Është shpallur dy herë kampion Europe në FIA CEZ Hill Climb, por kjo nuk është thjeshtë një arritje për Gentjan Shaqirin, por një tregues i përkushtimit dhe punës së vazhdueshme në motorsport.

Prej 17 vitesh pedagog në Fakultetin e Ekonomisë, një profesion kaq i ndryshëm nga jeta përtej auditorit që përfshin garat me makina.

“Vazhdoj ta kem me shumë pasion auditorin dhe nuk do doja të tërhiqesha asnjëherë, për asnjë lloj pune që mund të më ofrohej. Pasioni im për garat ka filluar në garat me Go Kart që është ABC e motorsportit. E kam filluar në moshën 17 vjeçare. Nuk jam shkëputur asnjëherë, derisa arrita të shkoj në Formula 3 me garat malore.

Janë dy gjëra të ndryshme, po bashkohen tek pasioni im për të dyja këto fusha: nga një anë për të dhënë dije dhe nga ana tjetër për të garuar dhe për të fituar sa më shumë kupa në motorsport”, tregon Gentjani për emisionin “Një nga ne”.

Me makinën Formula 3, të cilën e quan “Kokëkuqja”, ka arritur rezultate ndërkombëtare duke bërë një histori të mirfilltë në motorsport.

“Nuk mund të lë pa përmendur garën e fundit të Kroacisë ku u shpallëm kampion për të dytin vit radhazi në kategorinë tonë. Objektivi ynë: të japim performancën tonë më të mirë në këtë sport, të përfaqësojmë motorsportin shqiptar. Duam të kategorizohemi në grupin Proto3. Jam entuziast për garat që do zhvillojmë vitin tjetër.”, shprehet ndër të tjera.

Emisionin “Një nga ne” mund ta ndiqni çdo të shtunë, ora 13:00, në ekranin e Report Tv.