Ne kemi një zakon të trashëguar nga diktatura, mblidhemi shpesh rreth një lideri për interes personal jo qëllim të përbashkët. As shumë intelektualë nuk arrijnë t’a bëjnë, le më masa. Qytetarët zor se solidarizohen me njëri - tjetrin. Në pjesën më të madhe të kohës kanë tendencë t’a përjashtojnë, sepse kjo e jona është shoqëri e tillë.

Shëmbull tipik sesi ne jemi të prirur të udhëhiqemi nga e kaluara është momenti kur nusja kërcen dhe të tjerët i hedhin para. Të gjithë thonë se nuk ka sens, por ata  prapë e bëjnë. Kjo nuk ka kuptim  gjithsesi. Të flasim dhe për korrupsionin në spitale ? Njerëzit mendojnë se po të mos u japësh para bluzave të bardha nuk të prekin me dorë. Personalisht kam patur eksperiencë tjetër, por turri për t’i futur diçka në xhep bluzave të bardha, nuk ndalet.

Si mund të flasim për një zhvillim komuniteti, kur as nuk konceptohet vullnetazimi ? Si mund të flitet për një progres kur ai që hedh mbeturinat nga ballkoni as nuk e koncepton se ajri i ndotur i merr frymën gjithë pallatit. Nuk mendoj se tani mund të bëj analizën e fjalëve ‘’qëllim’’ dhe ‘’interes’’, dua vetëm t’ia përshtas realitetit shqiptar në rastet e së përditshmes së tij.

Kalojmë tek liderët. Njerëzit i kthejnë shpesh herë në idhuj, por kjo nuk ka lidhje me lidershipin e tyre, kjo ka lidhje me interesin. Ja arsyeja pse, pa një interes në disa raste shumë kush nuk u shkon nga pas.  Njerëzit  e aftë profesionalisht nuk zhvillohen shumë para një lideri që imponon frikë dhe shtyp personalitetin,  vetëm e vetëm për të afirmuar egon e vet mbi tjetrin, pa arsyetim bindës. Dmth në këtë shoqëri shqiptare bëhet luftë për mbivendosje personalitetesh, jo për të zhvilluar idenë.

Kjo formen mentis është  e trashëguar nga diktatura; e mënjanojmë pak komunizmin se do të kishim qenë më ndryshe se kaq por të ishim rritur me një fryme komuniste. Të paktën do të mbronim pronën e përbashkët. Komunizmi dhe pse i orientuar, domosdoshmërisht nuk të imponon diktaturën. Pastaj tjetër gjë është dakortësia me këtë rrymë.

E jona është një shoqëri që ende mban frerin me dorë. Nënkuptoj tolerancën që i bën shtypjes. Mendimi ndryshe, shuhet apriori, sepse krijon konflikt që nuk e përpunon dot. Nuk mund t’a quaj një shoqëri të pafat nëse ajo zgjedh personazhe pa kurrfarë substance t’i drejtojë. Nuk e quaj as të pashpresë sepse vendi ka një moshë mesatare 30 vjeç. Po e quaj të disorientuar. Një shoqëri e tillë është ajo që ende nuk ka parë mirë brenda saj për të mbështetur shembuj ku duhet të frymëzohet për të ardhmen. Sipërmarrës, njerëz aktivë, njerëz të përgjegjshëm, njerëz që mirëqënien e vet e lidhin dhe me të tjerët, të aftë dhe praktikë. Mbi të gjitha ata që zhvillojnë botën. Realisht ekzistojnë.

Pyetja ime tani është: çfarë i duhet kësaj shoqërie për të qenë vetvetja ? Do të doja të shikonte pak më shumë drejt thelbit të vet. Do të zgjidhtë shumë shëmbuj konkret për t’i dhënë besim dhe për zgjedhjet, shëmbuj që realisht meritojnë të votohen. Dhe merita nuk lidhet me ndërtimin e një rruge, apo dy: nuk lidhet me një tufë parash të shpërndara tek mbështetësit, nuk lidhet me arrogancën. Merita është një shans, që secili nga ne duhet t’i japë vetvetes.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 5 shkurt 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)