Do të doja të mendoja se ky do të ishte një vit i bukur. 2013-a për shqiptarët nuk hyri aq magjishëm sesa e kishim imagjinuar. Zbukurimet i pamë gjithandej, por për të pasur të bukur jetën tonë për këtë vit, do të duhemi të bëjmë më shumë. Lodhem teksa mendoj se ky vit do të jetë vit i sfidave të mëdha dhe të vështira.

Lodhem teksa mendoj se bisedat në tryezat tona të përditshme, vërviten sa nga Berisha, aq te Rama, sa te Bamir Topi, aq te Kreshnik Spahiu. Lodhem tek e mendoj se sfidat i kemi prezent, por nuk i marrim seriozisht, se duhet të përpiqemi pa fund për të filluar vitin me një përmbledhje vrasjesh që ditën e parë, dhe me vjedhje çantash ditën e tretë. Në fund të fundit, këto janë lajme që na lodhin, por janë krejt në miniaturë përballë asaj që do të duhet të përballojmë këtë vit.

Dhe mendoj, se kemi dy sfida të rëndësishme: zgjedhjet dhe ekonominë. Viti 2013, do të jetë viti ku shqiptarët do të drejtohen tek kutitë e votimit për të dhënë verdiktin e tyre nëse do të duan të vazhdojnë këtë qeverisje që kemi, të një partie të djathtë me program të majtë, apo do të duhet të ndryshojmë qeverisjen, në një parti të majtë, me program me elemente të djathtë e kërkesë për aleanca të djathta. Askush nuk e bën analizën se çfarë do të ndryshojë në thelb në jetën e çdo shqiptari. Jemi të prirur të analizojmë personazhet, duke harruar platformat. Nuk është vetëm faji ynë. Në përgjithësi, stafet e partive politike, nuk u japin vend programeve po aq sa individët. Po hyjmë në vitin e 23 të demokracisë në vend, dhe e konsiderojmë individin më të rëndësishëm se alternativën. Por ja ku jemi. Do të votojmë. Dhe nga vota jonë varet fati i Shqipërisë sonë të përbashkët. Do të dimë të bëjmë zgjedhje të lira e të ndershme, a do të kemi të ngulitur në mendje idenë se këtu nuk ka rëndësi se kush voton, porse kush numëron. Viti i sfidës së zgjedhjeve hyri ethshëm pikërisht me vendimin e fundit të kolegjit zgjedhor, një kolegj që nuk para ndahet në të majtë e të djathtë, por me një kolegj që na tregoi dhëmbët sesa keq do të nisim këtë vit. A duhet të ndodhte kështu?
Por nuk është vetëm kjo. Sfida jonë më e vështirë do të jetë ekonomia. Që në festat e fundvitit u ndje mungesa e parave, mungesa e kartolinave, dhuratave, njerëz me dëshirën e vullnetin të kenë tryezat plot, por që u ndodhi (jo rastësisht) që të jenë bosh. Vështirë tia dalim në këto kohëra krizash, kur BE po vuan rëndë nga papunësia dhe mungesa e zhvillimit ekonomik. Ekranet e televizioneve na krijojnë një perceptim ndryshe nga realiteti, aty ku përplasen platformat politike, e ku njëra palë thotë sesa të pasur e të bollshëm jemi, e aty ku pala tjetër na tregon sesa varfërohen përditë shqiptarët. E duke e ndjerë se krizën e kemi brenda nesh e nuk e kemi kuptuar, fillojmë të bëhemi më ekonomiqarë, për të shpresuar se e nesërmja do të jetë më e mirë.

Ky është viti i sfidave të mëdha, dhe do të na duhet ta përballojmë këtë vit të parë pas 100 vjetorit të pavarësisë me shumë maturi. E rëndësishme është të mendojmë drejt, dhe të bëhemi të gjithë pjesë e vendimmarrjes së politikave ku duhet ta orientojmë vendin tonë. Mbi të gjitha, ajo është vetëm një: a do të sillemi si një vend evropian, për të qenë të denjë të vazhdojmë me këmbëngulje rrugëtimin tonë drejt Evropës, aty ku gjithkush do të jetë një qytetar evropian.


Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com

(sg/shqiptarja.com)