Të jem e hidhur sot me të, duhet të jem e hidhur me këdo që kam parë të grabisë, të gënjejë, të përfitojë, të fshehë, të bëjë intriga në dimensione të vogla; në të përditshmen tonë.
Të jemi të sinqertë e të shohim në pasqyrë veten: Cila është shoqëria që ne kemi ndërtuar? Si janë shtyllat më të rëndësishme të saj? Si është Shteti? Drejtësia? Media? Individi? Nuk janë fjalë abstrakte, të gjitha janë të mbushura realisht nga vetë ne, ose të afërmit, miqtë, shokët tanë, ose nga miqtë e miqve tanë.
Të gjithë të indinjuar me Fullanin, fullanët sikur nuk kanë vetë asgjë në dorë të bëjnë. Duket sikur për të përmirësuar gjërat, për t’i çuar në një normalitet civilizimi duhen revolucione që askush nuk i ka në dorë. Por kështu nuk është. Nëse sot, në Shqipërinë e 2014 kemi ndërtuar si model mirëqënie, apo arritje suksesi një Gjin Gjon, apo një Fullan (dhe personalisht mendoj se në të njëjtën frymë është 99 përqind e “elitës” sonë) kjo është bërë me konsensusin e të gjithëve, me veprimet apo mosveprimet që seicili prej nesh realizon në të përditshmen.
Historia e Fullanit dhe sidomos e fëmijëve të tij është më e trishtueshmja që mund të shkruhej. Personalisht mendoj se fotot e publikuara duhet të shërbejnë për të shokuar individualisht, deri në thellësitë më intime të çdo shqiptari e për t’u bërë koshientë për gjendjen ku jemi dhe për të kuptuar se ku duam të shkojmë.
Në këtë rast do të doja që Shteti të funksionojë dhe të qartësojë të vërtetën, por duke parë situatën duke qenë koshiente për çfarë të gjithë kemi ndërtuar dhe pretendojmë, nuk kam besim se Shteti e ka forcën të bëjë Drejtësinë në të padrejtat gjigande që i shohim anekënd.
Për t’u përmirësuar unë nuk kam besim në ndërhyrjet magjike nga jashtë apo nga lart. Nëse çdo shqiptar nuk do të vendosë të kryejë një revolucion etik dhe estetik brenda tij, gjërat me vështirësi se mund të ndryshojnë. Dje kishim Gjin Gjonin, sot Fullanin e familjen e tij, nesër të tjerë Fullanër dalin kollaj në shesh. Realiteti mund vetëm të zbukurohet, por dëmtimi i rëndë është bërë që në rrënjë.
Nese çdo shqiptar në thellësi të shprtit të tij nuk do të vendosë të bëhet më i ndjeshëm, më i dashur me Botën, me natyrën, me kafshët, me gurin më të vogël të rrugës, ashtu si dhe me yllin më të largët të Gjithësisë, atëherë fullanërat do të ndryshojnë vetëm emrin, kilogramët dhe ngjyrën, por jo veprimet etike dhe estetike në shoqëri. Besoj se një sens etik dhe estetik i natyrshëm mund të bëjë që individët të mos e teprojnë, të mos e ekzagjerojnë. Një individ me sens të lartë etik dhe estetik e ka shumë të vështirë t’i bëjë keq një fije bari, por nuk do të ngurrojë të presë nga trungu degët e thara apo shkurret që sjellin errësirë. E pra, të gjithë e kemi në dorë: në Shqipëri duhet një Njeri i Ri. Cilido mund të fillojë, të gjejë rrugën më të përshtatshme për t’u përmirësuar. Unë përsonalisht besoj vetëm te e bukura, kultura dhe dashuria e pastër. Shumë rrugë të tjera janë servirur nga mendjet e ndritura në kryeveprat botërore, duhen vetëm vëzhguar për të përfituar bukurinë e vërtetë të ekzistëncës. Larg modelit Fullani, ju lutem.