Talentin e trashëguar nga gjyshi, e ktheu në mënyrë jetese. Çdo ditë Edison Hysën e gjen mes ngjyrash: duke realizuar piktura në telajo, murale dhe vazo rezine.
"Kam pasur gjyshin piktor autodidakt. Ai konkuroi për pikturë dhe fitoi konkursin, por regjimi ia kthen dhe i jep shkollën për ekonomi sepse kishin nevojë kooperativat bujqësore për llogaritar. Ishte i jashtëzakonshëm dhe unë u rrita me këtë lloj fryme. Më ka mbetur peng që nuk më pa në këtë fazë ku kam arritur.", rrëfen Edisoni.
Në moshën 48 vjeçare vendosi të rikthehet në auditor, në Universitetin e Arteve, për të përmbushur ëndrrën e lënë përgjysmë.
"Kam studiuar shumë herët, në vitet '90 kam fituar konkursin në Liceu Artistik "Onufri" në Elbasan. Kam bërë 4 vite shkollë dhe si gjithë shqiptarët emigrova në Greqi. Atje jam marrë me punë të ndryshme, por në kohën e lirë pikturoja në qendrat e Athinës, kryesisht kur kishte panaire, festa. Më 2011 kthehem në Shqipëri dhe vendosa që t'i përkushtoj kohë të plotë pikturës.
Veten do ta cilësoja piktor realist tek portreti dhe impresionist tek peisazhi. Kam 15 vite që jetoj me këtë punë dhe punoj.", tregon për rrugëtimin e tij drejt artit.
"Piktori i mirënjohur Helidon Haliti u bë shtysë që të mbyllja studimet e larta. Në moshën 48-vjeçare konkurrova dhe fitova në Akademinë e Arteve dhe për momentin jam në vitin e dytë.", shprehet Edisoni për vendimin për t'u rikthyer në auditor si student.
"Emigracioni na i la ëndrrat përgjysmë, nuk arrita në atë kohë që t'i bëja studimet e larta dhe tani po realizoj ëndrrën time.", shprehet ndër të tjera.
Babai i 4 vajzave tregon se piktura është burimi i vetëm i të ardhurave.
"Prej 8 vitesh punoj në Durrës si piktor rruge 3 muajt e verës dhe populli shqiptar është artdashës. Unë jetoj me art edhe pse është e vështirë. Artistët në përgjithësi vuajnë, janë të pakënaqur. Kam dhënë mësim pikture, kam bërë kurse private, por me pandeminë që ra e mbylla dhe nuk e hapa më. Do mbahem mend si piktor.", shprehet Edisoni për emisionin "Një nga ne".
Emisionin Një nga ne mund ta ndiqni çdo të shtunë në orën 13.00 në ekranin e Report Tv.
Komente












