Berisha tashma asht zhvendosë në facebook, sindromat senile s’bashkut me qenjen i papunë e kanë marrakatë e ndoshta rubrika “Ditari i Doktorit” te “Tema” asht pasqyrimi ma besnik i delirit të tij.
Mbasi ka shkatrrue të djathtën shqiptare, së bashku me vetë Shqipninë, Berisha përgatitet me përballue aktin e fundit të jetës së tij: pleqninë e mjerueshme të njeriut ma të urryem në territorin e Republikës shqiptare.
Mbas tij ka mbetë Basha, i cili në taksonominë politike s’mund të klasifikohet ma nalt se nji kandil detit, qenje pa ngjyrë, pa formë, pa shtyllë kurrizore që shtyhet sa andej këtej prej dallgëve të politikës.
Nji prej momenteve ma komike të lamtumirës së stërzgjatun të Berishës ishte takimi i tij me nji farë artistit hollandez i cili në dellin e nji marrije artistike mbërrijti me e quejt “Skënderbeu i sotëm”. Madje së bashku me artistin futjakot, i cili më kujtoi do teveqela marksista-leninista që vijshin me hangër qyl tek ne në kohë të Dullës, Berisha shestoi edhe ndrrimin e emnit të Bjeshkëve të Nemuna.
Plaku i marruem ka të përbashkët me të gjithë diktatorët jo vetëm faktin se ka vra, ka vjedhë, ka mashtrue, ka rrejt, ka delirue, ka poshtnue, por edhe veçantinë ma tipike: don me pagëzue vende, rrugë, gur, shkambij.
Jo vetëm Bjeshkët e Nemuna por e gjithë Shqipnia do të jetë ma pak e namun në atë çast që ky individ nuk do të jetë ma, kur pushteti i tij i kundërligjshëm të jetë shkatrrue plotsisht dhe ai vetë së bashku me dorasët, me vrastarët, me hajnat, me mashtruesit dhe me kandrrat tjera që e kanë shoqnue në këto vite do të marrin atë që meriton në bazë të ligjit.
Deri atëherë le të stërvitet në facebook, të hyjë në “grevën e heshtjes” mbasi kurrkush nuk e merr ma seriozisht dhe s’denjon me iu përgjegj, le të qahet në supin e mpimë të t’Ligut të Republikës, le të delirojë pafundsisht. Tashma ka hy në histori, në krah me Esat Pashën, me Haxhi Qamilin, me Enver Hoxhën e me ndonji pleh tjetër të serisë së tyne.
Ndërkaq beteja për rilindjen e Shqipnisë asht zhvendosë ma në fund në parlament, ku Edi Rama parashtroi pikat e programit të tij ambicioz. Tue gjykue prej shumë njerzve që ka thirrë kryeministri i ri, janë të gjithë gjasat që kjo qeveri të bajë diçka pozitive. Por, në qoftë se Rama don vërtetë me ia rikthye shqiptarëve besimin tek politika, nuk mjafton nji program i artikuluem kaq qartë, duhet që krye çdo mueji të tregojë me fakte se çka ka mbërrijtë me ba: sa kriminela i janë dorzue drejtësisë, sa armë pa leje janë mbledhë, sa monopole janë shkatrrue, sa ndërtime pa leje janë rrafshue, sa taksa janë mbledhë, sa gjykatës të korruptuem janë nën procedim, sa vetë ma pak janë vetëvra prej dëshpërimit, sa vende pune janë hapë etj.
Tashma beteja e Edi Ramës nuk asht beteja e së majtës, por asht lufta e shqiptarëve për me u ringjallë, tue mos harrue për asnji çast se ai që ua ka vra shpresat në këto 20 vjet nuk ka vdekë ende, asht gjallë dhe po englediset në facebook.
Shkrimi u publikua sot(13.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com(print)
(v.gj/shqiptarja.com)