Njësia 13 në Tiranë, zona e parë që do furnizohet 24 orë me ujë të pijshëm, Veliaj: Përfitojnë 12 mijë banorë

Njësia 13 në Tiranë, zona e parë që do furnizohet 24 orë me ujë të pijshëm, Veliaj: Përfitojnë 12 mijë banorë

TIRANË- Njësia 13 është një ndër zonat e para në Tiranë që furnizohet me ujë të pijshëm 24 orë. Siç njofton zyra e shtypit të Bashkisë, bashkë me administratorët e pallateve, banorët kanë nisur heqjen jo vetëm të depozitave në tarraca, por edhe të atyre të përbashkëta.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe deputeti i PS, Pandeli Majko, inspektuan disa nga pallatet e njësisë, ku ka nisur çmontimi i depozitave dhe furnizimi me ujë të pijshëm 24 orë.

“Kemi hyrë në një fazë të re transformimi të Selitës. Fillimisht e shpallëm më vete Njësinë 13, që të marrë më shumë vëmendje. Kemi planifikuar këtë vit, me Ministrinë e Shëndetësisë, të kemi një Qendër Shëndetësore, po ashtu kemi bërë buxhetimin e fazës së parë të bllokut të Selitës dhe sot jemi në një situatë ku po shohim sesi po na funksionon projekti i ujit 24 orë në lagjen 13. Janë 130 pallate me 12 mijë banorë, që do të kenë ujë 24 orë”, tha Veliaj.

Sipas Veliat, investimi i bërë në depon e ujit te Qyteti i Nxënësve, e gjithë zona mund të furnizohet me ujë të pijshëm.

 “Bëmë investimin në depon e ujit te Qyteti i Nxënësve. Duke qenë se depo e ujit është në kodrinë, një pjesë e madhe e zonës furnizohet me rënie të lirë dhe me presion, sidomos në pjesën e ulët të kodrës, ku takohemi me Unazën e Re. Në pjesën e lartë të kodrës, është unaza e presionit ajo që e mban të gjithë rrjetin të karikuar 24 orë. Ka një radhë pune dhe procese që nuk ishin bërë prej vitesh. Imagjinoni, deri para pak vitesh, kjo ishte zona e Farkës, një zonë fshat me 130 pallate”, shtoi ai.

Kryebashkiaku nënvizoi se heqja e depozitave është mënyra më e mirë për të pasur një ujë cilësor. Veliaj siguroi se uji që del nga Bovilla i nënshtrohet testeve prej nga merret garanci maksimale se nuk ka ndojtje, e më pas u shpërndahet qytetarëve.

“Një pjesë e madhe e depozitave nuk janë pastruar me vite. Dakord, aty ku ka administrator dhe ai është i kujdesshëm, bëhet pastrimi periodik, por ka depozita që s’janë pastruar prej 10-20 vitesh. Qytetarët duhet ta kuptojnë, me ligj, ne bëjmë testime çdo 30 minuta të ujit, shansi që uji nga Bovilla të dalë i ndotur është zero. Uji ndotet kur futet në pallat, turbullohet në një depozitë që ka dekantuar prej vitesh, lloj-lloj punimesh e çudirash që mund të kenë ndodhur aty, dhe kjo sjell ndotje në çezmë”, sqaroi ai.

Veliaj dha lajmin e mirë se plani për furnizimin me ujë të pijshëm 24 orë do të shtrihet në të gjitha lagjet e Tiranës.

“Ata që përfitojnë të parët nga heqja e depozitave janë vetë banorët e atij komuniteti. Kjo është pak edhe si efekt domino: kemi filluar me një lagje tek kodra e Priftit, pastaj tek burgu i grave, tani jemi në Selitë. Do të vazhdojmë me këtë efekt domino në të gjitha lagjet e Tiranës për ta rritur ujin në 24 orë”, u shpreh ai.

"Në shkurt hapim linjën që vjen nga liqeni i Bovillës në impiant dhe dyfishojmë sasinë e filtrimit. Kemi pasur deri tani disa testime shumë të suksesshme të linjës; duke shtuar ujin në qytet, por edhe duke u siguruar që ky presion unazor qëndron për secilën prej lagjeve, besoj se do të jetë vetëm çështje kohe sa të heqim edhe më shumë depozita. Fillimisht depozitat i kemi hequr për efekt të tërmetit, kurse në pallatet e reja, si ai që pamë sot, po heqim edhe depozitat poshtë, duke qenë se lagja furnizohet me ujë 24 orë”, garantoi Veliaj.

Deputeti i PS, Pandeli Majko u shpreh se pavarësisht skepticizmit të fillimit, tashmë ky transformim është një realitet i prekshëm. Majko nënvizoi se 2020 do të jetë një nga vitet më të mira nga pikëpamja e investimeve dhe cilësisë së jetës.

“Hyja tek pesimistët përsa i përket heqjes së këtyre depozitave nëpër pallate, por besoj se sot jemi dëshmitarë të krijimit të një rrethi të presionit të ujit, i cili do të garantojë furnizim 24 orë. Kjo është një zonë e cila po i kthehet Tiranës me këtë investim që fillon me ujin pijshëm, që ka vazhduar me energjinë elektrike dhe do të mbyllet edhe me infrastrukturën me zonën e fundit që ka mbetur pa u asfaltuar”, u shpreh Majko.

UKT po punon paralelisht për investime në linjat kryesore të transmetimit dhe në përmirësimin e rrjeteve të shpërndarjes nëpër lagje.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë