TIRANË- Teksa na ndajnë rreth 1 muaj e gjysmë nga zgjedhjet e 11 majit, Sali Berisha ende nuk e ka publike kontratën dhe vlerën se sa ka paguar Chris LaCivita si këshilltar për fushatën e Partisë Demokratike.
Një ditë pasi pranoi se me LaCivita kontaktet i mban vetëm online, Sali Berisha në një deklaratë për mediat nga selia blu ndërsa ende nuk ka publikuar se ku i gjendën fondet për të paguar arkitektin e fushatës së Donald Trump, thotë se kontratën do e bëjë publike. LaCivita është shfaqur publikisht vetëm më 10 shkurt, ditën kur edhe u bë prezantimi i tij si këshilltar për fushatën e PD.
“U garantoj se ajo kontratë, me të gjitha burimet se ku është marrë çdo qindarkë, do bëhet publike ditën që do përmbushet detyrimi ligjor i dorëzimit të saj në KQZ, siç na detyron ligji. Kjo është përgjigja ime për këtë”, tha Berisha.
![]()
Nga kurseu sërish sulmet ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani, i cili e ka marrë të pandehur për aferën Partizani. Ndërsa komentonte deklaratat e Ramës për Dumanin, i cili tha se solidarizohet me sulmet kafshërore që bëhen ndaj tij, Berisha u shpreh se kreu i SPAK është mburojë e kryeministrit.
“Tani, sigurisht rroftë e qoftë Altin Dumani thotë ai. Po të mos qe Altin Dumani, para se të ishte Erion Veliaj në qeli, duhej të ishte për djegësin Edi Rama. Po të mos qe Altin Dumani, njëlloj siç është McGonigali në burg duke vuajtur për ryshfetin që ka marrë nga Edi Rama, duhet të ishte Edi Rama.
Po të mos ishte Altin Dumani, nuk do pastrohej Olsi Rama që mashtronte publikisht se ka udhëtuar vetëm një herë me makinën e bosëve të trafikut, në një kohë kur unë kam dokumente se ka udhëtuar pesë herë. E si të mos thotë ai, rroftë e qoftë Altin Dumani. Natyrisht ka të drejtë.
Po të mos ishte Altin Dumani, Lubi Balluku do ishte 5 kate më thellë se Erion Veliaj. Se Erion Veliaj ka përdorur gjithsej 5-6 miliardë euro. Lubia 12 miliardë euro. Dhe ku janë? Absolutisht qindarkë për qindarkë investimi i tyre me objektet që janë ndërtuar, kostoja e tyre nuk shkon më shumë se 1.3 miliardë euro. Të gjitha të tjerat janë vjedhur.
Po të mos ishte Altin Dumani, Edi Rama do ishte aty ku e meriton pasi siç kanë faktuar dokumentet, për pagesat që i janë bërë për çarterin, ka dhënë leje ndërtimi në konflikt të hapur interesi. Ai duhet të bëjë nga mëngjesi gjer në darkë lavde, elozhe dhe t’i lëpihet Altin Dumanit aty pikërisht se Altin Dumani është bërë mburojë e këtyre vjedhjeve, e këtyre krimeve të paimagjinueshme, të gjitha të dokumentuara këto që thashë.
Po të mos ishte Altin Dumani, krimi elektoral do ishte ndëshkuar. Ai nuk ndëshkon dosjet se ato të çojnë te Edi Rama, të dokumentuara dhe të regjistruara në përputhje me procedurat ligjore të vendit. Qoftë dosja e Durrësit, qoftë dosja e Peshkopisë, që të dyja përfundojnë tek Edi Rama. Atëherë me thuaj mua? Ai, edhe këpucët duhet t’i fshijë Altin Dumanit”, tha Berisha.
PD ende nuk ka thënë asnjë fjalë sa kushton marrëveshja, kush, dhe si do paguajë Kryearkitektin e triumfit të Trump. Një media amerikane, 'Daily Beast' shkruante se firma konsultente e strategut republikan, Chris LaCivita, të cilit iu besua kthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë, kishte marrë 19.2 milionë dollarë në vetëm dy vite. Por Berisha nuk ka thënë asnjë fjalë sa kushton marrëveshja me LaCivita, kush, dhe si do paguajë Kryearkitektin e triumfit të Trump.
SI.E./Shqiptarja.comKomente

