Kuvendi i ri filloi punën. Gratë e burrat për të cilët shqiptarët votuan pa mëdyshje sapo u pagëzuan, duke marrë kësisoj në dorë kyçet e një shteti të shkatërruar, vjedhur, kriminalizuar, pocaqisur, egërsuar, çoroditur e sabotuar në indin e vet, në mendësinë e shëndetin fizik. Puna që i pret përfaqësuesit e kësaj vote është një mal thikë përpjetë, një punë kolosale, një mision afër të pamundurës. Ndaj meritojnë para së gjithash mbështetje e besim, shoqëruar me pritshmërinë që të sillen me një seriozitet të patundshëm kundrejt angazhimit që morën.
Dialektika që shoqëron çdo kthesë në qeverisjen e një vendi duhet të funksionojë dykahësh: të mbështetet qeveria e sapoformuar (ndryshe vullneti për ndryshim do të sabotonte vetveten pa nisur ende procesin ndryshues) dhe të ushtrohet, paralelisht e vazhdueshëm një vëmendje e madhe ndaj punës së saj, një vështrim qëmtues i qytetarit, individit që i besoi detyrën e ndryshimit.
Me marrjen e pushtetit nis puna e mirëfilltë, jo vetëm për parlamentin e qeverinë, por gjithashtu për popullin, i cili këtë radhë, nëse kërkon një qeverisje ndryshe, një shtet ndryshe e një të ardhme të shëndoshë, duhet të qëndrojë aktivisht i vëmendshëm, pjesmarrës në vendimet që merren në emër të tij e mënyrën si realizohen ato.
Rëndom është harruar se një shtet demokratik është një punë e madhe e përbashkët. Pas dhënies së votës përgjegjësia qytetare nuk ndalet në pritjen që mrekullia vetë të bjerë në pëqì nga udhëheqësit e radhës. Këtë herë së paku iluzioni i mrekullisë së afërt nuk duhet të ekzistojë si mendësi.
Brinjët e zbuluara të shoqërisë e të shtetit janë nën sytë e cilitdo që ka dëshirë të shohë. Me një Shqipëri të vjedhur mbi tokë e nën tokë, të thithur deri në palcë, të shitur për llogari të një klani familjar/pushtetor që konsideroi truallin e shqiptarëve çiflik të vetin, me një Shqipëri thellësisht të korruptuar, iluzioni në mrekullinë e shpejtë do të ishte naiv e i dëmshëm.
Qeverinë e pret një punë koklavitur, e kjo imponon një përkushtim e rigorozitet absolut. Populli nga ana e tij do të ketë një punë të vazhdueshme për të qëndruar aktiv e pjesmarrës në çdo hallkë të procesit të mëkëmbjes.
Opozitës së re i duhet të rindërtojë seriozisht veten e principet mbi të cilat qe ngritur e që ndërkohë humbi udhës.
Të gjitha palët bashkë duhet të kenë për detyrë të shenjtë punën në dobi të Shqipërisë e jo të qerres personale. Është një proces ambicioz, por i vetmi i përshkueshëm, e kërkon një sens të thellë të përgjegjësie kolektive; një ndarje serioze të rolit të secilit aktor në jetën e vendit; të ngulitjes në ndërgjegjen e çdo shqiptari se kjo udhë e re, nëse dëshiron të ndryshojë të shkuarën, duhet të jetë një punë kolektive e gjithanëshme. Jemi si popull vërtet gati ta bëjmë tonin konceptin e kolektivitetit, të gjësë tonë në vend të gjësë time?
Politika e qerres u pa. Mendësia e klanit, ortakut, ryshfetit, vrasjes, krimit shumëfytyrësh, allishverishit, trafikimit, dërrmimit e betonizimit të ambientit, zhdukjes fizike të kundërshtarit, perçudnimit të arsimimit publik, e lista mbetet e gjatë ende, ishin përzjerja katastrofike, “furtuna e përsosur” që rrezikoi të përmbysë përfundimisht anijen e brishtë të demokracisë shqiptare. Vendi u ndal një çast para se të ishte tepër vonë. Arsyeja fitoi mbi apatinë, frikën e ndjenjën e pafuqisë.
Parlamentaret e ministrat e rinj të sapohyrë në detyrë janë një ndryshim cilësor i padiskutueshëm, një ndjesi pozitive që ngjall shpresë krahasuar me podiumin qeverisës të sapoikur. Përpos kazmës që iu vu shtetit të së drejtës e sensit të pronës së përbashkët, tetë vitet e shkuara kanë qënë një demostrim i muskujve brutalë, metaforikë e konkretë, në dëm të klimës e edukatës së mirëfilltë të kombit, gjë që shfytyroi deri në dëshpërim vlerat njerëzore në një krizë gjithëpërfshirëse.
Dinjiteti njerëzor si e drejtë absolute u kthye në një kartë xholi të një demagogjie që askush nuk besonte më.
Vështirë të harrohet fyerja, shpifja e përbaltja publike e kundërshtarit si sport institucional nga e njëjta sallë parlamenti, traditë kjo që kryeministri Berisha nuk mungoi të vijojë me zell deri në dekikën kur, me keqardhje, u shtrëngua të linte edhe Facebook-un si kryeministër në detyrë, pa kuptuar hiçgjë nga ajo që i ndodhi përreth atij vetë e Partisë Demokratike; ish kryetari i demokratëve iku duke sharë deri në minutën e fundit. Nuk nxuri, nuk u rrek të analizonte, e kurrë nuk do të kuptojë dot domosdoshmërinë e dy vogëlimave të domosdoshme të një shtetit modern: domethënien e demokracisë dhe sensin e Res Publica, gjësë publike, çështjes publike..
E rëndësishme tani e tutje është se si do të sillet vetë populli shqiptar ndaj së mirës së përbashkët; se ç'rëndësi do t'i jepet konceptit të kolektivitetit, të detyrës vetjake ndaj korrupsionit, ndaj territorit tonë që i biem me top sikur të ishte malli i hasmit. Pa një kuptim të gjithanshëm të kësaj ndërthurjeje komplekse mes punës se një qeverie e shtetasve të saj, shpresat për reforma serioze do të mbeteshin kallpe.
Është po, detyrë e qeverisë Rama të realizojë pritshmëritë e shqiptarëve mbi korrupsionin, krimin e institucionalizuar, e ngritjen e një ekonomie e të një shteti të mirëfilltë modern. Por është gjithashtu edhe detyrë e çdo shqiptari të mos etiketojë korrupsionin si qyrkun-faj përjetësisht mbi supet e një klase politike të pandershme, e te mjaftohet me kaq. Sa herë që dikush zgjat një bakshish nën dorë kur ka një hall shëndetsor ndih korrupsionin e fëlliqjen e sistemit; kultura e “kështu bëjnë të gjithë” e në këtë vend “s'bëhet ndryshe” dërrmoi shëndetin e shoqërisë, baltosi idenë tonë të shtetit, minoi cilësinë e arsimimit publik, sakatoi bukurinë e një toke të bekuar për nga klima e potenciali i vet natyror, ktheu tokën e shqiptarëve në një kosh plehrash në qiell të hapur.
Këto janë bëma e përgjegjësi të padiskutueshme të keqqeverisjes kostante të vendit, por edhe janë gjithashtu edhe gishti individual që shqiptarët vetë kanë në kusuret e Shqipërisë e në konceptin e tyre se ajo që është atje tutje nuk është jona, se fjala bie, ai bishti i cigares hedhur shperfillshëm plazheve, sokakeve, udhëve është thjesht një bisht cigareje a një shishe plastike e jo një efekt domino shkatërrues i një mendësie anarkike kolektive.
Ajo që pritet e kërkohet nga qeveria e re, është me të drejtë shumë. Ajo që shqiptarët këtë radhë nuk duhet të mënojnë të kuptojnë është se puna fillon vetëm tani. E është një punë kolektive.
Shkrimi u publikua sot(12.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com(print)
(v.gj/shqiptarja.com)
/Shqiptarja.com