Një roman mbi gruan e bukur e të harruar i Fatmira Aliajt

 Një roman mbi gruan e bukur e të harruar i Fatmira Aliajt

Romani “Shpirti i humbur’ i Fatmira Aliajt, (botuar nga “Fan Noli”, 2018) të ndjell në lexim dhe e mbarom, siç thuhet, me një frymë. Për lexues të një moshe dhe të një përvoje si ajo e brezit tim kjo nuk është pak.  Pra, jemi para një  romani tek i cili duhet të ndalesh.

Do të mundohem ta them më poshtë se pse ia vlen të ndalesh.

Libri është shkruar me një prozë të cilësisë së mirë. Me gjuhë të zgjedhur, me një sintaksë që tirret lehtësisht, me fjali e fraza që shkasin dhe shkojnë butë e ëmbël te kuptimësitë që mëtojnë të shprehin. Ka një luks të së thënës, të të shprehurit. Një cilësi shkrimi e mbrujtur fort dhe e shkrifët. Këto veti për një lexues që mëton shijen e leximit, janë shumë të rëndësishme. Vende-vende, jo si qëllim në vete, proza e Fatmira Aliajt merr ngjyrat e poezisë, gjithmonë duke i mbetur rreptësisht besnike prozaikes, të shprehurit në prozë.

Kemi të bëjmë me një autore me përvojë që e zotëron mjeshtërinë e shkrimit.

Romani njëherësh ngërthen bashkëkohësinë, temën e aktuales, me universalen. Është tema e gruas, e femrës në shqisën e së sotmes te shqiptarët e kohës së quajtur të tranzicionit dhe tema universale e femërores në botën e burrit, të mashkullit, e femrës që mbetet femër dhe para atit, para burrit dhe para birit në gjithësinë e jetës që përtrihet.  Një temë që meriton respekt. Temë kurrënjëherë e konsumuar në breza. Në çdo ndërrim dramatik të shoqërisë, e para nga çështjet që i përplaset përpara syve burrit dhe gruas është ajo se si do të ndërtohen në këtë realitet të ri marrëdhëniet burrë-grua.  Marrëdhënia burrë-grua është qeliza, embrioni, matrica e të gjitha ngrehinave shpirtërore që ndërtohen mbi tokë nga shpirtërat e çliruar, ose nga njerëzit tokësorë që mëtojnë të emancipohen, të marrin një tjetër formë drejt përsosmërisë ideale, drejt asaj që, po të doni, quajeni dhe përmasë qiellore.

Këtu ndodh drama. Dalja nga diktatura u prit, u përjetua idealisht. Një aspirim në erë, kot së koti, veç me hamendje, pa asnjë të dhënë empirike. Një gabim që solli zhgënjime. Të dalësh nga një diktaturë, nuk do të thotë se zbret si me parashutë në atdheun e lirisë. Shkatërrohet a zhduket diktatura, por prej kësaj nuk pritet vetvetiu liria, mbrodhtësia, progresi. Liria nuk vjen vetëvetiu. Liria duhet ndërtuar nga e para. Liria duhet merituar. Liria paska kurthe më të mëdha se sa ajo që dihej se qe diktatura më e ulët. Shqiptarët dhe dje, dhe sot, dhe pas 27 vjetësh nuk po e kuptojnë se liria ka kurthet e saj. Dhe ata që e paguajnë më shtrenjtë nga këto kurthe, janë njerëzit e bukur.

Kjo është filozofia, apo mistika e këtij romani.

Shqiptarët mendojnë se ata janë qenie engjëllorësh, por kanë rënë në një vend a në një politikë diajsh, ndaj vuajnë e torturohen. Ndaj vrasin e vetëvriten. Si frymorët e guvës, e shpellës së Platonit, shqiptarët ende nuk e kanë përtypur dritën. Jemi njerëzit që ende na tremb drita.

 Këto mund të jenë disa nga refleksionet që sjell leximi i këtij libri. Në përjetimet, meditimet a qoftë në ankthet tona ne shkojmë drejt kërkimit të një kuptimi. Pse po ndodh kështu me ne? Ku do të shkojmë ne,  fëmijët, nipat tanë? Nëse nuk na nxë këmisha jonë e trupit, e shoqërisë sonë, ka tjetër shoqëri më të mirë? Nëse nuk përsosemi a përkryhemi a realizohemi në këtë vend që e kemi atdhe origjne, a ka kund një dhe tjetër më të mirë?

Na pret mërgimi si shumë para nesh? Shumë të vonuar qenkemi ne të zhgënjyerit e fundit që po e synojnë sot mërgimin?

Ky është fundi i romanit të Fatmira Aliajt. Për mua është si fundi i frymëmarrjes.

Ajo na ka dhënë ca ngjarje që janë të gjalla. Kryepersonazhja e saj Eva drejton revistën e një shoqate për gra në nevojë. Profesioni ia do që të hetojë rrethanat mbi gra që vriten nga burrat, gra që trafikohen. Disa prej tyre janë gra të bukura, të shëndtshme shpirtërisht dhe fizikisht. Si gjah i lehtë ndaj rrethanave  zhvlerësuese, sado që rezistojnë me dinjitet, jeta nuk i kursen. Jeta i poshtron si gra, si femra, si qenie njerëzore, si ekzistencë.

Gazetarja Eva është disi ndryshe, por jo larg një realiteti të tillë.  Një grua e bukur, një botë e bukur në një relitet të egër. Kjo është Eva e romanit të  Fatmira Aliajt.

Burri i saj është një i padenjë,… gati… një skemë kjo. Në radio, në tv, një revista gjejmë personazhe grash me shumë vlera që përdhunohen a poshtërohen nga burra të pështirë, të padenjë, të mangët seksualisht, të penguar mendërisht, të frustuar psiqikisht.

Mendoj se në Shqipëri duhet të ketë institucione që të marrin në mjekim shpirtëror burrat. Në Shqipëri ka shumë shoqata që merren me gruan e dhunuar, por jo të tilla që kurojnë burrin. Këta burra të ligj, dhunues, janë meshkuj, janë vëllezër, janë bij të lindur nga këto gra që dhunohen a vriten. Ky është  rraliteti vicioz. Gratë lindin burra që dhunojnë, trafikojnë, apo vrasin gra.

Nuk di ç’emër t’i vësh kësaj.

Ky roman të përfshin në një botë ku gruaja është veçanërisht e bukur. Ka në mendjen e saj ide shumë të çmura mbi jetën, ka njomësi e hijeshi, lëngje e energji që prijnë në ajër e në qiell. Këto pasuri shpirtërore duhet jo vetëm t’i lexosh. Si magji të brishta duhet t’i përjetosh me ndjesinë e mprehtë e të fshehtë të një femre… t’i zbulosh midis rreshtash, se ndryshe të rrëshqasin në hiç… 

Diku të vjen ndërmend Shekspiri me monologun e Hamletit ku thuhet se qeniet me vlerë marrin padrejtësisht aq goditje nga të pavlerët sa ua bëjnë të dashur vetëvrasjen. Eva si mendje e bukur shkruan pulicistikë, shkruan libra, drejton një revistë, e bën të suksesshme në treg produktin e saj intelektual. Ka fuqi të përballojë një divorc dhe të rrisë një vajzë pa një ndihmë nga ishi i saj. U reziston burrave zullumqarë që mendojnë se një grua e tillë në nevojë mund të jetë pre e lehtë për ta.

Ajo përballon, së fundi, dhe një ankth ekzistencial ekstrem ku të vë sëmundja që nuk ka alternativë tjetër veç fundit. Sëmundja e kancerit të gjirit. Në kushte të tilla mes jetës a vdekjes i jepet dhe një dashurie. Në jetën e mëparshme ajo e kishte mbyllur me gardhe veten. Sëmundja e bën të hapur. Është njerëzore. Do mbështetje. Po vallë a nuk e meriton ngrohtësinë, të qenit e dashuruar? Por…

Në faqet e fundit të romanit poetikisht Eva është në qiell. Në fakt ajo po emigron në Kanada.

I dashuri i saj, një biznesmen i suksesshëm i hoteleve luksozë, paskësh qenë një ish-trafikant femrash. Tani ai merr dhe një post në politikë, si shefi i  antitrafikimit. Ironia është me këmbë në realitet. Të tillët i kemi për natë në ekrane…

Në sfond mbeten gra të vrara, të dhunuara, të gjymtuara, gra të humbura, gra me plumb ballit, të hedhura në lumë a në det.  

Këto femra janë këtu në tokë. Eva, e shkëputur e shpëtuar nga ky realitet, është e zhytur në qiell. Në qiellin ku simbolikisht e shohim veten të shkrirë me ëndrrat për parajsën, për përjetësi e dlirësi. Një gjetje poetike.

E zhgënjyer ajo po ikën nga Shqipëria (alternativë e sotme për shumë shqiptarë) jo se është e paaftë. Ajo  i ka fituar të gjitha betejat intime a sociale, shpirtërore a profesionale. Detyrohet të largohet kur mbetet si peshku në zall, kur i heqin dhe bukën e gojës, i heqin një vend pune të cilin herë e ka fituar, herë e ka humbur. 

Më mirë në qiell. Këtu i ke arritur të gjitha. Nuk humbet asgjë.

Një fund i trishtuar.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave