Nuk di çfarë ka ngjarë në Hajmel. Është fuqia e besimit apo autoriteti i Kishës, por është ngjarja më madhështore që më kanë parë sytë në këtë vend.

Kështu shpreh mahnitjen e saj gazetarja Esiona Konomi, pas ndjekjes së shfaqjes unike 'Betlehemi i gjallë' në fshatin Hajmel të bashkisë Vau i Dejës, nga ku ka shpërndarë edhe foto e video.

Në pamjet që Konomi ka shpërndarë për publikun dhe ndjekësit e saj në rrjetin social Facebook, bie në sy realizimi shumë pranë reales i jetës së Betlehemit të mbi 2000 viteve me parë.

Mbreti Herod, artizanët dhe artizanet, bukëpjekësit, farkëtarët, barinjtë, rojet romake, muzikantët, lypësit, fëmijët, të sëmurët me lebrozë, e shumë personazhe e rrethana të Betlehemit të mbi 2000 viteve më parë ishin sjellë nga banorët e fshatit Hajmel nëpërmjet aktrimit në mënyrë të plotë e profesionale, me një kostumografi të kuruar deri në detaje.

“Betlehemi i Gjallë” është një shfaqje teatrale, ku banorët e Hajmelit, nga fëmijët e deri te të moshuarit, interpretojnë me mjeshtëri lindjen e Jezusit, Shpëtimtarit të Botës. Ardhur jo vetem nga Shqipëria por dhe Kosova Mali i Zi e më gjerë, vizitorët janë të emocionuar.

Për prifterinjte e dioqezës së Sapës, qëllimi i “Betlehemit të Gjallë” është përcjellja e mesazheve për shpresë, paqe e solidaritet.

Postimi i plotë i Esiona Konomit:

Radhë kaq të gjatë për të hyrë në oborrin e një Kishe, nuk keni parë.

As teatër më të madh, nuk keni shikuar!

Por mbi të gjitha, nuk do të gjeni në Shqipëri një krahinë të tërë, në një mëndje, ku i madh e i vogël, vullnetarisht të bashkohen.

Nuk di çfarë ka ngjarë në Hajmel. Është fuqia e besimit apo autoriteti i Kishës, por është ngjarja më madhështore që më kanë parë sytë në këtë vend.

“Betlehemi i gjallë” të rikthen në vitin zero, falë përkushtimit të çdo banori. Si nuk lodhej njëri në rolin e tij 4 orë.

Si nuk pashë dikë që të tallej apo neglizhonte në ndonjë moment me atë që po ndodhte. Nga fëmijët tek pleqtë.

Ishte një magji, edhe durimi në radhë mbi 90 minuta në rastin më të mirë. Hajmeli priti mbrëmë mbi 2000 vizitorë, sipas stafit.

Nuk i mori biletë askujt, por e zhvendosi në kohë falas, e argëtoi me batuta komike, e gostiti me fruta, mjaltë, petulla, djathë, raki e verë të ngrohtë.

Gjithçka me falënderime e buzëqeshje, pa pritur asgjë në këmbim.

Ata banorë dhe Kisha e zonës meritojnë jo thjesht duartrokitjet dhe vizitat tona.

Ne duhet të gjejmë një mënyrë për t’jua kthyer pas mundin!