Viti 2026 po thellon edhe më shumë zhvlerësimin e valutave të huaja përballë Lekut kombëtar. Shkurti po regjistron vlerat më të ulta të këmbimit për euron dhe dollarin.

Sipas kursit mesatar të publikuar nga Banka e Shqipërisë, monedha evropiane e nis javën duke u këmbyer me 96.45 lekë, ose 2.5% më pak se vjet në të njëjtën periudhë. Ndërsa nëse e krahasojmë me vitin 2023, kur nisi pikiata e euros, zhvlerësimi është me rreth 19.65 pikë.

Banka e Shqipërisë thotë se zhvlerësimi i monedhave të huaja ka ardhur prej fluksit të lartë të valutave që ka hyrë në vend prej turizmit, investimeve të huaja dhe remitancave, kurse ekspertët e lidhin edhe me paranë që vjen kryesisht nga burime informale.

Por edhe më i madh është zhvlerësimi i dollarit amerikan. Nga 95.87 lekë që këmbehej 1 dollar në shkurt të 2025-ës, këtë vit ka rënë në 81.32 lekë. Pra një tkurrje me 14.55 pikë, në harkun 1 vjeçar, kurse në krahasim me vitin 2023 zhvlerësimi është me afro 27% referuar kursit mesatar të Bankës së Shqipërisë.

Humbësit më të mëdhenj të tkurrjes së euros dhe dollarit janë eksportuesit që i kanë shpenzimet në lekë dhe të ardhurat në valutë, pasi ju zhvlerësohen kur bëjnë këmbimin. Po ashtu humbasin familjet që marrin remitanca që vijnë në valutë por edhe dhe buxheti i shtetit fiton më pak para nga të importet.

Ndërsa efekte pozitive të këtij zhvlerësimi janë ndjerë kryesisht në uljen e borxhit të marrë në valutë si dhe importuesit pasi blejnë në valutë dhe shesin në lekë.

Ndërkohë gjithë ky zhvlerësim nuk reflektohet në treg me çmime më të lira për produktet dhe mallrat që importojmë. Duke qenë se importuesit po harxhojnë më pak para për të sjellë mallra nga jashtë, edhe çmimet për konsumatorët duhet të ishin më të ulta, por që nuk shikohet asnjë reflektim. Rasti më i dukshëm është ai i karburantit, që blihet në dollarë, ku edhe pse kjo valutë është në zhvlerësim dyshifror, çmimi i naftës në treg mbetet i njëjtë me atë të vitit të kaluar.

KURSI I KËMBIMIT EURO-LEKË
Shkurt 2023        1€=116.10 lekë
Shkurt 2024        1€=104.23 lekë
Shkurt 2025          1€=99.01 lekë
Shkurt 2026          1€=96.45 lekë
KURSI I KËMBIMIT USD-LEKË
Shkurt 2023        1$=108.06 lekë
Shkurt 2024          1$=96.78 lekë
Shkurt 2025          1$=95.87 lekë
Shkurt 2026          1$=81.32 lekë