Nutricionisti Altin Joka ka folur në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV, përtej profesinonit të tij. Si rrallë herë ai ka rrëfyer për jetën, këndvështimet e tij, por edhe pasionet e tjera që kanë ndikuar tek ai. I pyetur nga moderatorja Androniki Kolka sesi ka qënë viti 2025 për të, Joka u ndal në disa mësime që ka marrë në këtë vit, i cili po mbyllet.
“Ky vit më ka mësuar shumë gjëra. Më ka mësuar se nuk mjafton vetëm dija, por duhet guxim t’i thuash të vërtetat ashtu siç i sheh, siç i ndjen dhe siç i kupton. Guximi do një intuitë. Sot kemi shumë informacione disinformuese, e vërteta shpesh nuk duartrokitet, madje kritikohet. Nuk duhet të kemi iluzione, por duhet të jemi të qartë. Duhet të ndihmoj ata që më kërkojnë ndihmë dhe shpesh herë jam ndjerë nën kritika, por kam zgjedhur të vazhdoj rrugën time. Nuk jam këtu për t’i bërë qejfin njerëzve, por për të qënë i vërtetë”, u shpreh Joka.
Nutricionisti Joka u ndal edhe tek pasionet e tij, polifonia dhe fyelli - janë ato që e çlodhin dhe e rikthejnë tek rrënjët.
“Një ndër pasionet e mia, fyelli ka ardhur në jetën time në momente stresi dhe lodhjeje. Fyelli nuk duron shtirje, duhet të jesh i qetë për t’i rënë”, u shpreh Joka, teksa surprizoi në studio me një material polifonik të kënduar prej tij.
“Kam kënduar labçe kudo, kam parë gjyshin me fustanellë, edhe pse kam lindur dhe jam rritur në Tiranë, ky kujtim mua më ka shoqëruar kudo. Kjo këngë flet në gjuhën e të vërtetës. Në këngën polifonike zërat nuk konkurojnë me njëra-tjetrën, është një rikthim tek rënjët që mua më pëlqen shumë”, u shpreh ai.
Joka u ndal edhe tek pasioni për librat dhe filmat e vjetër shqiptarë.
“Filmat shqiptar i shoh shumë, një film mund ta shijoj edhe 500 herë. Lexoj 1600 deri në 2500 orë në muaj, jam metodik, por përtej fushës profesionale që lexoj, unë nuk kërkoj libër që të më japë zgjidhje, por të më ndihmojnë të kuptoj si jam. “Plaku dhe deti” e kam rilexuar shumë herë, beteja e jetës së tij më tërheq shumë. Lexoj Kamy dhe ju sygjeroj të lexoni librin “Mos u trishto”, do gjeni paqe e shpresë’, tha Joka.
Joka u ndal edhe tek planet e tij profesionale në fushën e nutricionit dhe holistikës, ndërsa dha dhe një mesazh urimi për të gjithë publikun.
“Mos e trajtoni jetën si një garë, secili ka kohën e vetë dhe rrugën e vetë, ecni paqësisht, kujdesuni për veten, shiheni veten si diçka të çmuar. Trupin konsideroheni si një shtëpi ku njeriu kërkon paqen. Besoni më tepër tek zoti, silluni me edukatë, respektoni nënën dhe babain, kaloni më shumë kohë me fëmijët tuaj dhe lini një shënjë të mirë në këtë botë”, përfundoi ai.
Komente












