Njazi Jaho: Antikushtes ndarja
e mandateve nga Kuvendi

Njazi Jaho: Antikushtes ndarja<br />e mandateve nga Kuvendi
TIRANE - Konstitucionalisti Njazi Jaho në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” thotë se ligji nuk parasheh që të bëhen zgjedhje me ndarjen e zonave zgjedhore dhe mandatet e mëparshme, në rastin konkret me atë të 2009. Ndaj cilësohet si antikushtetues vendimi i Kuvendit që lë në fuqi ndarjen e 2009 të mandateve. Ai thotë se një gjë të tillë ndodh vetëm në rast zgjedhjesh të parakohëshme.

Kuvendi ka vendosur që numri i mandateve për çdo zonë zgjedhore në zgjedhjet e 23 qershorit 2013 të mbetet po ai i zgjedhjeve të 2009. Në aspektin ligjor, e cilësoni të bazuar këtë vendim?
Para se t’i përgjigjem pyetjes, e shikoj të nevojshme të përmend se, lidhur me caktimin e mandateve përt çdo zonë zgjedhore janë shprehur publikisht fill pasi KQZ nuk arriti kuorumin e nevojshëm për miratimin e kësaj ndarjeje, që pasoi kërkesën e administratës së KQZ drejtuar Kuvendit. Jam shprehur pikërisht më datën 18 janar 2013.

Në atë kohë mendoja se Kuvendi s’duhej të angazhohej me shqyrtimin e kësaj çështjeje, sepse KQZ kishte mundësi dhe kohë për t’ju rikthyer këtij diskutimi dhe të arrinte konsensusin e nevojshëm(kam parasysh se “vendimi” me 4 vota pro nuk duhet i miratuar. Kjo thuhet shprehimisht në ligj. Në këtë vështrim nuk kishte asnjë dispozitë ligjore që të ndalonte KQZ t’i rikthehej shqetësimit të çështjes së mësipërme.

Fakti është se Kuvendi vendosi...?
Po. Ky është fakt, megjithëse të them të drejtën nuk di si është argumentuar që caktimi i numrit të mandateve për çdo zonë zgjedhore të ngelej po ai që ishte miratuar në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Kam mendimin se vendimi i Kuvendit nuk ështe as i ligjshëm dhe as i bazuar, sepse sipas nenit 76, pika 3 të Kodit Zgjedhor “numri i mandateve për çdo zonë zgjedhore nuk rishikohet në rast të zgjedhjeve të parakohëshme”.

Dispozita e mësipërme është e qartë dhe e prerë, që do të thotë se numri i mandateve duhet të rishikohet kur ka zgjedhje të zakonshme(jo të parakohëshme). Neni 76, pika 3 nuk lë shteg për interpretime. Veç kësaj në Kodin Zgjedhor, nuk ka ndonjë nen ku të thuhet se në rastet kur KQZ-ja nuk arrin të miratojë caktimin e numrit të mandateve për çdo zonë zgjedhore, Kuvendi mund të vendosë lënien në fuqi të numrit të mandateve të caktuara në zgjedhjet e zakonshme të mëparshme.

Po në rastin më të keq, ndoshta të jashtëzakonshëm, KQZ nuk do të arrinte deri në fund të miratonte vendimin për caktimin e zonave, sipas jush si duhej të vepronte Kuvendi?
Në këtë rast mendoj se kompetent për çbllokimin e gjendjes së krijuar duhet të ishte Kuvendi, por jo duke miratuar numrin e caktimit të mandateve që u zbatuan në vitin 2009, por duke e shqyrtuar çështjen në themel d.m.th në mbështetje të materiale dhe të dhënave që Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes civile i kishte dërguar Kuvendit dhe në zbatim të kritereve ligjore të parashikuara në nenin 75 të Kodit Zgjedhor. Në fund të fundit dhe vendimi që mund të merrte KQZ për këtë çështje do ishte propozim për Kuvendin sepse përfundimisht ishte Kuvendi që do të vendoste.

PS i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese kundër vendimit të mësipërm të Kuvendit, se e konsideron atë antikushtetuese. Çfarë mendoni për këtë?
Sipas nenit 134 pika 1 gërma “f” të Kushtetutës, partitë politike kanë të drejtë të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese për çështje që lidhen me interesat e tyre në radhë. Ka raste që jo më pak se një e pesta e deputetëve mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

S’jam në dijeni të përmbajtjes së kërkesës drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Megjithëkëtë, kam mendimin se çështja e caktimit të numrit të mandateve për çdo zonë zgjidhore ka të bëjë me barazinë e votës. Në këtë vështrim mendoj se vendimi i Kuvendit bie ndesh jo vetëm me nenent 75 dhe 76 të Kodit Zgjedhor por cënon parimet kushtetuese për një proces të rregull ligjor dhe barazinë e votës(neni 42, pika 1 dhe neni 45 pika 3 e Kushteutës).

Ai bie ndesh gjithashtu dhe me pikën 3 të nenit 1 të Kushtetutës ku thuhet se “qeveria bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta, të përgjithshme dhe periodike”. Në kodin e Praktikës së mirë, në çeshtjet zgjedhore miratuar në vitin 2002 nga Komisioni i Venecias, midis të tjerave theksohet se “Parimet që duhen respektuar në të gjitha rastet janë të barazia në votën numerike, barazia përsa i përket fuqisë elektorale dhe mundësive të barabarta(botim shqip fq.17). Lidhur me këtë çështje është shprehur qartë dhe Kushtetuesja (shih vendimet e saj, nr.1 datë 7.01.2005 e nr.32 datë 21.06.2010).

Ka mendime se PS apo grupi i saj parlamentar, për të kundërshtuar vendimin e Kuvendit duhej ti drejtohej Gjykatës së zakonshme dhe jo gjykatës Kushtetuese. Mendimi juaj?

Megjithëse nuk jamë në dijeni të këtyre mendimeve dhe si pasojë dhe të argumenteve që janë paraqitur në këtë drejtim, jam i mendimit se një problem i tillë nuk është në juridiksionin as të Kolegjit Zgjedhor të Gjykatës së Apelit(që është folur më parë) dhe as të gjykatave të tjera të zakonshme.

Lidhur me këtë çështje çfarë qëndrimi mund të mbahet nga Gjykata Kushtetuese?

Aspekti ligjor i trajtimit të çështjes nuk lejon supozime apo paragjykime se çfarë qëndrimi mund të mbajë Gjykata Kushtetuese. Ajo i nënshtrohet vetëm Kushtetutës dhe kur është rasti bën interpretimin përfundimtar të saj.

ÇLIRIM GJATA:
“Mandatet, Kushtetueaja shqyrton Ndarjen pasi flet gjykata e ulët”

Ish-kreu i KQZ-së, Çlirim Gjata, deklaroi se bazuar në nenin 131 të Kushtetutës, Gjykata nuk mund ta marrë në shqyrtim këtë ankesë të PS-së. “E vetmja pikë ku parashikohet ndarja e mandateve nga Parlamenti është në Kodi. Atëherë duke qenë një çështje thjesht zgjedhore, a duhet t’i drejtohet Kolegjit?

Po të marrim nenin 131 të Kushtetutës, në asnjë nga gërmat e këtij neni, po ta marrim si objekt kushtetues padie, s’bën pjesë kjo lloj padie kundër këtij vendimi të Parlamentit sepse parashikohet në Kodin Zgjedhor për punë tjetër.

I vetmi moment është gërma F, ku thotë: Gjykimi përfundimtar të ankesave të individëve për shkeljet e drejtave të tyre kushtetuese për një proces të rregullt ligjorë, pasi të jenë shterur të gjitha mjetet juridike për mbrojtjen e këtyre të drejtave”, u shpreh Gjata për mediat kohë më parë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print)26.02.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

Real Sociedad rikthehet te fitorja, mund 2-0 Las Palmasin dhe 'blindon' Evropën

Real Sociedad rikthehet te fitorja, mund 2-0 Las Palmasin dhe 'blindon' Evropën