Një kafe e thjeshtë në ditëlindjen e
një artisti të madh si  Mehdi Malkaj

Një kafe e thjeshtë në ditëlindjen e<br />një artisti të madh si  Mehdi Malkaj
Dje pimë një kafe me aktorin Mehdi Malkaj, të cilin e kam njohur qysh kur ka qenë student në Akademinë e Arteve, në degën e dramës dhe e kam ndjekur shpesh në shfaqjet teatrore dhe në disa filma ku ai ka interpretuar, duke shfaqur talentin e tij të rrallë për role karakteresh dhe kryesisht të tipave tragjikomikë, por nga afër nuk ishim parë qëkur.

Disa javë më parë, kur ai dha për të disatën herë monodramën “Marr guximin” u pamë në mbarim të shfaqjes dhe, bashkë me time shoqe, Leonorën, ish-mësuese e letërsisë në Gjimnazin “Ismail Qemali”, formuluam përgëzimet për interpretimin mjeshtëror të tij në atë shfaqje.

Monodrama “Marr guximin” është një klithmë zemërimi e padurimi të mbarë një populli e vendi ndaj situatës së pamirë politike dhe ekonomiko-shoqërore ku jemi katandisur nga ata që kanë në dorë pushtetin në vitet e këtij tranzicioni të tejzgjatur e mesa duket të pafund. 

“Marr guximin” do të thotë se një njeri i thjeshtë e i zakonshëm “merr guximin” për të sjellë zërin e brendshëm të çdo njeriu, merr guximin të vijë ndryshe, me një gjuhë të thjeshtë, të “kripur” me frazeologjizma popullore dhe me lojëra fjalësh shumë të qëlluara, ndonjëherë edhe me fjalëkrijime origjinale, si p.sh. interpordhacar, vërëhapës etj. Mehdi Malkaj,  me monologun e tij tregon për të gjithë se çfarë do të thotë  të jetosh në një vend paradoksesh.

Një personazh anonim, i cili ngrihet për të ndezur një llambë, që fiket pak para shfaqjes, e sheh veten për herë të parë në skenë. Po për çfarë tjetër e merr guximin Artisti i merituar. Këtë ai edhe e thotë vetë shumë qartë që të vë në mendime të thella:

"Marr guximin të them gjëra që i themi të gjithë, dhe me njëri-tjetrin, po nuk i themi dot hapur.”
“Marr guximin” nuk flet për një periudhë kohe të caktuar. Ajo monodramë flet për të shkuarën, për të tanishmen dhe, me trishtim të ligjshëm, na paralajmëron se ka rrezik që e tillë të jetë edhe e ardhshmja.

Vepra ka si qëllim të analizojë marrëdhëniet e njeriut me veten e tij dhe me ata që e rrethojnë. Ky personazh jep një mesazh për gjithsecilin, pohon me thjeshtësi e çiltërsi, por edhe me nëntekst therës  që të mbetet në mendje si peng shqetësues.

Shikuesit qeshin, por e qeshura nuk është thjesht punë humori, është një e qeshur me të ngjeshur, një  e qeshur  e këndshme, por edhe  e hidhur, ashtu si ilaçet që sa më të hidhura, aq më të efektshme janë.

Ma ka ënda t’i bëj një portretizim këtij aktori, sa madhështor e meritor, aq edhe heshtak e modest, më saktë i përmbajtur dhe fjalëpakët, sidomos kur i kërkohet të rrëfejë për veten e tij.
E kishim lënë të takoheshim për një kafe, u takuam te bar “Corner”, afër Universitetit të Arteve  dhe vetë mjedisi na bëri të kujtojmë “monë e shkuar”, por nuk e dija se ai pikërisht sot kishte ditëlindjen: ka lindur  pikërisht më 20 mars 1952 në Dragot të Tepelenës, ku ka kryer shkollimin nistor dhe, për arsye ekonomike, qysh në moshën 15-vjeçare, në vend që të ndiqte studime më lart, i është dashur t’i shtrohet  punës dhe do të vinte në shkollën e lartë në moshën 28-vjeçare.

Mehdi Malkaj tashmë 63-vjeçar, ndonëse ka një përvojë të gjatë suksesesh e rolesh të interpretuara me mjeshtëri e duke merituar edhe vlerësimet shumë të larta të kritikës dhe adhurimin e shikuesve e të teleshikuesve të shumtë, kur kujton vitet e shkollës së lartë në Institutin e Lartë të Arteve, kthehet në thjeshtësinë e çiltërsinë e moshës djaloshare,  tregon se si u paraqit në konkursin për  t’u pranuar në shkollën e aktorëve dhe shansin e çuditshëm të fitores së tij.

Ishte i papërgatitur dhe kishte repertor të ngushtë ku të mbështetej, por ai ua di për nder ish-anëtarëve të jurisë, aktorëve Luftar Pajo, Demir Hyskja dhe Birçe Hasko, të cilët, përtej mungesës së përgatitjes paraprake për konkurrim, panë te Mehdi Malkaj dhuntinë e lindur për t’u bërë aktor dhe, ndonëse shumica e anëtarëve kishin qenë kundër, me këmbënguljen e tyre Mehdiu u pranua dhe ndoqi studimet e larta në degën e artit dramatik.

Gjatë bisedës ai përmend edhe mësimdhënësit në Universitetin e Arteve, duke cituar  me adhurim e përmallim porositë e vyera të disa prej tyre, të cilat i kanë shërbyer si udhërrëfyese gjatë shkollimit dhe në jetën e tij si artist. Citon, ndër të tjerë, Adriatik Kallullin, i cili, duke parë se Mehdiu kishte mungesë formimi letrar, por ishte i talentuar dhe  kishte zell e dëshirë për t’u formuar si aktor e si njeri i artit, i kishte thënë: “Do të lexosh çdo ditë 50 faqe letërsi artistike!”

Dhe, me përmallim, Mehdiu shton: “Pesëdhjetë më tha ai, por njëqind e pesëdhjetë do t’i bëja unë” dhe, pa asnjë pozë mburrjeje, më thotë se, edhe tani që është aktor i njohur e në moshë, lexon çdo ditë, lexon me ëndje e me përkushtim. Dhe, në fakt, duke biseduar me Mehdi Malkajn e sheh se ai është jo vetëm një artist e mjeshtër i skenës, po edhe dijetar e njeri shumë i lexuar.

 Mehdi Malkaj është tashmë i mirënjohur si aktor dhe kulmet e interpretimit të tij kanë qenë, pa dyshim, së pari, roli i Xha Brahos në filmin televiziv “Gjuetia e fundit” me regji të Koço Devoles. Prej atij roli, atij do t’i mbetej edhe pseudonimi Xha Braho, si nofkë artistike, dhe njerëzit, në autobus, në mjedise të ndryshme, e thërrisnin Xha Braho, sepse nuk ia dinin emrin.  Një interpretim tjetër, që mund të quhet pa ngurrim i madhërishëm,është ai i monodramës “Marr guximin”, sipas tekstit të shkruar nga Vangjel Kozma.

Mehdi Malkaj, ashtu si edhe shumë prej artistëve të shquar të skenës shqiptare, është i thjeshtë e modest, por i vërtetë dhe në zemrën e në mendjen e tij ziejnë shqetësimet për të lënë gjurmë, për t’i realizuar ëndrrat e tij. Lidhur me këtë ai, duke cituar njërin nga ish-pedagogët e tij në Universitetin e Arteve, regjisorin Kadri Metohu, thotë: “Mosrealizimi i ëndrrave është më i keq se vdekja.”

 Dhe, kështu, gjatë bisedës sonë fjala nxjerr fjalën dhe, natyrisht, nuk mund të mos flisnim gjatë edhe për gjuhën, për kulturën e gjuhës në skenë dhe në ekran, për  të metat e shtrembërimet e pafalshme të gjuhës së medieve të shkruara e të folura dhe, mbi të gjitha,për pakujdesinë e shtetit, të zyrave dhe institucioneve publike ndaj gjuhës shqipe.

Flet e psherëtin për plojën e pamirë që po i bëhet shqipes sot deri në Kuvendin e Shqipërisë dhe nuk më lë shteg të flas unë, sepse ai i prek të gjitha shqetësimet si më i miri gjuhëtar, sepse ai e do gjuhën, ia di gurrat pasurimit e pastrimit të saj, prandaj edhe shfryn me mëri e mllef të ligjshëm ndaj atyre që e nëpërkëmbin shqipen e nuk i vlerësojnë hiret e saj.

Pse  u dashka thënë “alarm falc” kur shqip thuhet e kuptohet më mirë “alarm i rremë”; pse t’i titullojmë të gjitha rubrikat televizive me fjalë të huaja, si “persona grata”, pse t’i bëjmë të gjitha reklamat të mbytura me fjalë të huaja. Na mbyti klithma e një reklame telefonike, që përsërit mijëra herë në ditë “Pa limit, pa limit, pa limit”. Dhe, me keqardhjje, por me shumë të drejtë, Mehdiu më thotë: mediat duhet të flasin e të shkruajnë në mënyrë të atillë që të kuptohen jo vetëm nga një asi e vogël të shkolluarish, por për të gjithë njerëzit. Madje, duhet të lakmojnë të kuptohen nga ata që janë larg, në krahinat anësore, në Jug apo në Veri të Shqipërisë.

Së mbrami, biseda jonë kthehet përsëri te monodrama “Marr guximin” dhe Mehdiu, me kujtesën e tij fenomenale, si një kompjuter, më përmend palcën e fjalëkrijimit dhe prurjeve interesante leksikore e frazeologjike të tekstit të monodramës.

Sa mirë do të ishte që atë monodramë ta shihnin të gjithë shqiptarët, sidomos shtresat e epërme të shtetarëve, politikanëve dhe krejt asaj zogorie njerëzish të veshur me pushtetin e karrigeve të korrupsionit, sepse   me siguri, breshëria e fjalëve të mprehta të  autorit Vangjel Kozma, të interpretuara aq mjeshtërisht nga Artisti  i merituar Mehdi Malkaj do t’u dukeshin si plumba vrastarë që godasin veset dhe plagët e rënda të shoqërisë shqiptare të djeshme dhe të sotme.

Dhe,para se të ndaheshim, edhe një herë detyrohem ta marr penën për të shkruar një nga thëniet ironizuese krejt bashkëkohore e me nëtekst thumbues aktual të Mehdiut: “Aftësia e të paaftit është të hajë të aftin”.

U bëfsh edhe 100 vjeç Mehdi Malkaj, ish-studenti im i mirë, aktor i shquar i skenës dhe i ekranit,Artist i merituar dhe i adhuruara nga artdashësit shqiptarë në Shqipëri e jashtë saj,kudo që mbërrijnë valët e televizioneve shqiptare dhe të publikime on-line.
mehdi malkaj
























































Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 22 Mars 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet në Himarë/ Në dy qendra votimi në fshatin Kuç nuk ka nisur ende votimi! Në një QV u bë afishimi i listave sot

Zgjedhjet në Himarë/ Në dy qendra votimi në fshatin Kuç nuk ka nisur ende votimi! Në një QV u bë afishimi i listave sot