Një ditë pas vendimit të Kushtetueses që riktheu në detyrë Belinda Ballukun, Sali Berisha njoftoi nisjen e protestave kombëtare. Por vëmendjen kryesore në mbledhjen e kryesisë e mori lëvizja e re brenda PD-së e Ervin Salianjit, i cili ia tha në sy Flamur Nokës se e ka shkatërruar partinë dhe duhet të dorëhiqet. Gishtin ndaj sekretarit të përgjithshëm të PD-së, e drejtoi edhe i vetmi anëtar që i doli në krah Salianjit, Bislim Ahmetaj i cili me ironi tha se partia nuk ka kohë të takojë njerëz, pasi janë të zënë të mbajnë Flamur Nokën me makinë 100 mijë euro.

***

Nëse Ervin Salianji nuk do të ishte kthyer në figurën që ka nisur të trazojë qetësinë brenda demokratëve me lëvizjen për zgjimin e partisë, imazhi i ish-deputeti i rrethuar nga gazetarët dhe Sali Berisha që lë në heshtje i vetëm selinë blu këtë pasdite të shtune, pa marrë vëmendjen mediatike, me gjasë nuk do të ishte shfaqur.

Kryesia e PD-së që Sali Berisha e mblodhi me urgjencë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që riktheu në detyrë Belinda Ballukun, nuk shkoi sipas pritshmërive të liderit demokrat, edhe pse për herë të parë ai artikuloi vendimin që vetë Ervin Salianji kishte kërkuar prej kohësh, revoltë dhe jo foltore para kryeministrisë: “Data 22 dhjetor të jetë data e protestës së parë të përgjithshme kombëtare”.

Mbledhja 4 orë me dyer të mbyllura u përfshi nga debate të ashpra, e me tone të larta të cilat u dëgjuan edhe në korridoret e selisë blu nga gazetarët. Ishte hera e parë që nga nisja e lëvizjes që konkurron linjën e PD-së, që ish-deputeti Ervin Salianji u ul përballë kolegëve anëtarë të kryesisë, dhe i tha në sy me emra, se kë bën përgjegjës për thellimin e humbjeve të njëpasnjëshme të PD-së përballë mazhorancës socialiste.

 “Jep dorëheqjen Flamur. E ke shkatërruar partinë”, mësohet t’i jetë drejtuar sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, qëndrim që e nuk e mohoi edhe në përfundim të mbledhjes

“I kam thënë gjithçka që kisha për të thënë në mbledhje”, tha Salianji pas mbledhjes së Kryesisë së PD.

 Flamur Nokën e bën përgjegjësin kryesor për zgjedhjen e Endri Shabanit si Avokat Populli me firmat e demokratëve, edhe pse formalisht opozita u tërhoq nga nënshkrimet.

“Po bëj përgjegjës drejtuesit e PD për paqartësinë në vendimmarrje të caktuara”, tha Salianji.

Numri 2 i partisë, iu përgjigj me të njëjtat akuza të artikuluara edhe nga Berisha si grup tradhtar

“Dorëheqja ime apo dikujt tjetër këtu qetëson vetëm një gjë, Ramën dhe shërbëtorët e tij”, tha Noka.

Madje për të justifikuar dështimin me mbështetjen nga vetëm një grusht militantësh të foltoreve para kryeministrisë dhe ato që Sali Berisha ka nisur paralel me turin e Salianjit nëpër rrethe, Noka, shkon në të tjera skenare: “Kemi pasur ankesa nga Elbasani që Suel Çela është angazhuar për të kërcënuar demokratë që të mos marrin pjesë në foltoren e Berishës, por në atë tjetrën”.

Përgjigjen se kush e ka mbështetjen e vërtetë ia dha anëtari i kryesisë Bislim Ahmetaj, i vetmi që në mbledhjen me dyer të mbyllura, mësohet se i doli në krah Ervin Salianjit dhe lëvizjes që ai ka nisur për një rizgjim të PD-së.

“Dil ti Flamur, a mbledh dot njerëz?  Se ne jemi shumë të zënë si parti, mbajmë ty me makinë 100 mijë euro me kondicioner ndezur behar e dimër”, ka thënë Ahmetaj. 

Brenda mbledhjes së Kryesisë, ish-deputeti Salianji është përplasur edhe me Sali Berishën.

“Sot mendova se e kishim mbledhjen për të rrëzuar Ramën, e paskeni me mua. Po e zhvendosni vëmendjen plotësisht nga Rama”, mësohet të ketë thënë Salianji në mbledhjen me dyer të mbyllura të kryesisë.

Nga burimet brenda mbledhjes së kryesisë, mësohet se Salianji i është drejtuar Berishës se cili nen i statutit, ndalon anëtarët e kryesisë të takojnë demokratët.

“Demokratët e neglizhuar duhen dëgjuar jo përjashtuar si tek PS, kush mendon ndryshe është vlerë dhe jo problem”, është shprehur Salianji.

Ndërkohë debate kanë patur edhe për për moskandidimin në listat e 11 majit të Hysen Kadisë, pavarësisht se demokrati i Kavajës doli më i votuari në Qarkun Tiranë në Primaret e organizuara nga vetë kryedemokrati.

Berisha: Ata që po shkojnë tek takimet jashtë axhendës së partisë janë ata që në fushatë nuk punuan një ditë për PD-në por për Edi Ramën. Hysen Kadia ishte në Amerikë. Nuk bëri një ditë fushatë. Kam mesazhet.

Salianji: Kam unë fotografi fshatrave të Kavajës duke bërë fushatë (demokrati më i votuar i primareve në qarkun Tiranë). Kjo nuk është e vërtetë.

Pas mbledhjes së Kryesisë, pritet të mblidhet edhe Këshilli Kombëtar i Partisë demokratike, i cili nuk ka zhvilluar asnjë takim që prej humbjes së thellë të 11 majit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:44
‘Po kanalizojnë zemërimin e njerëzve te ne’, zbardhen replikat me dyer të mbyllura! Berisha: Duhet të kërkojmë falje publike secili prej deputetëve që ka firmosur për Avokatin e Popullit

1765564327_aa.JPG

Në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Demokratike, debatet pa media, u përqendruan te organizimi i protestës dhe te çështja e Avokatit të Popullit. Sali Berisha kërkoi që deputetët që kanë firmosur të kërkojnë falje publike, ndërsa Flamur Noka dhe Bislimi Ahmetaj u përplasën për përgjegjësitë në strukturat e partisë.

Ervin Salianji kritikoi vendimmarrjen e drejtuesve dhe theksoi nevojën për të fokusuar energjitë te skandalet e qeverisë Rama-Balluku, ndërsa Bled Himçi dhe Alizoti nënvizuan rëndësinë e ruajtjes së idealeve të PD-së dhe bashkimit të demokratëve për protestën e 22 dhjetorit.

Debati i plotë:

Noka: Pas daljes së mediave, sipas pikës 1 të rendit të ditës, e vetmja pikë në rend dite, fillojnë diskutimet për protestën.

Sali Berisha: Duhet të kërkojmë falje publike secili prej deputetëve që ka firmosur për Avokatin e Popullit dhe Rama le ta gëzojë, siç ka 98% të pushtetit, të shkojë 99%.

Topalli: Jo mor, mos e gëzoftë.

Berisha: Ta gëzojë. Ne nuk do të merremi as në Gjykatën Kushtetuese. Ky ishte gabim dhe ne duhet ta pranojmë.

Bislimi Ahmetaj: Mendoj që përgjegjësinë e ka Flamur Noka për gjithë këtë çorganizim të organizuar që ka partia dhe mendoj se do ta kemi të vështirë të na vijnë njerëz.

Me këtë reagim po neglizhojmë demokratët dhe Avokati i Popullit është përgjegjësi e Nokës. Me Salianjin nuk kam pasur simpati, se jemi përplasur, por sot, me lëvizjet që po bën, i jap të drejtë.

Noka: Në Durrës nuk kanë qenë demokratë. Arlind Boshku dhe Tan Burgia janë zëra të Dyrmishit dhe Ergysit.

Salianji: Janë sekretari i degës dhe kryetari i grupit të këshilltarëve të PD-së. Pse sot, që nuk mendojnë si ju, janë kundër këta?! Po këta emrat e PS-së pse nuk i përmendni ju në publik?

Noka: Në Elbasan njerëzit thonë që po angazhohet Suel Çela për të mos pasur njerëz te foltorja dhe ky është ndikimi yt (Salianjit).

Salianji: Ende nuk e kam caktuar takimin, por meqë deri sot kam menduar që nuk dua përçarje dhe as dua të flas, po të them që ti duhet të jesh i kujdesshëm, sepse ke qenë i akuzuar para 4 vitesh se mblidhje firmat e seksioneve nën kërcënimin e Suelit. Pastaj, se kush e takon, ju e dini që jua sjell me fakte nëse vazhdoni me këto idiotësi.

Noka: Në Gjirokastër nuk kishe kryesi.

(Salianji lexon të gjithë emrat e kryesisë)

Salianji: Mbi 80% e kryesisë dhe salla plot, por edhe sikur, pse nuk shkon ti, Flamur, apo ndonjë tjetër dhe t’i mbushë sallat?

Avokati i Popullit ishte gabim strategjik. PD duhet të shkonte me një kandidat. E kemi dërguar para 4 vitesh Ledio Brahon kandidat të vetëm dhe e ka rrëzuar Rama. Nuk mund t’u thuash deputetëve “firmosni kë të doni” dhe pastaj të thuash pse na e hodhi Rama. Kjo duket si pazar te njerëzit dhe ti, Flamur, meqë po i del për zot, duhet të japësh dorëheqjen për shkatërrimin e strukturës, organizimit dhe perceptimin që jeni shitur te Rama.

(Ndërhyn Noka…)

Salianji: Mos më ndërhy, se është fjala ime. Mendoj që pas kësaj duhet të vëmë mend. Mos ulemi më me Ramën as te reforma zgjedhore, as te territorialja. Të japim propozimin tonë. I imi është: të hapen listat, të kemi koalicione parazgjedhore dhe të ndryshojë mënyra e votimit për diasporën. Dhe te territorialja të propozojmë bashkitë sipas propozimeve të demokratëve dhe qytetarëve.

Sali Berisha: Hysen Kadiu ka ikur në fushatë në Amerikë. Ia kam premtuar që do të jetë në listë të sigurt, por s’e mbajta dot, por ai iku, ma ka thënë.

Salianji: Ka qenë në fushatë dhe ka foto të tij nëpër zona, duke bërë thirrje për fushatë për të votuar PD-në.

Berisha: Po gënjen, ai s’ka punuar.

Salianji: Edhe falë tij jemi 2800 vota para. Fjalën “gënjen” tërhiqe.

Berisha: Jo, nuk ka qenë.

Salianji: Të respektoj si kryetar partie, por fjalën “gënjen” tërhiqeni ose dal nga mbledhja.

Berisha: Ai më ka dërguar SMS vetë.

Salianji: Mendova që sot duhet të flisnim vetëm për skandalin Rama–Balluku. Sot, me këtë, po zhvendosni vëmendjen. Problemi qenka shqetësimi që kanë demokratët dhe jo vjedhjet e qeverisë. Unë erdha t’i bëjmë gjyqin qeverisë, por nëse doni për demokratët, ja e bëjmë. Do më keni me celular në dorë për të denoncuar këdo që bashkëpunon me qeverinë.

Bled Himçi: Mbi interesat personale nuk mund të shesim idealet e PD-së. Të bësh profanin duke akuzuar deputetët që kanë bërë gabim se kanë firmosur për Endri Shabanin, kur ti ke qenë iniciatori për mbledhjen e firmave për Endri Shabanin, kjo nuk të nderon dhe nuk ka moral. Mua ma ke kërkuar personalisht ti dhe unë nuk pranova të firmosja. Ua ke kërkuar edhe kolegëve të tjerë dhe ata, në mirëbesim, ta dhanë. Nuk mund të qëndrojnë në Partinë Demokratike edhe demokrati idealist, edhe pazarexhiu. Nuk mund të qëndrojnë në PD edhe militanti, edhe ai që helmon çdo ditë në media apo rrjete sociale, në emër të faktit që po i dhimbsen demokratët, ndërkohë që kanë punuar hapur në zgjedhjet e 11 majit.

Salianji: As kam qenë në Elbasan këtë periudhë, as kam bërë takim deri tani. Ndërkohë, çfarë të them, të kanë detyruar ta thuash dhe e thua, por kujtohu se po e shoh që as emrin nuk e paske në listë. Qesharak mund të bëhesh edhe me vetëdije.

Berisha: Takimet i kam konsideruar private.

Salianji: Nëse në takime private mblidhni aq shumë njerëz, vetëm mirë i bëni PD-së. Të dalë secili të mbledhë aq njerëz në çdo zonë dhe ne i mbushim sheshet.

Alizoti: Jemi në një situatë të vështirë. Shqiptarët janë të mërzitur me Ramën dhe Ballukun për vjedhjet e tyre të mëdha. Mediat e pushtetit, me këtë mbledhje, duan të kanalizojnë zemërimin e njerëzve tek ne. Nuk duhet ta lejojmë këtë, duhet t’u tregojmë të gjithëve që jemi bashkë. Kjo është e vetmja shpresë për shqiptarët.

Këlliçi: Sa i takon protestës, mendoj se duhet të kemi të qartë çfarë do bëjmë: cili është plani A, cili është plani B dhe cili është plani C. Ne duhet të vijojmë aksionin tonë me këtë protestë të fuqishme, të egër, dhe duhet të punojmë që në shesh të jenë sa më shumë njerëz. Pra, 22 dhjetori nuk duhet të jetë shëtitje. Dua të bëj edhe një propozim: 22-shi është e hënë, mos duhet ta çojmë të dielën?

Berisha: Edhe sikur 300 të jenë, ne do t’u përgjigjemi. Nuk ka rëndësi pjesëmarrja.

Ora 20:48
'Uji i ndenjur ka nevojë për rifreskim', Kadiu i përgjigjet Berishës: Doktor, të kanë keqinformuar! Nuk kam punuar për Ramën më 11 Maj

Demokrati më i votuar në Qarkun Tiranë në Primaret e Partisë Demokratike, Hysen Kadiu, i është përgjigjur Sali Berishës, i cili sot në mbledhjen e Kryesisë së partisë tha se Kadiu ka punuar për fitoren e Edi Ramës gjatë fushatës për zgjedhjet e 11 majit. 

Kadiu, i cili nuk u përfshi në listat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e fundit parlamentare, rrëzon akuzat e Berishës duke postuar foto nga takimet e tij me qytetarë gjatë fushatës, si dhe kërkon tërthorazi largimin e krydemokratit nga drejtimi i Partisë Demokratike.

"Sot në mbledhje të Kryesisë, kryetari Sali Berisha, ndër të tjera, ka hedhur akuza edhe ndaj meje, se gjatë fushatës së zgjedhjeve të 11 majit kam punuar për Edi Ramën dhe nuk kam dhënë asnjë kontribut për PD.

I them doktor Berishës dhe të gjithë atyre që i rrinë afër dhe e kanë keqinformuar, se aktiviteti im gjatë fushatës është publik në Facebook-un tim. Sikundër, më mirë se kaq, këtë e dëshmojnë qytetarët e Kavajës dhe zonave përreth, që si në fushatë, para dhe pas saj, kemi qenë në kontakte dhe takime të vazhdueshme.

Beteja jonë nuk është me PD-në dhe demokratët, por me Edi Ramën. Çdokush që përpiqet të hedhë baltë mbi kontributin tim personal dhe të gjithë atyre që duan më të mirën për PD-në, janë të interesuar vetëm për karrigen e tyre.

Demokratët kanë sot më shumë se kurrë nevojë për bashkim dhe jo për përçarje, për organizim dhe jo për “armiq të brendshëm”. Asgjë e keqe nuk i vjen PD-së nga kritikat dhe riorganizimi. Sikundër uji i ndenjur prej shumë vitesh ka nevojë për rifreskim, dhe këtë e thonë me zë të ulët edhe ata që përpara Sali Berishës heshtin.

Ndërsa ne kemi vendosur ta themi me zë të lartë, përpara se të jetë vonë",- shkruan Hysen Kadiu në Facebook.

Ora 20:20
'Firmat për Shabanin gabim', Gjekmarkaj dorëzon dorëheqjen si nënkryetar i PD-së, por Berisha s'ia pranon! Kërkohet shkarkimi i Bardhit dhe i Nokës

Agron Gjekmarkaj i ka dorëzuar dorëheqjen nga funksioni i nënkryetarit të Partisë Demokratike kryetarit të saj, Sali Berisha, por ky i fundit nuk ia ka pranuar.

Sipas burimeve, Gjekmarkaj ka pranuar se firma e vendosur për kandidaturën e Endri Shabanit për Avokat të Popullit, ka qenë një gabim, dhe në këtë kuadër i ka komunikuar Berishës vendimin për të dhënë dorëheqjen.

“Vendimi për ta pranuar ose jo mbetet në kompetencën tuaj”, ka deklaruar Gjekmarkaj, duke e cilësuar këtë hap si një akt kërkimfaljeje.

Ndërkohë, anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Bislim Ahmetaj, ka kërkuar mbledhjen e Këshillit Kombëtar për të vendosur për dorëheqjen e Gjekmarkajt dhe shkarkimin e Gazment Bardhit dhe Flamur Nokës.

Ora 19:30
‘Punoi për Edi Ramën’, Berisha përplaset me Salianjin për Hysen Kadinë! Ish-deputeti: Demokratin më të votuar s'e futët në lista

1765650504_hysenkadiuervinsalianjisaliberisha.png

Hysen Kadia, Ervin Salianji dhe Sali Berisha

Ervin Salianji është përplasur ashpër edhe me Sali Berishën në mbledhjen e Kryesisë së PD-së. Salianji ka kritikuar Berishën se përse nuk ka përfshirë në listat e 11 majit më të votuarit e primareve, mes tyre edhe Hysen Kadinë, i cili rezultoi demokrati më i votuar në qarkun e Tiranës.

Sipas debateve që Report Tv ka zbardhur, mësohet që Berisha t’i këtë thënë Salianjit se Kadia i ka shërbyer Edi Ramës dhe se gjatë zgjedhjeve nuk ka bërë fushatë pasi ka qenë në Amerikë. Por, ish-deputeti i ka thënë se kjo nuk është e vërtetë, pasi ka edhe foto të tij që ka bërë fushatë bëpër fshatrat e Kavajës.

Berisha: Ata që po shkojnë tek takimet jashtë axhendës së partisë janë ata që në fushatë nuk punuan një ditë për PD-në por për Edi Ramën. Hysen Kadia ishte në Amerikë. Nuk bëri një ditë fushatë. Kam mesazhet.

Salianji: Kam unë fotografi fshatrave të Kavajës duke bërë fushatë (demokrati më i votuar i primareve në qarkun Tiranë). Kjo nuk është e vërtetë.

Berisha: Po gënjen, ai s’ka punuar.

Salianji: Edhe falë tij jemi 2800 vota para. Fjalën “gënjen” tërhiqe.

Berisha: Jo, nuk ka qenë.

Salianji: Të respektoj si kryetar partie, por fjalën “gënjen” tërhiqeni ose dal nga mbledhja.

Berisha: Ai më ka dërguar SMS vetë.

Salianji: Mendova që sot duhet të flisnim vetëm për skandalin Rama–Balluku. Sot, me këtë, po zhvendosni vëmendjen. Problemi qenka shqetësimi që kanë demokratët dhe jo vjedhjet e qeverisë. Unë erdha t’i bëjmë gjyqin qeverisë, por nëse doni për demokratët, ja e bëjmë. Do më keni me celular në dorë për të denoncuar këdo që bashkëpunon me qeverinë.

Në debate është përfshirë edhe deputeti Blendi Himçi, i cili thotë se kryetarët e grupseksioneve nuk shkuan tek takimet e Sali Berishës, por duan të shkojnë tek takimet e Salianjit. Këtë të fundit e akuzuan se Suel Çela po i mbledh njerëz nëpër takime, akuza që u mohuan në mënyrë kategorike nga Salianji pas përfundimit të mbledhjes.

Pjesë nga debatet

Himçi: kryetarët e grup seksioneve nuk erdhën në takimet e Sali Berishës e duan të vijnë tek ty. Ata punuan në fushatë për Sara Milen

Salianji: po mirë, do t'i heqësh se po vijnë tek unë dhe po gjen arsye tani. E shikoni ku jemi katandisur? Ca po na ikin vetë, ca i hiqni ju, edhe nuk e kuptoni që e keqja jemi vetë.

Noka: Jam informuar se Suel Çela ka shantazhuar njerëzit tanë të mos ishin dje tek Berisha e të vijnë nesër tek ty

Ora 18:42
'Ne të mbajmë ty me makinë 100 mijë euro', Bislim Ahmetaj ia thotë në sy Nokës: Salianji mbledh njerëz, ti e bën dot?

Debateve të ashpra në mbledhjen e Kryesisë së PD-së i është bashkuar edhe Bislim Ahmetaj, i vetmi anëtar që doli në mbështetje të Ervin Salianjit pas përplasjes së tij me Flamur Nokën dhe Sali Berishën. Report Tv ja zbardhur fjalën e tij brenda në mbledhje, ku mësohet të ketë thënë se nuk e ka dashur Ervin Salianjin kur asokohe bashkë me Berishën rrethuan selinë e PD-së për t’ia marrë atë Lulzim Bashës.

Ahmetaj ka thënë se Salianji ka shkuar në seli me shkop bejsbolli, por ai mbledh njerëz nëpër takime. Dhe këtu ka pyetur drejtpërdrejtë Nokën, “Dil ti Flamur, a mbledh dot njerëz?”. Më tej me ironi,  Ahmetaj ka thënë se ne jemi shumë të zëze, duke mbajtur Nokën me makinë 100 mijë euro.

“Salianji ka ardhur me shkop bejsbolli këtu e unë nuk e kam dashur. Po ai mbledh njerëz. Dil ti Flamur, a mbledh dot njerëz?

Se ne jemi shumë të zënë si parti, mbajmë ty me makinë 100 mijë euro me kondicioner ndezur Behar e dimër. Për këtë shpenzojmë më shumë. Jo për të takuar njerëz”, mësohet të ketë thënë Ahmetaj në mbledhjen me dyer të mbyllura të Kryesisë së PD.

Ora 18:31
VIDEOLAJM/ Debatet brenda mbledhjes së Kryesisë, Salianji rrethohet nga gazetarët, Sali Berisha ikën në heshtje nga selia

Lëvizja e Salianjit ka trazuar prej kohësh situatën brenda Partisë Demokratike. Mbledhja e parë e Kryesisë, që pasi Salianji nisi foltoret, përfundoi në 4 orë debate të ashpra mes tij dhe Flamur Nokës e Sali Berishës, të cilët e akuzuan se po i shërben PS.

Në përfundim të mbledhjes, interesi i gazetarëve ishte tepër i lartë për të dëgjuar Ervin Salianjin, i cili ka dalë nga rreshti dhe i kërkoi hapur dorëheqjen Flamur Nokës edhe brenda mbledhjes së PD. Në këto video që sjell Report Tv, dallohet momenti kur Salianji është i rrethuar nga gazetarët, ndërsa Berisha del nga selia blu dhe largohet në heshtje drejt makinës.

Ora 18:12
Flamur Noka i shmanget thirrjes së Salianjit për dorëheqje dhe thur skenarë me Suel Çelën: U ka kërkuar demokratëve të mos shkojnë në takimin e Berishës, por te një foltore tjetër....

Pasi Ervin Salianji i kërkoi dorëheqjen nga PD me argumentin se e ka shkatërruar partinë, Flamur Noka foli para gazetarëve pas mbledhjes së Kryesisë, por iu shmang thirrjes për dorëheqje.

Ai filloi të thurë skenarë për Suel Çelën, një personazh i njohur i botës së krimit që e kanë akuzuar për lidhje me PS, se kësaj radhe është futur brenda radhëve të PD dhe se u ka kërkuar demokratëve që të mos shkojnë në takimin e Sali Berishës në Elbasan, por në një takim tjetër. Duke iu referuar këtu foltores së radhës që pritet të organizojë Ervin Salianji, ndonëse këtë të fundit nuk guxoi as ta përmendë me emër.

Dorëheqja sipas tij, do t'i shërbente vetëm Ramës dhe shërbëtorëve të tyre, por edhe në këtë rast emrin e Salianjit nuk e përmendi dhe para kamerave nuk guxoi të thotë se me shërbëtor nënkuptonte ish-deputetin, foltorja e së cilit ka irrituar jo pak lidershipin e PD.

“Tani unë po flas këtu për axhendën e demokratëve dhe të opozitarëve, ju po flisni për axhenda jashtë partiake që janë në shërbim të qeverisë. 

Por sot dorëheqja e vetme që kërkohet nga gjithkush është dorëhqeja e Ramës. Dorëheqja ime apo dikujt tjetër këtu qetëson vetëm një gjë, Ramën dhe shërbëtorët e tij”, tha Noka.

Aludimet se ish-deputeti Salianji përmes Suel Çelës dhe deputetes së PS, Sara Mila po tenton të organizojë takim në Elbasan, duke e shitur si takim me demokratë, Flamur Noka i ka shfaqur edhe në mbledhjen me dyer të mbyllura të Kryesisë.

"Kemi pasur ankesa që nga Elbasani, që Suel Çela është angazhuar për të telefonuar, pra për të kërcënuar dhe shantazhuar demokratë që të mos merrnin pjesë në foltoren e Sali Berishës dje, por të marrin pjesë në një foltore tjetër, të, nesër apo pasnesër, nuk e di datën saktë.

Këtë po ju them, kaq. Dhe kjo gjë sigurisht, ky është një shqetësim sepse çfarë është? Pse? Ne e kemi bërë publik me kohë. Ne kemi thënë që kundër Partisë Demokratike, është regjimi i Edi Ramës, janë kartelet dhe një nga kartelet që kërkon këtë gjë është ai i Elbasanit", tha Noka. 

Akuza të cilat u mohuan kategorikisht nga ish-deputeti përballë gazetarëve.

“S’kam takuar asnjë person të krimit, këto se di nga dalin, janë muhabete kot. Jam i keqardhur që mbledhja e zhvendos foksusin nga protesta”, tha Salianji, duke shtuar se çdo akuze do t'i përgjigjen me fakte dhe me prova. 

Ora 17:46
Dy deputetë akuza Salianjit se ka kërkuar firmat për Shabanin! Ish-deputeti: Përgjegjës drejtuesit, s’mund të rrimë peng i interesave personale

Report Tv zbardh debate të tjera në nga mbledhja e Kryesisë së PD-së. Mësohet se dy deputetët Blendi Himçi dhe Elda Hoti kanë pretenduar se kanë firmosur për kandidaturën e Endri Shabanit si Avokat Populli, pasi ua ka kërkuar Ervin Salianji.

“Firmosëm për Endri Shabanin se na e kërkove ti. Na more në telefon dhe na kërkove si nder që ti japim firmën. Pastaj dole ne TV dhe the dhënia e firmave ishte gabim”, mësohet të kenë thënë ata në mbledhje.

Akuzat u mohuan nga Ervin Salianji pas mbledhjes së Kryesisë, i cili përgjegjësinë e sheh tek lidershipi i PD-së, më konkretisht tek Flamur Noka të cilin e ka akuzuar edhe brenda mbledhjes së Kryesisë së PD.

Pyetje: Kërkuat dorëheqjen e Flamur Nokës. I qëndroni këtij mendimi?

Ervin Salianji: Vendimmarrja e PD e cila ishte e paqartë në mjaft situata e bën përgjegjës. Ju kujtoj një rast të caktuar, kur u zgjodh Bamir Topi president, në momentin që 6 deputetë të PS votuan, pati dorëheqje të menjëhershme. Nuk mund të rrimë peng i interesave personale…

Pyetje: Po bëni përgjegjës Flamur Nokën për Avokatin e Popullit?

Ervin Salianji: Po bëj përgjegjës drejtuesit e PD për paqartësinë në vendimmarrje të caktuara.

Ndërsa teksa largohej tha me ironi “Edhe firmat i kam firmos unë që s’jam deputet”.

Ora 17:38
Përplasja me Nokën e Berishën, Salianji ironi pas mbledhjes së Kryesisë: 4 orë ‘protestë’ ndaj demokratëve të pakënaqur, gjysmë ore për Ballukun

Pas 4 orëve mbledhje në Kryesinë e PD me tone të ashpra dhe debate me Flamur Nokën dhe Sali Berishën, anëtari Ervin Salianji ironizoi takimin. Në një prononcim për gazetarët, Salianji tha me ironi se 4 orë u protestua në mbledhje ndaj demokratëve të pakënaqur, duke iu referuar debateve ndaj foltoreve që ai ka nisur me demokratët, ndërsa gjysmë ore tha se u protestua për skandalin e Belinda Ballukut.

Salianji:Organizimi i protestave dhe revoltës ndaj qeverisë për shkak të skandalit Rama-Balluku, isha i gëzuar që vendimmarrja për protestën e datës 22 shkoi aty ku e kam kërkuar prej kohësh, për të pasur protesta dhe revoltë. Më vjen mirë që në 4 orë pati protestë ndaj demokratëve të pakënaqur dhe gjysmë ore ndaj Ballukut”, tha Salianji.

Pyetje: Mbledhje kundër jush?

Salianji: Jo kishte mendime të ndryshme, do ecim para, çdo ndryshim nuk vjen pa sakrificë dhe pa reagime e përplasje, çdo akuzë dhe çdo idiotësi do t’i përgjigjemi me fakte konkrete dhe me emra konkretë.

Ora 13:42
Salianji kundër linjës 'Berisha': Rruga e duhur janë revoltat, jo foltoret para Kryeministrisë (VIDEO)

Demokrati Ervin Salianji ka dalë hapur kundër linjës së ndjekur nga Sali Berisha, duke theksuar se Partia Demokratike duhet të fokusohet te protestat dhe revolta qytetare, e jo te foltoret para Kryeministrisë.

“Është momenti që të fokusohemi tek protesta, tek revolta, përballja me qeverinë, te dëgjesa e çdo shqetësimi qytetar. Nëse nuk jemi të aftë t’i përkthejmë në energji shqetësimet e demokratëve, do ta kemi të vështirë siç po e kemi për të bërë protesta.

Rruga e duhur janë revoltat, jo foltoret para Kryeministrisë. Shpresoj që kjo të jetë vendimmarrja e kryesisë i kam thënë në çdo mbledhje e do i them sërish. Kam qenë në çdo protestë dhe i jam nënshtruar vendimmarrjes së partisë", - u shpreh Salianji para nisjes së mbledhjes së kryesisë së PD.