Nëse jemi njësoj si me Berishën, edhe pa Berishën, problemi jemi ne!

Nëse jemi njësoj si me Berishën, edhe pa Berishën, problemi jemi ne!

Ndërsa politikani Sali Berisha po kryen performancën më të trishtë të parë ndonjëherë të kryer nga një politikan karriere si ai, ne të tjerët, duhet të shohim vetveten. A është sot Shqipëria një vend i drejtë? Ose të paktën, a po tregon përditë se frymëmarrja e saj, zemra e saj pulson nga dëshira, përpjekjet për drejtësi dhe barazi? A është Shteti dhe a janë institucionet e tij të prirur të shohin, të dëgjojnë, të dallojnë njësoj, pa dallim përkatësie politike, fetare, krahine, gjinie, të mirën dhe të aftën tek njerëzit?

Drejtësia. Një krim i madh dhe një krim i vogël janë njësoj? Një kriminel i madh dhe një më i vogël, po gjykohen sipas peshës së krimeve që kryejnë? A nuk është ky diznivel që helmoi për 30 vite zemrat e shumë njerëzve në Shqipëri? A kanë besim qytetarët se peshorja e Drejtësisë, edhe pse me mundim dhe sakrifica, po merr ekuilibrin që i takon? A kanë njërëzit e korruptuar të Drejtësisë biznese luksi në qendër të Tiranës?

Barazia. Na pëlqen të themi se flakëm komunizmin dhe përqafuam kapitalizmin. Na pëlqen të shprehemi se rregullat e kapitalizmit, tregjet globale bëjnë që më i afti, më i miri, më i shkathëti të jenë më të pasur,e të tjerët, më pak. Por a kemi krijuar ne dhe a po përpiqemi për një treg të barabartë? A kemi trafikantë drogash, qëniesh njerëzore, ushqimesh, korrupsioni dhe produktesh të tjera, që janë transformuar lehtësisht në biznesmenë, ose trafikantë që shfaqen edhe si biznesmenë, të cilët konkurrojnë të tregun shqiptar sot? A konkurron dot një sipërmarrje e pastër me një sipërmarrje që ka flukse të pakufizuara kapitali që vijnë nga trafiqet e ndryshme? Dhe mbi të gjitha, në c’proporcion janë këto sipërmarrje katërcipërisht të kundërta në realitetin tonë?

Korrupsioni moral. Flitet shumë për korrupsion material, por ai moral vihet re? Dallohet? Kur dy mësuese të një prej shkollave prestigjoze të kryeqytetit, për një debat (cilado qoftë tema dhe shkaku i nisjes së tij) arrijnë të lenë mënjanë logjikën e të ndërmarrin hapa të dhunës, duke përfshirë edhe të tjerë persona në një konflikt publik, a e shohim përreth, se sa e lehtë është bërë të asgjësosh tjetrin (kundërshtarin) personalisht qoftë me dhunën e fjalës, qoftë me dhunë fizike? Faktet përzihen me gënjeshtra aq mirë, sa për t’i dalluar duhet një stërmundim, durim dhe sidomos një ndjeshmëri e rafinuar, e rrallë edhe në vende më të zhvilluara. Dhe kur nuk e kemi ndjeshmërinë e duhur për të dalluar, rrezikojmë që e shëmtuara të na pëlqejë, e padrejta të ngrihet në piedestal, e korruptuara të na duket normë e të diskriminojmë të aftën dhe të drejtën. E sidomos, mungesa e logjikës, zëri i lartë, dhuna e forca të bëhen të vetmet "vlera" që duhej kopjuar dhe mësuar. 

Vëllazëria. Kuvendet e dikurshme të zgjidhjes së problemeve me fjalën dhe respektin, janë shndërruar në pjesëmarrje në masë nëpër kafene nga frika se mos duke munguar, ata (kolegët, familjarët, miqtë) të “ekzekutojnë” si një dele a dash i ndarë nga tufa. Kolektivizimi i kooperativave të dikurshme, duket se ka ngelur në mendjet tona duke eliminuar individualitetin, forcën krijuese të secilit, origjinalitetin dhe ndjenjën rebele ndaj fenomeneve dhe ngjarjeve. A ka dashuri dhe ndjenjë vëllazërore shoqëria jonë ndaj personave ndryshe? A iu jep kjo shoqëri piedestalin që meritojnë, në rast talenti apo gjenialiteti krijues në fusha të ndryshme?

E tashmja dhe e ardhmja. Ndërsa Sali Berisha dhe politika e tij, njerëzit që e ndjekin në format dhe performancat që po i shikojmë, janë tashmë si një film bardh e zi i të shkuarës, ku e shohim veten ne? Jemi konkurrentë disi më të ndryshëm të të njëjtave performanca dhune, absurditeti, përjashtimi, mungese logjike, paaftësie shtetformimi, klanore e fisnore, mungese drejtësie, apo të gjithë bashkë, duke lenë mënjanë dhe një defekt të rëndë nacional si mospranues të kritikës, qejfmbetës ndaj cdo mendimi të kundërt, të bëjmë përpjekjet për të dalë nga honet ku po vërtitemi, drejt dritës? Mbetet për t’u parë, edhe pse shumë veprime të sotme, tregojnë se korrupsioni ynë shpirtëror dhe moral, për t’u riparuar e shëruar, kërkon mjeshtra të vërtetë ne lëmin e qëndisjeve, arnimeve dhe në shpresë, shërimeve. Ku janë artizanët tanë shpirtërorë?

a.m./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës