42 gjyqtarë të rinj kanë bërë këtë të enjte, betimin solemn për t’u qenë pjesë sistemit të drejtësisë. Por në ditën e tyre të parë, si pjesë e këtij sistemit, ata u bënë dëshmitarë të një fakti të pazakontë. Këshilli i Lartë i Gjyqësor, ka shmangur nga ceremonia, drejtuesin e institucionit më të lartë të gjyqësorit, kryetarin e Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi.
Për më tepër që, në funksionin e tij, kryetari i GJL është njëkohësisht dhe Kryetar i Bordit të Shkollës së Magjistraturës, dhe firma e tij është dhe në diplomat e 42 gjyqtarëve që u betuan.

Mungesën e ftesës e ka bërë të ditur vetë zoti Sadushi, në një postim ku uronte magjistratët e rinj.
“Edhe pse sot nuk kam qenë i ftuar mes jush, ndjej të njëjtin gëzim e respekt për këtë moment solemn që shënon fillimin e një përgjegjësie të madhe ndaj ligjit dhe qytetarëve”, shkruan kryetari i Gjykatës së Lartë.
Institucionalisht, mungesa e ftesës ndaj Kryetarit të Gjykatës së Lartë, është e pashpjegueshme dhe ngre pikëpyetje serioze mbi marrëdhëniet brenda vetë sistemit të Drejtësisë. Vetë zoti Sadushi, në mbyllje të postimit të tij, uron që “në të ardhmen, ngjarje të tilla të rëndësishme të pasqyrojnë gjithmonë pjekurinë, bashkërendimin dhe respektin që i detyrohemi drejtësisë”.
Ngjarja e kësaj të enjteje, pason kritikat publike që kryetari i Gjykatës së Lartë ka ngritur së fundmi ndaj KLGJ-së apo dhe mbledhjen e thirrur me iniciativën e tij, me të gjithë gjyqtarët e vendit, pas vrasjes në sallën e Apelit të gjykatësit Astrit Kalaja. Mbledhje për të cilën kreu i KLGJ-së shprehu “keqardhje” duke folur për “një qasje të pakoordinuar dhe aspak të përbashkët nga ana e kryetarit të GJL”. Situatë për të cilën zoti Sadushi u përgjigj menjëherë duke sqaruar se nuk kishte patur “asnjë qëllim që ta shmangim. KLGJ është e ftuar në mbledhje”.











