Abelhak Nouri ishte një talent i jashtëzakonshëm, por edhe shumë i pafat. Ajax ka nxjerrë shumë talente, por mesfushori shtatshkurtër me origjinë nga Maroku, i cili shënoi në ndeshjen debutuese me “Harkëtarët”, ishte unik.
Ishte data 8 korrik e vitit 2017, Ajax po zhvillonte një ndeshje miqësore me Werder Bremen në alpet e Austrisë dhe Nouri befas u gjunjëzua në tokë. Ai humbi ndjenjat dhe një helikopter e nisi në një spital të Insbrukut. Kontrollet zbuluan një problem në tru, teksa më pas erdhi lajmi i tmerrshëm: “Nouri nuk mund të zbresë më në fushë”...
Djaloshi doli nga koma, njohu familjarët, por pas pak kohësh përfundoi sërish në koma. Pas rreth tre vitesh u zgjua përsëri. Nouri vazhdon jetën në karrige me rrota dhe gjithë tifozët e futbollit janë të lumtur për rikthimin e tij në jetë. Shikimi i ndeshjeve e gëzon dhe nuk i mungon buzëqeshja në fytyrë, teksa vëllai i tij zbuloi kohë më parë gjendjen e “Appie”, siç e thërrasin miqtë:
“Abdelhak është zgjuar, arrin të ushqehet, por nuk lëviz dot nga krevati. Në momentet më të mira komunikon duke lëvizur vetullat. Appie është i ndërgjegjshëm se ku ndodhet. Ka rëndësi të madhe për të qëndrimi pranë familjes. Vëmë re se i pëlqen kur shohim ndeshje në televizor, ndonjëherë edhe buzëqesh. Ne bëjmë sikur nuk është i sëmurë dhe i flasim shpesh”.
Tek Ajaxi nuk e kanë harruar. Drejtuesit e klubit të famshëm holandez deklaruan se Nouri nuk mori mjekimet e duhura pas ngjarjes së rëndë, duke marrë përsipër përgjegjësitë për atë që ndodhi. Ditën e sotme, Ajaxi ka njoftuar se do t’i paguajë familjes së 24-vjeçarit plot 7.85 milionë euro si dëmshpërblim.