TIRANË- Prej ditësh Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi i kishte hapur sfidë policisë dhe dilte në takime publike pa maskë, sot më në fund blutë e Tiranës kanë reaguar dhe e kanë gjobitur bashkë me ish-deputeten Floida Kërpaçi.

Ky reagim i vonuar Policisë së Shtetit ka ardhur pasi ditën e djeshme gazetarja e Report Tv pyeti kryeministrin Rama se pse Meta apo Kryemadhi nuk gjobiten ashtu siç gjobiten qytetarët e thjeshtë që nuk mbajnë maskë. Në përgjigje të Report Tv Rama tha se për këtë përgjegjëse është policia.

Sot gjatë takimit të Kryemadhit dhe Kërpaçit me banorë të Kombinatit në Tiranë, policia e ka gjobitur me 3 mijë lekë për mos mbajtje të maskës në zbatim të Aktit Normativ.

Ndërkohë pas interesimit të Report Tv, zyra e Shtypit të LSI ka deklaruar se gjatë aktivitetit nuk ka ardhur asnjë polic dhe se nuk kanë dijeni për gjobën dhe se do të ketë një reagim kur të njihen me masën administrative.

'Duke parë disa lajme të publikuara në media duam të sqarojmë se: Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi nuk ka asnjë dijeni për gjobë nga Policia e Shtetit. Gjatë gjithë kohës që është zhvilluar aktiviteti në Kombinat nuk është paraqitur asnjë efektiv policie. Deri në momentin që do të njihemi me gjobën do te kemi një reagim', shkruhet në reagimin e Zyrës së Shtypit të LSI.