Ka një problem të madh në edukimin e disa burrave shqiptarë: Nuk pranojnë humbjen! Në asnjë kusht, në asnjë rrethanë. Në një botë që përpiqet me mundim të shkojë drejt harmonizimit të të kundërtave, të ekuilibrimit të energjisë femërore dhe mashkullore, në shoqërinë tonë ende patriarkale, burri është ngurtësuar në pozitat e tij të fitores. Së përhershme!
Në politikë, Lulzim Basha nuk dëshiron ta pranojë se ka humbur, Sali Berisha nuk dëshiron ta pranojë se ka humbur, Ilir Meta është ende në reflektim, Enver Hoxha nuk e pranonte kurrë humbjen ashtu siç nuk e shohin dhe nuk e pranojnë mijëra shqiptarë që kishin vënë bast për “kalin e tyre” të preferuar e që doli humbës. Faji për humbjen është gjithnjë i të tjerëve! Por jeta e vërtetë është pikërisht kjo: me humbje dhe fitore, me arritje dhe dështime, me realizime dhe falimentime, me ecje përpara dhe kthim mbrapa, me ambicje por edhe me heqje dorë nga e pamundura, nga realitete jashtë mundësive. Lulzim Basha e arriti fitoren e tij morale dhe etike me ndarjen nga një “minues i demokracisë dhe familje e korruptuar”, pas një fitoreje të tillë mund të vijë natyrshëm një humbje dhe sidomos pas një humbjeje duhet të ndodhë pranimi i saj dhe reflektimi mbi të. Por jo në Shqipëri!
Kushdo është dëshmitar për “dopimin” që i bëhet në familjet tona djalit të familjes: Ai nuk duhet të jetë si gocë, ai duhet të jetë çun me kuptimin shqiptar të fjalës: I fortë dhe gjithnjë fitues. Pastaj përballet me jetën dhe kur e provon se një vajzë është e lirë të mos pranojë komplimentat apo dëshirën e tij për t’u lidhur me të, nervozohet (në rastin më të mirë); bulizon, në rastin mesatar; bëhet dhunues deri në vrasës, në rastet më të tmerrshme, sepse një djalë, një burrë nuk është edukuar të pranojë pa pasoja një Jo! Nuk është edukuar të pranojë humbjen.
Atëherë, këtu është jetike zgjuarsia, intuita, përvoja dhe mençuria e gruas. E kanë nisur ta bëjnë shumë nëna dhe gra të tjera në botë. Nuk është e lehtë, duhen vite, duhet kohë, por ama, duhet filluar!