TIRANE- Shqipëria është ballafaquar për shumë kohë me mungesën e një ligji të brendshëm për kufirin tokësor dhe për kufirin detar. Duke qënë ndoshta i vetmi vend në botë që nuk kishte një ndarje të qartë të ujërave territoriale. Ligjet e vjetra u shfuqizuan në vitin 2008. Parlamenti, me propozim të qeverisë, miratoi një ligj tjetër për menaxhimin e kufijve duke shfuqizuar të gjitha ligjet paraardhëse të 2001. Ligji nr 9861 datë 24.1.2008 “për Kontrollin e Mbikëqyrjen e Kufirit Shtetëror” përcakton se “kufiri shtetëror i Shqipërisë është i vendosur e rregullohet mbi bazën e marrëveshjeve ndërkombëtare të pranuara nga shteti shqiptar si e të traktateve dypalëshë ose shumëpalëshe të lidhura me shtetet e tjera e të ratifikuara nga Kuvendi”.

Ligji hyri në fuqi më 1 mars 2008. Ai sanksionon në nenin 53 të tij se “ Ligjet 8771 dt 19.4.2001” për Kufirin Shtetëror të Shqipërisë”, si dhe Ligji 8772 dt 19.4.2001 “Për Ruajtjen e Kontrollin e Kufirit Shtetëror të Republikës së Shqipërisë” e çdo dispozitë tjetër që bie në kundërshtim me këtë ligj shfuqizohen”. Me shfuqizimin e Ligjit të 2001 në tërësi, Shqipëria ka shfuqizuar vijën e drejtë bazë, koordinatat e të cilës përcaktoheshin nga ky nen si dhe shfuqizoi gjerësinë e detit territorial prej 12 miljesh detare të RSH. Me përcaktimin e dhënë në nenin 3 të Ligjit 9861 të 2008, kufiri shtetëror përcaktohet me marrëveshje që ratifikohen nga Kuvendi apo me traktate dypalëshe ose shumëpalëshe të lidhura me vendet e tjera.

Një përkufizim i tillë ishte i kondicionuar nga fakti se deri në momentin kur s’kemi ratifikuar marrëveshje me Greqinë dhe Malin e Zi a ka kufij detarë Shqipëria me këto vende e se për sa kohë me Greqinë ende nuk kemi nënshkruar ndonjë marrëveshje dypalëshe për kufirin tokësor (pasi pala greke gjithnjë e ka refuzuar) është i vlefshëm Protokolli i Firences i vitit 1926 për sa kohë që neni 3 ligjit të 2008 kërkon traktat dypalësh apo shumëpalësh e jo Protokoll. Pikërisht lënia e vendit me ligj ka kufinj, hapi rrugë dhe diskutimit për marrëveshjen e kufinjve detarë mes qeverisë shqiptare e asaj greke, marrëveshje që u rrëzua nga Kushtetuesja.

Sipas ligjit të vitit 2001 “Kufiri shtetëror i Republikës së Shqipërisë është i paprekshëm. Ai tregohet me anë të shenjave të veçanta artificiale ose natyrore të vendosura mbi sipërfaqen tokësore dhe ujore. Vijat e hequra perpendikularisht mbi vijën e kufirit në sipërfaqen tokësore dhe ujore përbëjnë përkatësisht, kufijtë e hapësirës ajrore, të nëntokës dhe të shtratit e të nëntokës së ujërave të brendshme dhe ujërave territoriale të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në ligj. Kjo i jep të drejtë Shqipërisë të ushtrojë sovranitet e saj mbi ujërat territoriale e të brendshme si dhe në hapësirën ajrore. “Shqipëria ushtron sovranitetin e saj mbi rrafshnaltën (shelfin) kontinental për qëllime kërkimi dhe shfrytëzimi të burimeve të saj natyrore”, thuhet në ligjin e vitit 2001.
 
Ligji i 2012
Ndryshimi i pjesshëm, si u kthyen kufinjtë e brendshëm

Me kërkesën e socialistëve në opozitë, që akuzuan qeverinë e asaj kohe të drejtuar nga Berisha se kishte lënë vendin pa kufi, u ndërhy në ligjin për kufinjtë të miratuar në vitin 2008. Por pas debatesh të forta, mazhoranca e asaj kohe pranoi përfshirjen e nenit 3 të ligjit të vitit 2001 në ligj. “Ujërat territoriale të Republikës së Shqipërisë shtrihen gjatë gjithë bregut të saj, në një gjerësi prej 12 miljesh detare, duke filluar nga vija e drejtë bazë që shkon nga Kepi i Rodonit (Muzhit), Kepi i Pallës, i Lagjit (Kalasë së Turrës), derdhja e Semanit, derdhja e Vjosës, bregu perëndimor i Ishullit të Sazanit etj”, e deri në kufirin me Malin e Zi. Pra neni 53 i ligjit të 2008 ndryshoi më 2012.

LIGJI I 2001 DHE
SHFUQIZIMI I 2008
L I  GJ Nr. 8771, datë 19.4.2001 Për Kudirin Shtetëror të Republikës së Shqipërisë
 
......
Neni 2
Tregimi i kufirit shtetëror
Kufiri shtetëror i Republikës së Shqipërisë tregohet me anë të shenjave të veçanta artificiale ose natyrore të vendosura mbi sipërfaqen tokësore dhe ujore. Vijat e hequra perpendikularisht (lart e poshtë) mbi vijën e kufirit në sipërfaqen tokësore dhe ujore përbëjnë përkatësisht, kufijtë e hapësirës ajrore, të nëntokës dhe të shtratit e të nëntokës së ujërave të brendshme dhe ujërave territoriale të Republikës së Shqipërisë.
 
Neni 3
Ujërat territoriale dhe ujërat e brendshme
1. Ujërat territoriale të Republikës së Shqipërisë shtrihen gjatë gjithë bregut të saj, në një gjerësi prej 12 miljesh detare, duke filluar nga vija e drejtë bazë që  shkon nga Kepi i Rodonit (Muzhit), Kepi i Pallës, i Lagjit (Kalasë së Turrës),  derdhja e Semanit, derdhja e Vjosës, bregu perëndimor i Ishullit të Sazanit, Kepi i Gjuhëzës dhe i Gjiut të Gramës,  dhe mandej midis bregdetit shqiptar dhe ishujve të Republikës Greke deri përmes Kanalit të Korfuzit. Gjerësia e ujërave territoriale nga derdhja e Bunës në det deri te Kepi i Rodonit shtrihet deri në vijën e kufirit shqiptaro-jugosllav (Mali i Zi).
2. Janë ujëra të brendshme të Republikës së Shqipërisë ujërat e Detit Adriatik dhe të Detit Jon që  shtrihen brenda vijës së drejtë bazë që  përshkon derdhjen e Lumit të Bunës, kepat e përmendur në pikën 1 të këtij neni dhe vijës së drejtë bazë që  përshkon Kepin e Gjiut të Gramës, Kepin e Gjiut të Palermos, Kepin e Qefalit, Kepin e Sarandës, si dhe ujërat këtej vijës kufitare të liqeneve dhe lumenjve kufitarë.
 
Ligji nr 9861 date 24.1.2008 “ për Kontrollin dhe Mbikëqyrjen e Kufirit Shtetëror”
 
Neni 3/Kufiri shtetëror
Kufiri shtetëror i Republikës së Shqipërisë është i vendosur dhe rregullohet në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare, të ratifikuara nga Kuvendi, si dhe të traktateve, dypalëshe ose shumëpalëshe, të lidhura me vendet e tjera.
 
KREU IX/ DISPOZITA KALIMTARE
Neni 53/Shfuqizime
Ligjet nr.8771, datë 19.4.2001 "Për kufirin shtetëror të Republikës së Shqipërisë", nr.8772, datë 19.4.2001 "Për ruajtjen dhe kontrollin e kufirit shtetëror të Republikës së Shqipërisë" dhe çdo dispozitë tjetër, që bie në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen.
 
LIGJ Nr. 60/2012
PËR NJË NDRYSHIM NË LIGJIN NR. 9861, DATË 24.1.2008 "PËR KONTROLLIN DHE MBIKËQYRJEN E KUFIRIT SHTETËROR"
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e një deputeti,

KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:
Në ligjin nr. 9861, datë 24.1.2008 "Për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror", bëhet ky ndryshim:

Neni 1
Neni 53 ndryshohet si më poshtë:

"Neni 53
Shfuqizime
Nenet 1, 2, 4 dhe 5 të ligjit nr. 8771, datë 19.4.2001 "Për kufirin shtetëror të Republikës së Shqipërisë", ligji nr. 8772, datë 19.4.2001 "Për ruajtjen dhe kontrollin e kufirit shtetëror të Republikës së Shqipërisë", si dhe çdo dispozitë tjetër, që bie në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen.".

Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Miratuar në datën 24.5.2012
Shpallur me dekretin nr. 7542, datë 15.6.2012 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi

Shkrimi u publikua sot (19.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)