Puna në bujqësi kërkon durim, njohuri dhe dashuri për tokën. Shyqyri Hysa, nga fshati Gjergjan i Elbasanit, la profesionin e veterinerit për të kultivuar fidanë frutorë.

“Për 3-4 vjet isha veteriner. E kisha shumë qejf pemtarinë. Këtu gjeta veten, gjeta dy pozicione: dëshirën dhe paratë. Kam 34 vite, nuk heq dorë.

Kulturat e para që kemi mbjellë ishin pjeshka, kumbulla, kajsia dhe dardha. Ruajtja e kulturave, varieteteve autoktone është shumë e vështirë.

Hurma spanjolle ka mbi 7-8 vjet që ka hyrë në vendin tonë dhe është përshtatur mjaft mirë. Mendoj që edhe për 10 vjet hurma do të bëjë ligjin në treg.

Gjithashtu kemi afërsisht diku tek 10 vjet që merremi me studimin e feijoas. Është i vetmi frut që i përshtatet klimës tonë, zero spërkatje dhe zero shërbime të tjera, as krasitje, asgjë. Përshtatet në të gjitha llojet e tokave”, tregon për emisionin “Një nga ne”.

Shyqyriu thekson se shitja është faza më delikate për fermerët. Mallrat nga importi mbeten një tjetër sfidë për ta.

“Është gjynah që të vijë hurma e importit nga Greqia, kur grekët tani po e njohin. Po e nuhasin që tregu jonë po e kërkon në sasi shumë të madhe dhe po vete çmimi 150 lekë/kg. Nga muaji nëntor-dhjetor vijnë kamionët me hurma dhe shiten në Tiranë, kjo është e pafalshme sepse jemi ekspert të këtij fruti. Ne që mbajmë përgjegjësinë kryesore,që kultivojmë fidanë, jemi përjashtuar nga subvencionet. Shteti duhet të ndjekë dhe prodhimin pasi jep paratë. Vështirësi ka sa të duash, kjo është bujqësia.”, shprehet ndër të tjera.

Sipas tij bujqësia ka risqe, por pasioni e mban ende të lidhur me këtë punë.

“Këtë po nuk e pate pasion, kësaj mos i hy. Ky është hob, është sport, dëshirë. Për ne që jemi të apasionuar nuk shikojmë sesa marrim në fund. Bujqësinë po nuk e dashurove, nuk bëhesh bujk kurrë.”, përfundon rrëfimin Shyqyri Hysa.

Emisionin “Një nga ne” mund ta ndiqni çdo të shtunë, ora 13:00 në ekranin e Report Tv.