Prodhimi është i bollshëm në sera

Mbi 100 fermerë të fshatit Petovë në Fier e kanë bazuar ekonominë e tyre te prodhimi i perimeve.

Por këtë sezon ata po përballen me vështirësi për të shitur prodhimet e tyre, e sidomos domatet.

 “Faktikisht ta kultivojmë domaten sot e të vijë dita që ta bëjmë prodhimin të mirë e ta shesësh më 100 lekë e me 200 lekë, nuk ja vlen fare për ne fermerët,  sidomos plehrat janë shumë të shtrenjta, nuk arrijmë që të përballojmë dot çmimin e tregut ose domates”, shprehet fermerja. 

Ky fermer na tregon se është detyruar të hedhë sasi të mëdha domatesh për shkak se nuk ka mundur të sigurojë tregun.

 “Ishte rreth 20 ditë një çmim shumë i mirë, por erdhi një moment që ra me 200 lekë ne nuk na leverdis as për të futur punëtorët në serë, për arsye se nuk del kostoja. Shteti këtu tek ne nuk na ka ndihmuar asnjëherë, as me subvencionime dhe me asgjë. Mund të tregojë rastin më të freskët që kam hedhur para 5 ditësh, per arsey se s’ka patuyr çmim”, shprehet një fermer tjetër.

Të tjera shqetësime të fermerëve; janë çmimi i lartë i pesticideve dhe mungesa e kontrollit për farërat.

 “Vështirësitë për ne fermerët janë shumë të mëdha, sepsenuk kemi nga shteti asnjë mbështetje. Tani domatja është me 300 lekë. Plehrat janë shtrenjtë, farat janë të dekraduara, i shtrydhin majat farat e na i japin ne, ne po vemë drejt falimentimit". 

Ndërsa në fshatin Kafaraj të Fierit fermerët po merren me kultivimin e luleshtrydheve. Ata kërkojnë të përfitojnë nga skema e rimbursimit në bujqësi.

"Ne kemi marrë borxh për të ndërtuar këto sera , për ilacet, e nuk na ka ndihmuar shteti, ndaj i bëjmë lutje të na ndimojë të shlyejmë ato borxhet”.

Klima e favorshme ka nxitur rritjen e prodhimit të luleshtrydheve veçanërisht në fshatrat Frakull dhe Kafaraj, ku një vit më parë u prodhuan mbi 1500 ton luleshtrydhe për tregun vendas dhe eksport.