Mbrëmjen e sotme, në emisionin ‘Frontline’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv, u diskutua lajmi i shpërndarë nga PD, se kryedemokratit Sali Berisha i është hequr non grata.

Deputetja socialiste Sara Mile, juristi Indrit Sefa, ish-drejtuesi i lartë i Policisë, Shemsi Prençi dhe analisti Ilir Demalia, kanë diskutuar mbi vërtetësinë e informacionit për heqjen e ‘non gratës’ Sali Berishës dhe për impaktin që ky vendim mund të ketë në PD, por edhe në politikën shqiptare.

Për deputeten Sara Mile, nuk bëhet fjalë për heqjen e ‘non gratës’ ndaj Berishës, por mund të jetë një lehtësim në sanksionimin e tij nga SHBA, për arsye të ndryshme.

Më tej Sara Mile tha se Berisha ‘non gratën’ më të madhe e ka marrë nga shqiptarët dhe sipas saj, ato që ajo i cilësoi si beteja të vogla personale të saj, nuk do të kenë ndonjë impakt në jetën politike të vendit.

“Presim një vendim zyrtar. Sepse zakonisht ky është protagonist i asaj lojës që ta shpallim gjënë pa ndodhur gjëja. Sepse ky këtë punë bën edhe me zgjedhjet, del feston fitoren, pastaj del që humbet zgjedhjet. Edhe Berishës vetë nuk ia nxinte goja të fliste për një largim të non gratës, sepse nuk është e tillë. Ndoshta mund të kemi një pezullim të një rasti specifik, siç ka ndodhur edhe herë të tjera, për interesin kombëtar të vetë SHBA-së. Unë mendoj që Berisha non gratën më të madhe e ka nga shqiptarët në fakt. Kështu që për aq kohë sa është një non grata që ka çuar PD-në në atë derexhe që e ka çuar sot, atëherë nuk besoj se këto luftërat e veta të vogla mund të kenë ndonjë efekt. Nëse do të ketë ndonjë lajm pozitiv për Sali Berishën dhe familjen e tij, nuk do të jetë lajm pozitiv për PD-në”, tha mes të tjerash Sara Mile.

Nga ana tjetër, Shemsi Prençi deklaroi se non grata për Berishën është hequr. Prençi tha se ky duhet të jetë një lajm i gëzueshëm dhe sipas tij, nuk është mirë që në PS u gëzuan kur kryedemokrati u sanksionua nga SHBA.

Më tej Prençi akuzoi gjithë klasën politike për korrupsion, teksa tha se protestat e nisura gjatë ditëve të fundit nga qytetarët, janë të ngjashme me ato të viteve 1990, që mund të çojnë në përmbysjen e sistemit politik.

“Unë ndihem shumë mirë që Sali Berishës i është hequr non grata. Në një vit përpara, kryeministri i Shqipërisë e kërcënonte Sali Berishën në Parlament ‘a e kalon dot oqeanin apo jo’. Është mjerim që një krah politik gëzohet kur shpallet non grata një i krahut tjetër. Sot korrupsioni ka shkuar në nivele akoma më të larta, sa ta përmendin si kusht BE çështjen Balluku dhe çështjet e kryebashkiakëve të dënuar. Unë kam denoncuar edhe korrupsionin e Saliut, edhe korrupsionin e Ramës. Nuk ndihem mirë në bipolarizimin ekstrem të politikës shqiptare në raport me integrimin e shqiptarëve në BE, sepse në BE nuk shkon Rama dhe Berisha, por shqiptarët. Shqiptarët kërkojnë ndryshim. Pse e kërkojnë ndryshimin ata? Sepse gjithë klasa politike shqiptare kanë qeverisur me arrogancë. Koha do ta tregojë ecurinë e protestës. Kështu ka filluar edhe 1990, edhe 1991, edhe 1996. Valimin e kazanit duhet ta ndjekim hap pas hapi”, tha mes të tjerash Prençi.

Ndërkohë për juristin Indrit Sefa, e rëndësishme do të jetë impakti që do të ketë heqja e non gratës, në raportet që Sali Berisha do të ketë me ambasadat dhe përfaqësuesit e huaj në Shqipëri.

“Është hera e tetë që ja heqin non gratën Berishës. Ja hoqën njëherë para zgjedhjeve. T’ja heqin fare. Unë se di që nga BE ka pasur non grata. Ka mundësi që të venë përfaqësuesit e BE-së në zyrën e Berishës për takim? Mirë, keq, atë kemi lider të opozitës. Ka mundësi të na thotë Berisha kur do kthehet në tryezë me këta ambasadorët? A do takohet Berisha nga ambasadori i ri i SHBA-së që do të vijë në Shqipëri? Sepse çfarë thotë Saliu, unë nuk e marr për bazë”, tha Sefa.

Ndërsa analisti Demalia tha se nëse ke ‘non grata’ nga SHBA, absolutisht nuk mund të marrësh vizë për në SHBA. Sipas Demaliajt, në vendimin e marr nga Departamenti Amerikan i Shtetit disa vite më parë për Berishën, ishte e shprehur qartë se ndaj tij ishte vendosur masa ‘non grata’.

“Nëse ke non grata, absolutisht nuk mund të marrësh viza për të shkuar në SHBA. Kurse viza është një refuzim rutinë. Deklarata e Departamentit të Shtetit, kur ia dhanë Berishës, ishte non grata”, tha mes të tjerash Demalia.

Ndërkohë Departamenti Amerikan i Shtetit konfirmoi në një reagim ekskluziv për Report Tv se ish-kryeministri Sali Berisha është përjashtuar nga ndalimi për të hyrë në SHBA. DASH thotë se marrja e këtij vendimi i shërben interesit kombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Gjithsesi, DASH nuk përmendi në reagim nëse ky vendim prek edhe familjarët e ish-kryeministrit, të cilët po ashtu 5 vite më parë u futën në listën e zezë të SHBA. Por kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi pretendon në një komunikim për Report Tv se nga non grata janë përjashtuar edhe familjare e Berishës, bashkëshorten Lirie dhe dy fëmijët, Shkëlzeni me Argitën.