Një udhëtim me librat e Mandalàsë në kulturën arbëreshe

Një udhëtim me librat e Mandalàsë në kulturën arbëreshe

Vepra e Matteo Mandalas, profesorit arbëresh

Vepra studimore e Matteo Mandalasë përfshin një punë të gjatë studimore, ku gërshetohen hulumtimet e filologut, antropologut, historianit të letërsisë, kërkuesit për nxjerrjen në dritë të botës arbëreshe. Në veprën e Mandalasë ne takohemi me Lekë Matrëngën, De Radën, Gavril Darën, Zef Skiroin, Franceso Santorin, Vinçenso Dorsan, Dhimitër Kamardën, Gjergj Guxetën, Nikollë Filjen e Nikollë Ketën. Ai na udhëheq në rishqyrtime kritike për gjithë historinë e letërsisë shqipe, duke përfshirë periodizimin e saj. Prof. Matteo Mandalà në cdo libër ai na jep në dorë një ccelës për të studiuar edeh më përtej këtij leximi

Libri për Lekë Matrangën

Kur ka shkruar librin për Lekë Matrangën,Matteo Mandala ka rrëfyer se pse duhet hedhur dritë në secilin nga personalitetet e shquara arbëreshe, njohje që hedhin vetvetiu dritë edhe në historinë e kulturën e këtij populli.

“Interesi për veprën e Lekë Matrangës më lindi gjatë kërkimeve që zhvillova pranë arkivit historik të eparkisë së Horës së Arbëreshëve dhe të dioqezës së Monreales, rreth viteve 1980 – 1984, kur isha ende student…”, rrëfen Mandala.

Ai kujton se në vitet 1984 – 1987, gjatë një fushate kërkimore trevjeçare që ndërmori Instituti i Gjuhës dhe i Letërsisë Shqipe të Universitetit të Palermos, me nxitjen e mësuesit dhe udhëheqësit tim, prof. Antonino Guxetës, ka gjetur disa dokumente që më vonë vendosi t’i mblidhte e t’i paraqiste në një studim të shkurtër, që u botua në vitin 1989.

“Duke qenë i sigurt se të tjera dokumente do të dilnin në dritë nga hulumtime më sistematike, vijova punën, që ndërkohë e kisha shtrirë edhe mbi studimin filologjik të tekstit të katekizmit. … Megjithatë shumë çështje mbeten ende të pazgjidhura. Disa të dhëna të pakta kanë ndihmuar disi në davaritjen e mjegullës së dendur që mbulon identitetin e Matrangës e të personazheve të tjera që lidhen drejtpërdrejtë ose tërthorazi me botimin e përkthimit të tij, shumë aspekte të tjera të dorës së dytë, si fjala vjen , prejardhja e familjes Matranga, kanë tërhequr vëmendjen e studiuesve aq shumë sa askujt nuk i ka rënë në sy fakti se madje edhe mbiemri i Matrangës është shtrembëruar në Matrënga.”, është shprehur Mandala.

Mandala shprehet i shqetësuar se “Hulumtimet e kryera deri më sot mbi jetën e Lekë Matrangës nuk janë shquar për rreptësi shkencore e karakter sistematik, kushte të domosdoshme këto për inkuadrimin historiko – kulturor të veprës së tij. Gjatë rishqyrtimit të kontributeve të sjella nga studiuesit që janë marrë me këtë çështje të bën përshtypje fakti që zbulimi i disa dokumenteve të rëndësishme është bërë krejt rastësisht. Por kësaj bien në sy mangësitë, kufizimet dhe pasaktësitë që karakterizojnë përpjekjet për të rindërtuar qoftë jetën e Lekë Matrangës, qoftë edhe kontekstin historiko – kulturor në të cilin ai jetoi e punoi.”

Ky libër u botua për të parën herë në Itali në vitin 2004. Qysh atëherë mbi veprën e Lekë Matrangës nuk është sjellë asnjë kontribut tjetër i rëndësishëm. Për këtë arsye Mandala ka menduar ta botoj në shqip këtë libër ashtu siç doli shtatë vjet më parë, por pa i hequr pothuajse asgjë strukturës origjinale të veprës.

Libri për De Radën

Libri më i ri i prof. Matteo Mandalas, “Jeronim De Rada, portret artisti në rini është botuar nga “Naimi”.  Studiusi i njohur arbëresh, prof. Matteo Mandala shkruan në këtë libër se: “De Rada u bë i pari intelektual arbëresh që mori guximin të imagjinojë të ardhmen e Shqipërisë në një nga çastet më të errëta historike, kur Shqipëria as që mendohej se mund të ekzistonte si shtet i pavarur.”

Sipas Mandalasë, De Rada ishte nismëtari i letërsisë moderne shqiptare. “Botimi i Këngëve të Millosao-s në vitin 1836, jo vetëm që shënoi fillimin e një faze të re në letërsinë shqipe, por i hapi shtegun europianizmit që do të karakterizojë veprat e autorëve të mëvonshëm.”, shkruan Mandala.

Por vlera e ardhjes në dritën e botimit të një libri të ri për De Radën ka një qëllim të përcaktuar, sipas vetë autorit. Mandala deklaron se “Ka ardhur koha të rihapet çështja “De Rada” si çështje hermeneutike e historisë së letërsisë shqipe dhe si moment kthese e pikë moskthimi në procesin e zhvillimit të kulturës dhe identitetit shqiptar".

Libri për letërsinë e arbëreshëve

Gjurmime filologjike për letërsinë romantike arbëreshe” është një nga studimet më shkencore të Matteo Mandalasë që janë bërë për letërsinë e arbëreshëve, të parë deri në këtë kohë nga këndvështrime romantike apo patriotike. Në këtë libër të botuar nga “Naimi” shkruhet për trashëgiminë letrare në botën arbëreshe, për veprat e De Radës, Gavril Darës, Zef Skiroit, Frangjisk Santorit, Emanuele Bideras dhe autorëve më të hershëm, si Luka Matrënga, Nikollë Filja e Nikollë Keta. Studiuesit shqiptare janë shprehur për këtë libër se: “Matteo Mandalà është një studiues model që provon se shembja e mureve midis disiplinave dhe nëndisiplinave, shpesh të farkuar për t’i dhënë komoditet vetes në një rreth të rehatshëm, lejon që historia e letërsisë shqipe të rinjihet duke u vlerësuar, duke fituar hershmëri dhe karakter sistemor”

Libri “Mitet e historiografisë arbëreshe”

Fusha e studimeve të Matteo Mandalasë është shumë e gjerë. Asnjë studim i tij nuk lëvrohet thjesht, por zgjerohet përmes paradigmave. Kështu edhe libri “Mitet e historiografisë arbëreshe” rrëfen atë çfarë Mandala është përpjekur të zbulojë përpara nesh për identitetin kulturor arbëresh dhe mitet e krijuara rreth këtij identiteti.

“Ky libër përmbledh e shtjellon rezultatet fillestare të një projekti kërkimor më të gjerë e organik, të miratuar e të mbështetur nga Universiteti i Palermos. Thelbi i temave të rrahura, sikur-se edhe perspektiva e kërkimit në të cilën inkuadrohen ato, ka të bëjë me një studim të strukturuar, të ndërmarrë me synimin për të rindërtuar zanafillën dhe zhvillimin e identitetit kulturor arbëresh. Do saktësuar se ajo çka paraqitet këtu është vetëm pjesa destruens e projektit. Në të vërtetë, jo vetëm që janë mënjanuar përmes një shqyrtimi kritik falsifikimet në modë të historiografisë arbëreshe, por janë bërë përpjekje për ta vendosur hipotezën e kërkimit brenda atyre caqeve epistemologjike në të cilat, nga njëra anë akribia shkencore i bashkohet gjykimit gjakftohtë, ndërsa, nga ana tjetër, “falsi” (mitik ose historik) individualizohet jo vetëm për t’u dalluar nga “e vërteta”, por edhe për t’u peshuar me drejtësi që pastaj të flaket tej përfundimisht. Nuk mund të thuhet se kjo ka qenë një punë e lehtë dhe as mund të mohohet dhimbja e njëmendtë që kam provuar, kur vëreja se proceset e ndërtimit të identitetit të kulturave inferiore – siç kanë qenë e ndoshta vazhdojnë të jenë ato të pakicave gjuhësore në Itali – u janë besuar aspekteve më jetëshkurtra të projekteve të mëdha utopike që ideatorët e tyre i kanë hartuar në emër të shpëtimit të bashkësive të tyre prej margjinalizimit kulturor e, në rastin e arbëreshëve, edhe të atij social e ekonomik.”, shkruan Matteo Mandalà.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë