Një lutje për ringjalljen historike të
Frashërit, vendlindjes së rilindësve

Një lutje për ringjalljen historike të<br />Frashërit, vendlindjes së rilindësve
TIRANE- Janë mbushur plot 100 vjet nga koha kur Frashëri u dogj e u përzhit i tëri nga andartët grekë. Me këtë rast Fondacioni “Qendra Frashëri” në Tiranë në kujtim të djegies së Frashërit ka organizuar ditën e mërkurë më 6 maj 2014 në Muzeun Historik Kombëtar Tiranë një konferencë shkencore me temë “Vendi që zë Frashëri në historinë e Shqipërisë dhe projektet për rigjallërimin e tij si qendër e komunës së Dangëllisë”. Kanë marrë  pjesë në këtë konferencë akademikë, profesorë, doktorë të shkencave, të cilët kanë sjellë në memorien e të pranishmëve të kaluarën e ndritur të këtij qyteti të vogël të dikurshëm malor. Referuesit: akademik Kristo Frashëri; Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Baba Edmond Brahimaj; Jorgo Bulo; Floresha Dado; Orhan Frashëri; Vaso Tole; Gjergj Frashëri; Nasho Jorgaqi, etj kanë trajtuar vlerat e veçanta historike, kulturore dhe politike të kësaj qyteze dhe të trevës së Dangëllisë për historinë e Shqipërisë.

Veçanërisht Haxhi Baba Edmond Brahimaj mbajti një fjalim ku argumentohej roli atdhetar i bektashinjve të trevës së Dangëllisë, duke kujtuar edhe një gjeneratë të tërë bektashinjsh të familjes Frashëri, që i dhanë Atdheut kontribute të gjithanshme. Në fjalën e tij Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve përmendi Teqenë e Frashërit si qendër të patriotizmit, në të cilën janë bërë disa kuvende për çështje kombëtare. Atje është themeluar edhe Dega e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për Jugun e Shqipërisë. “Deviza e figurave më të shquara të kombit shqiptar të asaj kohe ishte “Pa Atdhe nuk ka fe”, tha ndër të tjera Haxhi Baba Edmond Brahimaj.

Kumtesat e mbajtura për rreth 2 orë ringjallën historinë e trevës së Dangëllisë dhe figurave të shquara të kësaj treve. Kryetari i fondacionit Gjergj Frashëri solli në vëmendje të të pranishmëve faktin se duhet bërë një lutje qeverisë dhe politikanëve shqiptarë për nevojën e përkrahjes së projektit që “Komuna e Frashërit të bëhet një qendër administrative, duke u konvertuar në një Muze të historisë së kombit shqiptar dhe gjithashtu një qendër turistike e kurative.”. Nga Frashëri kanë dalë tre vëllezërit, Abdyl, Naim dhe Sami Frashëri, të cilët simbolizojnë Rilindjen tonë Kombëtare. Në Frashër shtëpia Muze e Vëllezërve Frashëri, e cila vizitohet nga shqiptarë të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Çamërisë, Malit të Zi dhe mbarë diasporës.

“Siç e ka cilësuar Mihal Grameno, vetë Frashëri është si Jeruzalemi i Palestinës për të krishterët, dhe si Meka e Arabisë për myslimanët”. Pas Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, shteti shqiptar ka pasur vazhdimisht ministra, deputetë, funksionarë, akademikë, profesorë, mjekë, inxhinierë, artistë, madje edhe kryeministra me origjinë nga Frashëri, të cilët kanë dhënë kontribut të shquar në përparimin e Shqipërisë”, tha Gjergj Frashëri duke nënvizuar se “detyrimi ynë historik është të ndihmojmë Frashërin që të mos zhduket nga harta gjeografike, sepse do të na duhet përjetë në rrugën tonë të bashkëjetesës mbarëkombëtare”. Ndërsa studiuesit sollën në kujtesë veprimtarinë intelektuale e patriotike të vëllezërve Frashëri. Ajo që la mbresë ishte historia e djegies nga andartët grekët e rrëfyer nga prof. Dr. Kristo Frashëri. Studimi i tij i lexuar në mungesë për arsye shëndetësore, e bëri edhe më të argumentuar nevojën që komuna e Frashërit, 100 vjet pas djegies nga grekët, të ringjallet si një komunë-simbol për historinë e mbarë kombit shqiptar.
 
Konferenca


Kristo Frashëri: Martirizimi i Frashërit më 6 maj 1914

Frashëri, kryeqendra e krahinës së Dangëllisë, u dogj më 6 maj 1914. Rrethanat historike të mynxyrës tragjike, prof. dr. Kristo Frashëri i ka përshkruar me hollësi në librin “Frashëri”. “Më 6 maj 1914 u dogj Frashëri, për arsye se banorët e tij, myslimanë e të krishterë, e kundërshtuan autonominë e ashtuquajtur “vorioepirote”, shkruan Frashëri. Burimet historike që ka shfrytëzuar Kristo Frashëri për të ndriçuar djegien e Frashërit kanë një rëndësi të veçantë. Njëri është Kosta Konomi nga Përmeti, i rekrutuar me dhunë si përkthyes i kapedanit të andartëve Papagjeorgjiut, ai që i vuri flakën Frashërit. Tjetra, Eleonorë Vila, një shtetase franceze, e lauruar në letërsi, martuar me një Frashërlli, Nuri Vilën, e cila në atë kohë banonte në Frashër.

“Një nga objektivat e parë që pati komandanti i andartëve grekë Papagjeorgjiu, fill pasi hyri nga territori helen në krahinën e Përmetit, ishte ta bënte shkrumb e hi Frashërin, qendrën kryesore të patriotizmit shqiptar në atë trevë. Për të arritur në Frashër Papagjeorgjiu u nis më 3 maj 1914 nga Përmeti nëpër rrugën malore të Taborit, ku duhej të asgjësonte njësitin e armatosur të forcave shqiptare që mbronte Frashërin. Më 5 maj 1914 andartët grekë sulmuan me topa dhe mitraloza njësitin shqiptar prej 6 vetësh, i cili në pamundësi për të rezistuar, pasi la dy të vrarë, u tërhoq. Andartët grekë filluan nga perëndimi bombardimin e Frashërit. Ndërkohë nga lindja reparte të tjera andartësh filluan të depërtonin në fshat.

Shkrimtarja franceze shkruan në kujtimet e saj se i zoti i shtëpisë Tefik Vila nuk e braktisi fshatin, meqenëse nuk besonte se do të trajtohej keq nga grekët, ndërsa banorët filluan të largoheshin të lebetitur nga fshati duke marrë fëmijët e vegjël me vete dhe asgjë më tepër...Papagjeorgjiu, shkruan Kosta Konomi, pasi plaçkiti fshatin Selenicë, hyri në Frashër. Ai shkruan “Në Frashër, fshatarët e krishterë që kishin mbetur dolën përpara që të pritnin ujqërit. Këta si hynë në Frashër, iu sulën dyqaneve, i hapën dhe morën plaçkat. Të krishterët po ulërinin se qenë plaçkat e tyre. Por, ata u thonin se edhe ju turko-allvanj jeni. Pastaj u derdhën në mëhallë të muhamedanëve dhe u vunë zjarrin shtëpive.

Një muhamedan, i cili kishte mbetur me gjithë të birin e gjetën mb’udhë dhe i vranë që të dy në mes të udhës. I vranë pranë teqesë. Në teqe kishte mbetur një dervish dhe një plakë, të cilët kur panë që vinin andartët dolën te porta për t’i pritur. Por ata nuk përtuan, i vranë dhe hynë në teqe. Mblodhën të gjitha plaçkat që kishte teqeja, pastaj teqesë i vunë zjarrin... Tym dhe flakë u bë Frashëri. Andartët dogjën edhe shtëpitë e dy lagjeve të krishtera ortodokse të Frashërit, përfshirë edhe kishën e Shën Thanasit, ndonëse pohonin se shqiptarët ortodoksë qenë grekë. Nusja frënge, bashkëshortja e djalit të Tefik Vilës thotë në kujtimet e saj: “Ne jetuam me ankth...Topi qëllonte pa pushim...” Historia vijon me largimin e familjes së Vilajve me nusen franceze nga Frashëri, ndërsa shumica e banorëve të Frashërit u strehuan në ullishtet e Vlorës. Frashëri u dogj pothuajse krejtësisht. Shpëtuan pa u djegur vetëm 5-6 shtëpi të lagjes Skënderas dhe 4-5 shtëpi të lagjes së Vllehëve, të cilat u përdorën për strehimin e andartëve”. Është një histori tragjike që synonte ta fshinte nga harta e Shqipërisë vendlindjen e rilindësve Abdyl, Sami e Naim Frashëri.  

Shkrimi u publikua sot,8 maj 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)   

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Çudi në NBA, Boston mposhtet nga Miami në shtëpi! Oklahoma merr epërsinë 2-0

Çudi në NBA, Boston mposhtet nga Miami në shtëpi! Oklahoma merr epërsinë 2-0