Fantazi të trilluara dhe akuza politike i cilëson ministri Mbrojtjes, Ermal Nufi, debatet e fundit për një skemë të supozuar të trafikimit të armëve përmes kompanisë “KAYO”. Nufi e konsideron industrinë e mbrojtjes, që sipas tij po ringjallet, prioritet të sigurisë kombëtare dhe zhvillim ekonomik.

“Përkundër fantazisë, trillimeve dhe akuzave politike të faktorëve që duan të ushqejnë veten dhe të mbijetojnë në rrugën që kanë humbur, sot asgjë nuk e ndal faktin se zhvillimi i industrisë së mbrojtjes është një prioritet strategjik për Shqipërinë, prioritet, i cili është në funksion të sigurisë kombëtare, ashtu edhe të angazhimeve tona si një vend anëtar i NATO-s. Shqipëria ka hyrë tashmë në një fazë të re, ku industria e mbrojtjes nuk e sheh më veten si një çështje e vetme sigurie, por si një mundësi strategjike për zhvillimin ekonomik, teknologjik dhe industrial të vendit”, tha Nufi.

Përmes kompanisë “KAYO”, Nufi thotë se po zhvillohen 6 sipërmarrje të përbashkëta me kompani ndërkombëtare. 40 mjetet e parë të prodhuara në Shqipëri, sipas tij, po përdoren nga Forcat e Armatosura.

“Nëse për shumë vite me radhë, kjo industri u trajtua si një trashëgimi “për t’u shkatërruar”, ne sot po e ndërtojmë dhe fuqizojmë atë me kapacitete drejt së ardhmes. Përmes kompanisë shtetërore KAYO, themeluar në vitin 2024, po ndërtojmë një partneritet me kompani lidere ndërkombëtare. Sot janë në zhvillim gjashtë sipërmarrje të përbashkëta – joint venture, nëpërmjet partneritetit publik-privat, ku KAYO bën pjesë. Në inventarin e Forcave të Armatosura kanë hyrë tashmë 40 mjetet e para të prodhuara dhe shumë shpejt do të fillojmë edhe prodhimin e municionit të lehtë”, thekson Ermal Nufi.

Nufi u ndal te italianët e Fincantieri, me të cilët Shqipëria synon prodhim të anijeve brenda vendit, përfshirë edhe prodhimin e pajisjeve individuale të mbrojtjes për FA dhe institucione të tjera të sigurisë.

“Me Fincantieri Albania, falë partneritetit me një lider prestigjioz të prodhimit të anijeve, nuk po blejmë thjesht anije: po fuqizojmë aftësitë shqiptare për të ndërtuar këtu, për të prodhuar për veten dhe për të eksportuar tek vendet e tjera aleate. Pajisjet individuale mbrojtëse, për Forcat e Armatosura dhe institucionet e sigurisë, produkte që deri dje importoheshin, tashmë do të prodhohen në Republikën e Shqipërisë sipas standardit më të lartë ndërkombëtar”, tha Nufi.

Kjo industri e mbrojtjes nuk duhet të shihet vetëm si një çështje sigurie, por edhe si një mundësi për punësim, teknologji, prodhim vendas dhe zhvillim ekonomik. Për këtë Nufi thotë se Shqipëria tashmë ka kapacitetet.