohoj se idetë kanë përmbajtjen dhe pasojën e tyre objektive, pavarësisht se kush i hedh dhe pse. Në këtë kontekst shqetësimi i shumë kolegëve analistë për shveshjen e ministrave eventualë të së majtës nga mandati i deputetit përligj rënien e kambaneve kundër mendësisë totalitare që përqafon dhe avancon ide të tilla. Aq më tepër kur Rama e ka zyrtarizuar elektoralisht propozimin e tij, duke marrë edhe firmën e Ilir Metës, i cili nuk e ka problem të firmosë çdo gjë që nuk është në kohën e vet për ta parë me një sy tjetër kur t’i vijë momenti.
 
Në një qeveri me katërmbëdhjetë ministra mund të këtë një, dy apo edhe tre ministra pa mandate deputeti, që kanë gjithsesi një angazhim, apo përkatësi politike të dallueshme, por vendosja e papajtueshmërisë deputet-ministër si kriter dhe kusht për të marrë pjesë në qeveri është një koncept antikushtetues. Deputeti nuk është i detyruar të lërë mandatin pa të bëhët ministër. Kjo do të thotë që në zbatimin konkret të idesë, ministrat të heqin dorë nga mandati vullnetarisht, me marrëveshje.

Asnjë deputet profesionit nuk do të jetë i prirur ta bëjë këtë. Sepse kjo do të thotë të dorëzosh me duart e tua fuqinë, dinjitetin, sigurinë dhe lirinë e votës. Në një rrafsh tjetër, kjo do të thotë të presësh në besë zgjedhesit e tu që të kanë votuar për të qenë deputet dhe ministër. Vetëm deputetët rishtarë, apo ata pa shumë përvojë do të pranonin kushtin. Rrjedhimisht, ose do të kemi një qeveri me ministra të improvizuar miqsh e shokësh, që nuk kanë kaluar fare në kudhrën e votës, ose do të do të kemi një qeveri të dobët, me ministra të trembur dhe të kastruar politikisht, që do të kenë fatin e keq të shtypen si sandiuç midis autoritarizmit të kryeministrit në një anë, që mund t’i flakë kur të dojë dhe parlamentit të ustallarëve në anën tjetër.

Kujt i duhet një qeveri e tillë? A mund ta dojë publiku shqiptar një qeveri të tillë? Nuk ka se si ta dojë sepse ajo nuk do të jetë qeveria e tij në thelb, por e një kryetari partie. Në parim populli në demokraci voton për të nxjerrë qeverinë që do ta drejtojë. Opozita që del është pasojë e ndarjes së votës, por publiku gjithmonë voton për të nxjerrë qeverisjen. Le të mendojmë tani sa shumë e thellon hendekun midis publikut dhe politikës në Shqipëri një qeveri pa mandate.

Shqipëria , kështu siç është, e ka problem madhor çështjen se për kë voton populli. Kemi një system elektoral proporcional që i fsheh deputetët në autobusat e partive, pra zhduk kontaktin e zgjedhësve me deputetët. Populli shqiptar nuk voton drejtpërsëdrejti as për Presidentin, as për kryeministrin. Këta zgjidhen me votë të deleguar. Në vend që të zbusë gjendjen e rëndë në këtë fushë, propozimi i ri i Ramës e thellon të keqen.

Me qeverinë pa mandate, publikut i hiqet përfaqësimi edhe nga qeveria. Bëhet me delegim edhe qeveria. Përgjegjësia e votës si parim i qeverisjes vritet që në embrion. Mendësia totalitare kërkon të legjitimohet me votë. Mirë që e kanë shpallur në fushatë çfarë kanë në mendje. Publiku ka mundësi të gjykojë me qetësi për çfarë atentati bëhët fjalë. Dhe të shprehet me votë për të.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 03.05.2013

Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)