Lulzim Caka, një emër i njohur i botës së krimit në Shqipëri, është në mesin e disa prej të arrestuarve shqiptarë në Greqi, bashkë me të birin, në kuadër të operacionit antidrogë që çoi në zbulimin e rreth 100 kilogramëve kokainë të ardhur nga Kolumbia.
Caka, i konsideruar me rrezikshmëri të lartë kriminale dhe i dënuar në Shqipëri për vrasje, u prangos pas sekuestrimit të sasisë së madhe të kokainës, në një vilë ku u gjetën edhe 2 kg kokainë, kimikate për përpunim e pajisje paketimi të drogës, një pistoletë dhe një makinë luksoze.
Arrestimi i Cakës është pjesë e një hetimi të gjerë të autoriteteve greke, pas goditjes së një grupi kriminal që dyshohet se trafikonte kokainë nga Kolumbia drejt Greqisë, duke e fshehur lëndën narkotike në ngarkesa me lule të freskëta. Hetimet dhe kontrollet vijuan edhe pas këtij operacioni, duke çuar autoritetet greke në zbulimin e një tjetër sasie të konsiderueshme kokaine, e dyshuar se i përket të njëjtës linjë trafikimi.
Në një banesë pranë vilës ku u arrestua Lulzim Caka, në pronësi të të njëjtit person që dyshohet se ia kishte dhënë me qira grupit kriminal, efektivët gjetën të fshehur 26.8 kilogramë kokainë, të paketuara në formë pllakash dhe të gatshme për shpërndarje. Lënda narkotike mbante shenja specifike, të njëjta me ato të gjetura në paketimet e sekuestruara gjatë operacionit të 9 shtatorit, duke përforcuar dyshimet e autoriteteve greke se droga i përket të njëjtit grup kriminal.
Hetuesit zbuluan edhe ambiente të fshehta nëntokësore, përfshirë një rezervuar të madh uji dhe një hapësirë të tipit gropë, ku dyshohet se grupi fshihte lëndën narkotike dhe sende të tjera të paligjshme. Sipas hetimit grek, kokaina ishte pjesë e një importi të mëparshëm të paligjshëm nga Kolumbia dhe dyshohet se ishte transportuar përmes së njëjtës metodë, duke u fshehur brenda buqetave me lule.
Lulzim Caka nuk është një emër i panjohur për drejtësinë shqiptare. Ai u dënua në Shqipëri me 25 vite burg për vrasje, por në korrik 2019 u lirua nga burgu i Kosovës së Lushnjës, në një vendim që u konsiderua i paligjshëm. Lirimi i tij solli shkarkimin e drejtorit të burgut dhe juristit të institucionit, ndërsa ndaj gjyqtarit që kishte dhënë vendimin u nis një hetim. Pas daljes nga burgu, Caka u shpall sërish në kërkim nga Policia, me argumentin se lirimi ishte bërë në mënyrë të padrejtë dhe se ai duhej të rikthehej në qeli për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit. Në 2022-shin ai u arrestua në Greqi por shteti helen refuzoi kërkesën e Shqipërisë për ekstradim dhe u la i lirë.
Tashmë, emri i tij rikthehet në një hetim ndërkombëtar për trafikimin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika Latine drejt Greqisë, ndërsa autoritetet greke vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rolit të personave të arrestuar dhe lidhjeve të tyre me organizatën kriminale.









Komente
Komento