Sipas tyre veprat kishin nevojë për restaurim dhe duheshin mirëmbajtur e ruajtur me kujdes, pasi rëndësia e tyre ishte e madhe. Ata sugjeronin që më pas veprat të dërgoheshin në Galerinë Kombëtare të Arteve e të ekspozohehsin për publikun e gjerë. Ky informacion, mjaft ngacmues, na shtyu të kërkojmë vendndodhjen aktuale të këtyre veprave të rralla. A ruheshin diku ende? Kush i posedonte? Në ç’gjendje ishin? A ishin vërtet vepra origjinale?
Kërkimi ynë nisi pikërisht me dy tablotë e përmendura më lart. Për ne ishin lehtësisht të identifi kueshme, pasi komisioni i ngritur në 1967 kishte përshkruar edhe shenjat dalluese të secilës prapa tablove, si shënime e vula të dukshme. Për secilën prej tyre Paskali, Stamo e Kilica kishin vënë këto përshkrime:
1. “Adami dhe Eva” punuar me ngjyra vaji (180 x 145 cm). Prapa tablosë shkruar me pendë figuron ky shënim italisht: “Vepër e Ticiano V. e vitit 1547 origjinal i verifi kuar nga shumë profesorë”. Komisioni mendon se nga stili, tipat e figurave, koloriti dhe kompozimi, kjo vepër të kujton krijimtarinë e Ticianit.
4. “Çlirimi i një shenjtori” punuar me ngjyra vaji (57 x 48 cm). Me numër inventari
817. Në pjesën e pasme mban 9 copë vula me këto mbishkrime:
- Galeria nacionale dhe kabineti i gravurave.
- Administrimi i të ardhurave mbretërore.
- Regjistri i eksportimit i Akademisë Mbretërore të Milanos.
(Në foto: Dy veprat e Rubens dhe Ticianos në Galerinë Kombëtare të Arteve. Foto: Admirina Peçi)
Këto vula mendohet të jenë të periudhës së pushtimit austriak. Komisioni mendon se nga stili, faktura, vizatimi dhe kompozimi të kujton krijimtarinë e piktorit të madh Fjaming Rubens. Mbështur në këto shënime u orientuam edhe gjatë kërkimit në Arkivin e Galerisë Kombëtare të Arteve, ku megjithëse hasëm në dy tre të dhëna që nuk përputheshin, në fund u vërejt se bëhej fjalë pikërisht për dy veprat e lartpërmendura. Vepra e Ticianos ruhet me të njëjtin titull “Adami dhe Eva” ndërsa e vepra e Paul Rubens ruhet me titull tjetër “Shën Sebastiani”.
(Në foto: Vulat në dy veprat e Rubens dhe Ticianos në Galerinë Kombëtare të Arteve. Foto: Admirina Peçi)
Po ashtu mospërputhje kishte edhe në dimensione, por specialistë në Galerinë Kombëtare të Arteve na siguruan se kjo mospërputhje hasej edhe në shumë raste veprash të tjera të fondit dhe varej nga koha dhe rrethanat kur është bërë vlerësimi dhe studimi i tyre. Duke iu referuar kartelave shoqërues në arkivin e Galerisë Kombëtar të Arteve në Tiranë, rezultoi se vepra e parë “Adami dhe Eva” ishte regjistruar si pronë e Galerisë Kombëtare të Arteve me 23 dhjetor 1982.
Kartela e saj shoqëruese, me numër 2658 jep të dhënat e mëposhtme: Vepër e realizuar nga mjeshtri Ticiani, me dimensione 259 cm X 198 cm, vaj në kanavacë, me titullin “Adami dhe Eva”. Vepra e dytë është “Shën Sebastiani” e Paul Rubens, punuar me ngjyra vaji në karton. Dimensionet e saj janë 48cm X 67cm. Kartela mban numrin e inventarit 2661. Edhe kjo vepër është bërë pjesë e fondit të Galerisë Kombëtare të arteve me 23 dhjetor 1982.
Përballja me këto dy kryevepra, në katin e dytë të Galerisë Kombëtare, në hyrje të fondit, qe mjaft emocionuese, por subjektiviteti ka peshën e tij në këtë rast. Pasi kemi marrë leje për t’i fotografuar dhe filmuar, vëzhgojmë me kureshtje çdo detaj, që përputhet imtësisht me të dhënat e relacionit të ’67. Shënimi në italisht: “Vepër e Ticiano V. e vitit 1547 origjinal i verifikuar nga shumë profesorë” është pas tablosë “Adami dhe Eva”, siç e përshkruajnë profesorët Paskali, Stamo e Kilica.
Po ashtu edhe vulat e dukshme (ndonjëra prej tyre është dëmtuar disi, nuk dihet se në ç’kohë) janë njëlloj sikurse përshkruhen në relacion, në pjesën e pasme të veprës së Paul Rubens. Për publikun, këto dy vepra janë thuajse të panjohura dhe nuk dihet pse, nuk është bërë kurrë një fushatë reklamuese për to. Studiuesi i artit në Galerinë Kombëtare të Arteve Ylli Drishti, pohon se këto vepra janë ruajtur në fondin e galerisë që nga koha kur u bënë pronë e saj dhe se janë bërë edhe ndërhyrje restauruese në to. Po ashtu sipas tij veprat janë ekspozuar për publikun, në mesin e viteve ’90-të, pra nuk janë krejt të panjohura. Ndërsa drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Artan Shabani, thotë se veprat janë tepër të rëndësishme dhe se për ato nevojitet një kuotim i ri, për të përcaktuar vlerën e saktë monetare të tyre dhe se së shpejti do të ekspozohen për publikun e gjerë. Deri në këtë pikë, një pjesë e mirë e ekuacionit është zgjidhur. Pjesa e mbetur e enigmës janë 17 veprat e tjera, përmendur nga komisioni që hartoi relacionin në vitin 1967, në gjurmë të të cilave nuk kemi rënë ende.
Shkrimi u publikua sot (11.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)