Një ditë pas vrasjes gjatë një atentati të ish-kryeministrit japonez Shinzo Abe, shumë njerëz të përlotur shkuan në vendin e ngjarjes në Japoninë perëndimore për t’i bërë homazhe me lutje e lule.
Qytetarë të ndryshëm formuan një radhë të gjatë të shtunën në rrugën e qytetit Nara ku Abe u qëllua.
Në kohën e sulmit ku u qëllua me dy plumba, Abe, 67 vjeç, po mbante një fjalim për zgjedhjet.
Reshjet e shiut nuk i penguan turmat që shkuan për të shprehur ngushëllimet, ku disa kishin udhëtuar distanca të mëdha, si 51-vjeçari Yoshikazu Tokudome, i cili fluturoi qindra kilometra nga rajoni i Tokios në qytetin e Nara.
"Unë kam vetëm dhimbje dhe mendova se më e pakta që mund të bëja ishte të vija këtu dhe të vendosja disa lule", tha ai për AFP-në.
Kur dëgjoi për vdekjen e Abe-s, kryeministrit më jetëgjatë të Japonisë, ai tha se "unë mund të kuptoja se çfarë thuhej në lajme, por thjesht nuk mund ta pranoja".
Vizitorët si Tokudome u përkulën thellë me sytë mbyllur, disa duke qarë ndërsa vendosnin lule në një tavolinë në një tendë të ngritur pranë stacionit Yamato-Saidaiji, posaçërisht për rastin.
"Është thjesht tronditëse dhe jam shumë e trishtuar. Ndihesha shumë e shqetësuar në shtëpi," tha Sumiko Hayashi, 50 vjeç.
“Më ka pëlqyer shumë ai si person”, tha ajo, veçanërisht “mënyra se si dukej kaq i lumtur me gruan e tij”.
Abe u detyrua të jepte dorëheqjen nga detyra në vitin 2020 për shkak të shëndetit të dobët.
Shishe birre dhe pije të tjera u vendosën gjithashtu në tavolinë që politikani t'i shijonte në jetën e përtejme, si pjesë e traditës në Japoni.
Duke fshirë lotët, 52-vjeçarja Kayoko Ueda, nga rajoni fqinj i Osakës, i tha AFP-së se ishte "e shqetësuar" dhe se nuk mund të besonte se diçka e tillë mund të ndodhte në Japoni.
Vrasja ka ndezur dyshimin nëse masat e sigurisë në fjalimin e Abes ishin të mjaftueshme.
Lajmi kryesor: