Kryeministri Rama tha se pas digjitalizimit të shërbimeve publike, administrata duhet të përmirësojë mënyrën si u përgjigjet qytetarëve dhe si vlerëson punonjësit e saj. Sipas tij, nuk mjafton të kesh teknologji të përparuar nëse institucionet nuk u përgjigjen qytetarëve në kohë. Po ashtu, punonjësit që punojnë më mirë duhet të kenë mundësi të përparojnë në karrierë. Pikërisht këtu hyn “Shkalla e Meritës”, që synon të përmirësojë vlerësimin dhe përparimin në administratë.
"Krijimi i Ministrisë është një zhvillim i rëndësishëm institucional, ndërsa ‘’Shkalla e Meritës’’ që mund të duket si një aspekt më teknik në fakt prek diçka më të thellë, mënyrën se si e kuptojmë marrëdhënien e qytetarit me shtetin dhe të shtetit me njerëzit që punojnë për të, pra për shtetin.
Përgjatë këtyre viteve transformimi i administratës publike shqiptare flet me fakte, fakte të cilat si të gjitha faktet humbasin në ‘’mjegullën’’ e madhe të së përditshmes, të gënjeshtrave, të gjysmë të vërtetave që janë gënjeshtrat më të mëdha dhe të lajmeve që natyrshëm duke qenë të ditës, zënë vendin kryesor, por ne e kemi ndryshuar mënyrën si ofrohen shërbimet. Kemi hequr sportelet, ato sportelet e tmerrshme të cilat është mirë që t'i kujtojmë kur flasim për nga kemi ardhur, ku jemi dhe ku duam të shkojmë dhe që ishin përcaktuese në jetën e përditshme të qytetarëve për një pjesë dërrmuese të shërbimeve.
Kemi investuar shumë në teknologji, gjë që na ka bërë një shembull në rajon dhe gjë që ka tërhequr vëmendje edhe përtej rajonit duke na kthyer në një adresë ku ftohemi për të ndarë eksperiencën në konferenca, në forume, në samite të shërbimeve dhe të teknologjisë dhe kemi ndërtuar një infrastrukturë digjitale që na ka vendosur faktikisht, jo sipas meje, jo sipas nesh, por sipas Bankës Botërore, në grupin më të përparuar të vendeve në vlerësimin e GovTech-ut, e qeverisjes përmes teknologjisë. Kemi bërë një përparim të jashtëzakonshëm në një fushë ku dikur shteti ishte sinonim i radhëve, i letrave, i vulave, i humbjes së kohës dhe i bakshisheve, qoftë edhe për të marrë në kohë një certifikatë lindjeje.
Sot të gjitha këto duken kaq të largëta dhe janë faktikisht kaq shumë larg saqë bëhet e pamundur edhe për të patur një mirëkuptim të menjëhershëm kur i sjellim në vëmendje sepse për shumëkënd gati-gati nuk kanë ekzistuar, por në fakt dallimi i madh mes një shteti që ka sisteme moderne dhe një shteti që funksionon në mënyrë moderne në çdo nivel të tij, bëhet pikërisht tek përparimi i administratës dhe këtu unë njerëzve u jap të drejtë.
Mund ta kesh shërbimin më të sofistikuar digjital, por nëse pas atij shërbimi qëndron një institucion që gjithsesi nuk i përgjigjet qytetarit në kohë, nuk merr përgjegjësi kur kërkesa e qytetarit zvarritet apo humbet, nuk ka aftësi vetëkorrigjuese, atëherë qytetari vazhdon të ketë një problem serioz me shtetin në tërësi pasi mjafton një institucion, mjafton një derë që nuk hapet për të krijuar një perceptim shumë negativ për shtetin në tërësi. Mund të kesh rregullat më të mira të rekrutimit, ne i kemi, por nëse brenda institucionit njeriu që punon më mirë nuk ka më shumë mundësi të përparojë se ai që nuk punon, atëherë thellësisht sistemi nuk mund të konsiderohet tërësisht funksional.
Prandaj me ‘’Besën’’ kemi synuar të ndryshojmë pikërisht këtë marrëdhënie të qytetarit me shërbimin.
Me me ‘’Pasqyrën’’ forcojmë transparencën dhe llogaridhënien.
Ndërsa me ‘’Shkallën e Meritës’’ po futemi te një element që i ndikon të gjithë të tjerët: njerëzit e administratës, mënyrën se si menaxhohen si kapital njerëzor dhe se si vlerësohet ky kapital njerëzor i Republikës së Shqipërisë." tha Rama.
Lajmi kryesor:
Rama për administratën: Provim kombëtar unik sipas modelit të Cambridge, emërime e promovime sipas ‘Shkallës së Meritës’! Edhe regjistër talentesh









