Drama vazhdon edhe një muaj pas tërmetit tragjik, sfida e vështirë e strehimit në Durrës e Thumanë

25 dhjetori i lindjes së Krishtit nuk ngjalli asnjë atmosferë festive në Thumanën thuajse të shkatërruar nga tërmeti i 26 nëntorit, e një atmosferë e zbehtë ishte edhe në qytetin e Durrësit, vende ku u shënuan dëmet më të madhe dhe jetët e humbura nga lëkundja me magnitudë 6.4 e shkallës Rihter. Shumë banorë janë të akomoduar në banesa me qira, të tjerë në hotele, ndërsa banorët në zonat rurale vijojnë të qëndrojnë ende në çadra pranë shtëpive të tyre të shpallura të pabanueshme ku kanë bagëtitë dhe tokat bujqësore. Ndërsa shteti u ka ofruar bonusin e qirasë, problematikë mbetet mungesa e banesave të lira në këto zona.

Gazetarja Klesiana Omeri ishte sot në Thumanë, aty ku u shënuan 22 viktima, ndërsa u shembën 7 pallate, 6 prej të cilëve 5 katësh dhe një 3 katësh. Godinave që zunë jetë nën rrënoja nuk i ka mbetur më asgjë, përveçse mbetjeve të fundit nga shembja e tyre. Shumica e banorëve janë të strehuar në Shëngjin. Ndërsa me planin e qeverisë për rindërtimin e Shqipërisë pas kësaj fatkeqësie tragjike që preku vendin, pritet që shtëpitë e reja të mos ndërtohen më në Thumanën ku vetë banorët nuk duan të jetojnë më nën kujtimet e trishta të vdekjes dhe tërmetit tragjik ku humbën njerëzit e zemrës. Banesat e reja pritet të ndërtohen në qytetin e Krujës, ndërsa të shumta janë donatorët që janë solidarizuar me vendin tonë edhe në fazën e rindërtimit.

367 persona janë të strehuar në hotele në Shëngjin, të cilët kanë lëvizur nga zona e Thumanës, ndërkohë po në Thumanë, qëndrojnë në çadra 613 persona. Jo të gjithë janë sistemuar në çadra dimërore, e teksa ditët e acarta kanë prekur Shqipërinë ata duhet të jetojnë në kushte të vështira. Personat që qëndrojnë në çadra i kanë shtëpitë të pabanueshme.

Në Durrës, gazetarja Xhensila Kodra, solli një panoramë të situatës në qytetin bregdetar, ku pati dhjetëra jetë të humbura. Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se pasojat më fatale u shkaktuan si shkak i gabimeve njerëzore, abuzimit me ndërtimet me strukturë të dobët, që u rrënuan nga tërmeti i 26 nëntorit. 

Inspektimet në qarkun e Durrësit vijojnë çdo ditë, e ndërsa në terren vijojnë inspektimet 60 inxhinierë shqiptarë, si dhe dy ekipe të huaja çeke e franceze. Gjithsej në të gjithë qarkun e Durrësit deri më tani janë shembur 51 objekte, e ndërsa për 90 të tjera puna për tu shembur do të vijojë në ditën në vijim. Për qindra banorë të mbetur në mëshirë të fatit, e sidomos për ata familjarë që kanë zgjedhur të qëndrojnë pranë banesave të tyre, edhe pse të rrënuara, janë ngritur 1320 çadra dimërore, duke i zëvendësuar me ato të ngritura pak ditë pas tërmetit të 26 Nëntorit. Inspektorët kanë shpallur sit ë pabanueshme mbi 2 mijë objekte në qarkun e Durrësit, e ndërsa për 1310 familje, Këshilli Bashkiak Durrës u ka miratuar bonusin e qirasë.

Ndërkohë, sipas banorëve deri në datën 3 Janar i është pohuar se mund të qëndrojnë në hotele. Pas datës 3 janë të detyruar të kthehen në shtëpitë e tyre, ose të gjejnë në shtëpi me qira. Ata thonë se shtëpitë më të afërta ku duan të qëndrojnë janë në zonën e plazhit. Banorëve i është kërkuar të marrin fillimisht bonusin e qirasë. Banorët thonë se në Bashkinë e Durrësit kanë marrë vetëm njoftimin për përzgjedhjen e shtëpisë por jo për shifrën që do të përfitojnë.

E njëjta problematikë ishte edhe në zonën e Shijakut, ku banorët e lagjeve të prekura nga tërmeti me pallate të pabanueshme, ende nuk ishin strehuar me fond nga shteti dhe ndodheshin pranë familjarëve ose në çadra, pasi qyteti i Shijakut nuk ka shtëpi me qira.

Qarqet e Durrësit e Lezhës ndodhen ende në gjendjen e jashtëzakonshme pas tërmetit të 26 nëntorit që la pas 51 viktima, qindra të plagosur e me mijëra pa banesa nga dëmet e shumta që godinat pësuan. Rruga drejt rindërtimit duket e afërt pasi qeveria u ka dorëzur privatëve, mbi 200 dosje për të rindërtuar shtëpitë në zonat rurale në tri blloqe: Qarku Tiranë, Krujë, Fushë-Krujë, Lac dhe Durrës-Lezhë. 

Qeveria do të ndërtojë lagje të reja në Tiranë, Durrës, Thumanë, Kurbin dhe Laç për të strehuar banorët, së bashku me infrastrukturën shoqëruese (shkolla, kopshte, qendra shëndetësore, infrastrukturë tokësore dhe nën-tokësore) në këto lagje të reja. Ende nuk ka një faturë të dëmeve, e cila siç ka deklaruar Drejtuesi Qendror i Operacionit për Menaxhimin e Fatkeqësisë Natyrore, Bledi Çuçi, pritet të jetë gati më 16 janar, teksa është bërë formulari mbi modelet e BE-së dhe Kombeve të Bashkuara për përpunimin e të dhënave në mënyrë elektronike dhe në kohë reale.

Me nisjen e 2020-ës, Shqipëria pritet të marrë një mbështetje edhe më të madhe në janar, me konferencën e donatorëve të Bashkimit Evropian ku pritet të mblidhen të tjera fonde për rindërtimin e vendit. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:32
Një muaj nga tërmeti/ 34,940 objekte të inspektuara, 4127 familje përfitojnë bonusin e qirasë

1577363616_termet.jpg

Komiteti Ndërministror të Emergjencave Civile bën të ditur se një muaj nga tërmeti i 26 Nëntorit, 3777 persona në Durrës, Laç dhe 7 familje në Bashkinë Vorë janë akomoduar në hotele. Gjithashtu qytetarë të prekur nga tërmeti janë të vendosur në çadra dimërore si dhe në 15 njësi banimi të lëvizshme në Manzë.

Vijon puna në inspektimet e dëmeve në terren. Deri më tani grupi i inxhinierëve përbërë me ekspertë vendas dhe të huaj kanë inspektuar dhe vlerësuar 34,940 objekte nga të cilat 2950 objekte janë vlerësuar më dëmtime të rënda dhe të pabanueshme.

Inspektorati i Mbrojtjes së territorit dhe forcat xhenio raportojnë se deri më sot janë shembur 68 objekte, 51 në qarkun Durrës, 10 në qarkun Tiranë, dhe 7 në qarkun Lezhë, të përcaktuara si me rrezikshmëri shumë të lartë.

Për sa i takon politikave sociale, bashkitë respektive kanë miratuar në mbledhjet urgjente bonusin e qirasë që u jep mundësi familjeve që të jetojnë në shtëpi ndërkohe që detyrimet mujore paguhen nga shteti. Një muaj pas kësaj tërmetit , Komitetit Ndërministror i Emergjencave Civile raporton për 4127 familje përfituese të bonusit të qirasë.

– Qarku Lezhë
Total 563 familje përfituese
Bashkia Kurbin 403
Bashkia Lezhë 160

– Qarku Durrës
Total 1310 familje përfituese
Bashkia Durrës 1310

– Qarku Tiranë
Total 2254 familje përfituese
Bashkia Tiranë 1794
Bashkia Vorë 460

Ora 13:22
'Në hotel do pritet Viti i Ri?!', banorët në Durrës: Në 3 janar na nxjerrin jashtë, me pallatin nuk është bërë asgjë! (VIDEO)

Një pallat në zonën e plazhit në Durrës është shpallur i pabanueshëm, pro ka ende familjarë që shkojnë në shtëpitë e tyre jo për të jetuar, por për t'u siguruar se nuk janë bërë pre e vjedhjeve.

"Bonusi ka dalë, por kërkojmë shtëpi por nuk i japin me kontratë. Na kanë thënë që pas datës 3 do na nxjerrin nga hoteli. Ose do të jetojmë në rrugë, ose do të vijmë në këtë pallat. Frika është e madhe. Në këtë pallat ka qenë tmerr. Nuk e dimë sa është bonuesi që kemi përfituar, deri më 15 qershor do të na mbajnë me bonus. Pas 15 qershorit nuk të mbajnë më. Ata të banesave na pyesin saç keni bonusin aq do ju japim shtëpinë", tregon kryefamiljari.

E zonja e shtëpisë thotë se në pallat nuk ka ardhur askush për t'i treguar se çfarë do të bëhet me të dhe kur do të rikonstruktohet. Ndërkohë që shprehet e trishtuar për mungesëne  atmosferës së festave në familjet e prekura nga tërmeti.

"Nuk ka ardhur askush, nuk na kanë dhënë përgjigje. Ditë për ditë vijmë. Në këtë pallat nuk jeton njeri, edhe ne jetojmë në hotel. Vijmë përditë shohim shtëpitë mos na i vjedh njeri. Në hotel do pritet viti i ri, festa janë për ne këto? S'janë festa. As një pemë të vitit të Ri. Ne ikim nga hoteli se duam të punojmë, punën e kemi këtu", thotë banorja.

1577363380_gruaja.jpg

Pallati ndodhet në zonën e kryqit të Kuq, pranë stadiumit, aty ku shumë pranë u rrënua totalisht pallati 6 katësh që shoi dy familje, Diena, Roza dhe Esiela Meçja dhe Eduart, Dolora, Kristi dhe Klaus Reçi.

Ora 12:56
Thumanë/ Banorja që jeton në çadër: Kot me i lavdëru, asnjë qeveri s'ka bërë gjë për ne...shoqet tona janë në tokë tani! (VIDEO)

Prej një muaji jeton në çadër. Sot, ajo i është drejtuar qendrës shëndetësore pasi dy nga fëmijët e saj kanë shfaqur probleme shëndetësore. Ndihet e zhgënjyer nga shteti, dhe thotë se askush ndër vite nuk i ka kthyer sytë nga ta. Është historia e një banoreje në zonën e Thumanës, e cila solli rrëfimin e saj përballë gazetares Klesiana Omeri.

"Kam ardhur për ilaçet e kalamajve. Janë në serum të dy, deri dje s'kam pasur probleme. Në çadër kam 1 me 4 fëmijë.  kryebashkiaku dha urdhër vetëm për një grua shtatzënë të çonte në Shëngjin. Furgoni me ushqime nuk solli gjë për krishtlindje. vetëm isha ungjillore në Thumanë ka sjellë ushqime. Asgjë nuk kam qenë në komunë asgjë, çfarë kam punuar vet me barishte e nëpër dynja. Komuna jonë nuk ka pyetur ndonjëherë, asnjë lloj qeverie, pse me e lavdëru një, asnjë. 6 kalamaj i kam pa punë. Gocën e kam në azil kam dy jetim që ja mbaj unë", tregon banorja.

Ajo thotë se shtëpia e saj është shpallur e pabanueshme dhe ka frikë të futet brenda prej fëmijëve. Ndërkohë kujton edhe tërmetin e shtatorit, ku edhe pse i shpallën me probleme, disa shoqe të saj u futën në banesa pasi nuk mundën të qëndronin në çadra, dhe sot ato janë të vdekura si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit!

"Shtëpia ka marrë plasaritje, se ka lëvizur themeli, unë nuk mund t'i fus kalamajt atje.   Edhe më parë, ndenjën një javë në çadër e nuk i erdhi njeri, e u kthyen në shtëpi, por shoqet tona janë në tokë tani", shprehet banorja.

Banorja në Thumanë 1 muaj në çadër me djalin e saj autik: Dua vetëm një shtëpi

1577368681_florathumane.jpg

Flora prej një muaji qëndron në çadër, pasi shtëpia e saj në Thumanë u shpall e pabanueshme. Ajo ka dy fëmijë, ndërsa njëri prej tyre, djali, është autik. Për mikrofonin e Report Tv ajo thotë se nuk i ka munguar trajtimi shëndetësor, por nuk ndan të njëjtin qëndrim sa i përket shërbimeve që duhej të kishte marrë nga komuna. Ajo thotë se kërkon vetëm një shtëpi, pasi edhe banesa me qira nuk ka të lira në zonë.

"3 net tek fusha e sporti, na kthyen se ishim pa rekomandim nga komuna, në 12 të natës erdhëm i gjetëm batanijet të lagura se ishin të papërshtatshme për shiun, pastaj gjetëm këtë çadër. Unë kam dy fëmijë, njëri autik.

Kur ra shiu ka qenë vendi ujë, gati për ta ngritur çadrën e të na lënë në qiell të hapur.

Trajtimet mjekësore kanë qenë të dobëta. Stafi mjekësor nuk ka qenë i keq, nuk di me ja mohu njeriu. Vetëm se prej komunës vetëm këtë çadër na kanë dhënë.

Unë jam interesuar për gjithçka, shkova në komunë, por mungojnë shtëpi me qira, dhe kërkova kontenierë, janë më mirë se çadra. Por më thanë që nuk na ka dhënë njeri këto banesa, dhe do ta ruaj numrin dhe nëse më vjen një shtëpi portabile do ju marrim.

Më në hall se për shtëpi për momentin s'jam për asgjë tjetër. Dua të strehoj fëmijët në banesë.

Nuk kemi festuar Krishtlindjet. Kisha na ka ndihmuar shumë, i ka ndarë ndihmat në proporcion të drejtë, edhe vullnetarët.

Unë kam nevojë për strehë, është duke ardhur dimri, fëmijët janë të njomë, më keq se për strehë nuk bëhet, se një copë bukë po e hamë si mos më keq në kushtet tona. I lutem kush të ketë mundësi të na ndihmojë për një strehë se s'kemi as ku ta gjejmë, as me qira, as kurrkund", thotë Flora.

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Kafsha: 26/12/2019 12:56

    Pamjet tregojne shumë..... fshatarët kanë bere kredine për 30 vjet me masakra mjedisore. Ndertime hauresh, Bangladesh në buzë te detit. Mu tat e mu tave qe dhunuan bregdetin tonë te shenjte!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës