Një histori e patreguar me Sokol Olldashin

Një histori e patreguar me Sokol Olldashin

Sokol Olldashi

Messhkurti 2018. E shtunë.

Sipas zakonit, por pa Ezmerkën, shtyva portën e “Çokolatinit”. Pas meje hyri Henri Çili.
‒ Qenkemi të parët. E pimë kafenë bashkë?
Në pritje të kamerierit, hapa çantën. Nxora librat: “Unë, politikani i dështuar” dhe “Përsëri me Filipin”. U hodhi një sy diagonal. I la mbi tavolinë, duke më thënë:
‒ Gazetarët që kanë shkruar në dy sisteme janë “krasitur” rëndë. Pse nuk bën një libër? Ndajmë rolet. Ti ta shkruash, unë ta botoj.
Ky ishte sebepi, “muza”, de… Por unë nuk kam durim të gatuaj një libër. Më shumë më pëlqen të qep e shqep artikuj të botuar … duke shtuar esse fringo …

Mitro Cela

***

Viti 1992.

U “pagëzova” ekonomist. Më emëruan në Ministrinë e Financave. Ajo më dërgoi në Krujë. Nuk qe e thënë. Përfundova gazetar. Fat? Jo. Në epokën e Enverit fati nuk ekzistonte për individin. “Fatin” e gatuante nëna parti. “Fatin” tim e gatoi Sokol Olldashi, ende me pelena. E vlen ta tregojmë. Darkën e Vitit të Ri 1972 u mblodhëm në shtëpinë e vëllait, doktor Polikronit. Ra telefoni:

– Alo! Polo … Jam Dashnor Mamaqi. Jam bërë me nip. Është ftohur shejtani i vogël, edhe pse vetëm dy muajsh … Po të dërgoj makinën. Do të jem edhe unë në shtëpi … Një rrugë e dy punë. Vizito djalin dhe pimë nga një gotë “thanuqe”, siç i thoni ju rakisë në Mbrezhan.

Pas dy orësh Polikroni u kthye. Buza vesh më vesh. Pse, vallë?!

– Dashnor Mamaqi është kryeredaktor i gazetës “Zëri i Popullit”. Është përmetar. I vizitova djalin e vajzës, të Kozetës. Të voglin e quajnë Sokol Olldashi … I tregova se Mitroja jeton me mamanë. Kemi edhe një vëlla dhe një motër që jetojnë bashkë. “Dua që Mitroja të punojë në Tiranë … i thashë. Më tha: “Do ta marrim Mitron në gazetë. Është me fat, se është emëruar në Ministrinë e Financave. Ministër është Sali Verdha. Kemi qenë në një brigadë. Ai komandat. Unë komisar. Nuk do të ma prishë”.

Një javë më vonë Dashnor Mamaqi i dha “sihariqin” vëllait. Shkova në gazetë … Nëpër shkallë takova Fatmir Kumbaron. Ishte gazetar i ri.

– Urime! – më tha. – Do të bëhesh gazetar. Je me fat o, mikun e ke me nishane.

– As kam shkruar, as kam ëndërruar, e as kam penë për gazetar.

– Edhe djalli nuk është aq i zi sa thonë!

Fatmiri kishte të drejtë. Miku im, Sokol Olldashi, ishte edhe me pelena edhe me “bole” të mëdha. Dhe … paradoks! Unë jo vetëm që u bëra gazetar, por kam 46 vjet që nuk e “lëshoj penën nga dora”.

Po Sokol Olldashi? Nuk pata fat ta takoja. Në vitin 1975 Dashnor Mamaqi përfundoi në burg … Familja u shpërbë dhe u shpërnda …

***

Mars 1991.

Punoja në gazetën “RD”. Ra dera. Në zyrë hyri një djalë i ri.

– Kam bërë ca vjersha!

– Nuk botojmë vjersha … Po e hapëm lojën, do të na mbysin. Gjysma e shqiptarëve janë poetë të lindur. Si të quajnë?!

– Sokol Olldashi.

– Hajde dynja, hajde! Kur ishe me pelena “ndërhyre” te gjyshi të bëhesha gazetar. Pas 20 vjetësh po të laj borxhin: Po të botoj disa vjersha …

Në vitin 1999 shkrova një cikël artikujsh me titull “Kronikë e një politikani të dështuar”. I botova në gazetën “Albania”. Sokoli ishte zëvendëskryeredaktor. Ishte i pari që “firmoste” për botim. Kur përfundonte një artikull më thoshte: “Shumë borxhe më ke, Mitro Xhani! Nuk lahen me tre strofa që më botove tek ‘RD’‒ja”.

Kam edhe një episod që ia vlen të tregohet. Në dosjen (23) të botuar më 30 korrik 1999, këmbët i kisha nxjerrë jashtë jorganit! Në darkë, ra telefoni:

– Alo! Mitro?! Jam Sokol Olldashi. Artikulli është tepër i gjatë. Duhet shkurtuar! Ku duhet ta vëmë gërshërën?

– Nuk ka gërshërë për kronikat e mia! Unë e kam deklaruar! Artikujt me firmën time janë si diskutimet e shokut Enver: Nuk shkurtohen! Natën e mirë!

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Dosja 5D, SPAK mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë, kompania gjatë 2016-2022 fitoi 12 tendera dhe përfitoi rreth 2 mlionë euro

Dosja 5D, SPAK mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë, kompania gjatë 2016-2022 fitoi 12 tendera dhe përfitoi rreth 2 mlionë euro