Nxënës shembullorë të Enverit dje, ‘elitë e pakonkurrueshme’ e demokracisë sot!

Nxënës shembullorë të Enverit dje, ‘elitë e pakonkurrueshme’ e demokracisë sot!

Enver Hoxha

Teoria e elitës, në shkencat politike, ka nxjerrë në pah nevojën dhe rëndësinë e një grupimi për t’i garantuar një orientim sa më të mirë shoqërisë, pavarësisht politikave qeverisëse të ditës. Anëtarët e dobishëm të një elite japin ide, nxisin debate, bëjnë krahasime, krijojnë modele për t’i mundësuar progres shoqërisë.

Demokracia nëse do të varej vetëm nga votimi i njerëzve të saj të zakonshëm, shpesh nga pavetëdija e votuesit, por që lidhet kryesisht në interesa të ngushta politike, mund t’i çojë shoqëri të caktuara në anarki. Prandaj edhe elitat më të dobishme vihen shpesh në opozitë me ata që kanë pasur ose kanë pushtet, vendimmarrja e të cilëve përcakton fatin e një shoqërie që zgjat në disa raste, edhe për disa dekada.

Që në Greqinë antike, përpos parimeve të demokracisë, lindi edhe nevoja e përzgjedhjes së një grupimi që bënte dallim në komunitet, bazuar mbi mençurinë ose virtytet e tyre superiore. Krijimin e një klasë të përhershme të sundimtarëve Platoni e quajti “roje” të zhvillimit shoqëror. Anglezët përdorën më vonë fjalën (aristokraci) term që i referohej sundimit nga “burrat më të mirë”. Fjala franceze “élite” nga e cila është huazuar termi që përdoret sot do të thotë thjesht “të zgjedhurit” ose “të përzgjedhurit” dhe përshtat nocionin se njerëzit me aftësi të jashtëzakonshme mbajnë fuqi dhe privilegje, me sanksione gati hyjnore.

Në shoqëritë moderne të ditëve të sotme elitat, prej nga ku burojnë idetë dhe mendimi kritik, i përkasin kryesisht universiteteve, sidomos atyre publike. Ato i japin shoqërisë vetëdije për gjendjen ku ajo ndodhet, në kohë dhe rrethana të caktuara. Përveç inteligjencës dhe aftësive krijuese, përmes studimeve specifike elitat japin propozime, nxjerrin përfundime. Çdo qeverisje për të qenë sa më pak e rrezikuar bazohet tek të tilla propozime, sidomos në rastet kritike kur vërehet se shoqëria po shkon ose rrezikon të bjerë në anarki. Ata janë njerëzit më të spikatur që iu përkasin të gjitha fushave të jetës, si politologë, shkrimtarë, mendimtarë, filozofë, ekonomistë, juristë, mjekë, arkitektë etj.

Shqipëria, ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit dhe të Europës, vuan sot pasojat e mungesës së krijimit të një klase elitë mendimi kritik që në komunizëm nuk u lejua, ndërsa në demokraci u shfaros dalëngadalë. Ata që mbajnë peng këtë klasë të dobishme të shoqërisë në fakt nuk janë asgjë tjetër, veçse nxënës shembullorë të së djeshmes dhe shërbëtorë të mirë të vetvetes në ditët e sotme.

Publiku kurrë nuk ka mësuar gjë prej tyre, ndërsa ata e mësuan aq mirë duartrokitjen saqë e kthyen atë në një art, si një model suksesi të panjohur në ndonjë vend tjetër. U bënë mjeshtërit më të mëdhenj të duartrokitjes dhe u shndërruan para diplomimit në “profesionistë”.

Mund të thuhet me bindje se ky ishte i vetmi “profesion” që pati sukses në vendin tonë nga klasa e ashtuquajtur intelektuale ose e konsideruara elita e mendimit, pas rënies së komunizmit. Karrierën e duartrokitjes ata e nisën në një kohë kur Shqipëria drejtohej nga regjimi i Enver Hoxhës. Asnjëherë nuk u zbulua nëse ua mësuan apo e kishin talent të lindur, që i dalloi nga të tjerët. Duhet të ketë qenë kjo e dyta, përderisa disa kryeministra dhe presidentë u ndërruan pas ’90, ndërsa ata zanatin e perfeksionuan pa e çarë kokën fare për ndryshimin e regjimeve, sistemeve, udhëheqësve dhe të qeverive.

Duke qenë se ishin më të lirë në përsosjen e “talentit” shënuan sukses të padiskutueshëm në karrierën personale dhe financiare gjatë viteve të demokracisë. Duartrokitën me pasion tërë jetën, ngritën flamurin e duhur të partisë në kohën e duhur, përkrahën me entuziazëm çdo qeveri dhe kryetar qeverie i cili erdhi dhe iku nga pushteti në këto dekada. Ata vetë sfiduan dhe fituan pa garë ndaj çdo rivali që patën përballë për të marrë poste dhe bërë karrierë në botën akademike. Pakkush e përmend këtë fenomen dhe dukuri të pazakontë, sepse ata u kujdesën në detaje, që çdo debat ta zhvendosnin sa më larg, për ta zbritur në një bisedë pa vlerë dhe trullosës për publikun e gjerë. Sa herë që kolegë  dhe gjoja edhe studentë mblidheshin për të votuar, ata e kishin mësuar fitoren para se të zhvilloheshin zgjedhjet nga burime të sigurta të dy apo tre prej selive të partive kryesore.

Ata kanë një aftësi të jashtëzakonshme në nuhatje, kur shohin se një qeverie i ka ardhur fundi. Heshtin dhe fitojnë energji derisa sa të ikë ajo që ka për të ikur dhe të vijë e radhës. Ndryshojnë disa simbole, si flamurin e partisë, ngjyrën e dosjes ose të çantës, stilolapsit, apo edhe të këpucëve. Me të ardhur qeveria e re ata kërkojnë të fitojnë fillimisht ndonjë privilegj për t’u specializuar veten dhe “neo-elitarët” e zgjedhur prej tyre jashtë, propozojnë të rriten shpenzimet për “studimet shkencore” që i mbyllin përgjithësisht me përkthime skandaloze, duke vjedhur deri në 100 për qind  edhe autorësinë. Synojnë të marrin ndonjë tender, që të ndryshojnë orenditë, llambat, pllakat, bojën e zyrës dhe të godinës, për t’i  përshtatur me ato me ngjyrat e partisë.

Ata kanë aftësinë që të zbulojnë në çdo kohë edhe sot çdo “armik të popullit dhe partisë” edhe kur ai nuk ekziston. E sajojnë në kohë rekord, e admirueshme për regjimin e kaluar vetëm për nga shpejtësia, por jo nga cilësia. Në demokraci ata mburren se “armiqtë” e zbuluar të cilët iu rrezikojnë “status-quo”-n, nuk dënohen dhe as pushkatohen si dikur. I denigrojnë, i distancojnë, i largojnë, dhe studiojnë, punojnë ditë dhe natë, deri në shkatërrimin e karrierës së tyre. Vetëm për këto ‘zbulime mahnitëse’ ata ngjallin mes tyre gjithmonë debate, diskutime në oborret akademike.

Në oborret akademike publike nuk zhvillohen kurrë konferenca dhe nuk nxiten debate me dobi për ekonominë e vendit, sistemin e drejtësisë, teknologjinë, kulturën, historinë dhe gjuhën, shërbimin shëndetësor, sfidat e emigrimit, rininë, papunësinë, varfërinë. Ata e kanë braktisur bujqësisë, turizmin, artin dhe madje edhe vetë arsimin dhe shkencën. Nuk interesohen kurrë për ndonjë reformë që i duhet vendit. As për mbarëvajtjen e tyre. Nuk japin dhe nuk shkëmbejnë asnjë ide me të tjerë, sepse pretendojnë se “idetë” e tyre gjeniale dhe frymëzuese i dinë shumë mirë dhe i kanë pranuar të gjitha qeveritë. Ata mbajnë dhe ndajnë me njëri-tjetrin pas ‘90 postet më të larta në departamente, fakultete dhe thuajse në të gjitha universitetet publike të vendit tonë.

Karrierën akademike ata e nisën dhe e gëzuan falë talentit më të spikatur, pikërisht në duartrokitje. Megjithatë, nuk mund të hidhet poshtë që para ’90 standardi i detyroi të studionin mirë për të merituar notat, diplomat, deri tek gradat shkencore që mbajnë sot. Lënda e tyre e preferuar ishte vetëm një: Marksizëm dhe Leninizëm. Aq mirë i kishin studiuar lëndët që lidheshin me teoritë e Marksit dhe të Engelsit saqë habitën edhe vetë lektorët e lëndëve. Kjo i ndihmoi të merrnin nota të mira edhe në lëndë të tjera, të diplomoheshin shkëlqyeshëm, të merrnin banesa pa nisur ende punë në zonat më të privilegjuara të Tiranës nga regjimi komunist, të pajiseshin edhe me grada shkencore.

Ishte e vështirë të dilje para tyre në radhë të parë, kur Enveri dhe më pas Ramizi i ftonte në ndonjë takim, event, apo tubim partie. Ata nuk linin radhë për të tjerë. Ishin bërë të njohur shpejt si nxënësit më të mirë të Enverit. Vetëm ata mund të duartrokisnin më bukur, më pastër dhe pa gabime, kur udhëheqësi fliste për arritjet spektakolare të vendit. Në këtë drejtim, fituan çdo garë dhe u bënë të pakonkurrueshëm paradoksalisht, edhe në 30 vitet e fundit të demokracisë.

Nga nxënës të mirë dhe shembullorë ata u kthyen gjatë 30 viteve të fundit në mësuesit më të dëmshëm të demokracisë. Gjithçka që e kishin mësuar thuajse përmendësh kur ishin në universitet, për të bindur Perëndimin se kishin fituar një tjetër pozicionim, propozuan që të hiqej teoria marksiste dhe leniniste nga universitetet dhe bibliotekat e vendit. Pas ’90 duartrokitën me të njëjtin pasion njërin prej tyre, ndoshta më të spikaturin, më të talentuarin. E mbështetën dhe e quajtën atë njeriun e duhur që iu solli atë që iu mungonte: lirinë dhe demokracinë. Megjithatë fakt është se ata, të gjithë bashkë, nuk patën asnjë talent për të nuhatur rrezikun e piramidave dhe as dhunimin e zgjedhjeve, që instaluan në vendin tonë kulturën e vjedhjeve dhe të kontestimit të zgjedhjeve.

Pas trazirave të ’97 kuptuan që me qeverisjen e Berishës nuk mund të vazhdohej më tej. E braktisën dhe u rreshtuan pa humbur kohë krah Fatos Nanos. E duartrokitën, e brohoritën me të njëjtin pasion. “Shqipërisë i duhet një politikan liberal, një ekonomist që t’a orientojë drejt reformave dhe ekonomisë së tregut”, thoshin ata pas ardhjes së Nanos në pushtet. Kur ra qeveria “Nano” nuk e kishin aspak të vështirë të përqafonin sërish një ‘dashuri të vjetër”.  Talenti i duartrokitjes prej tyre kishte marrë përmasa aq të jashtëzakonshme saqë hutuan vetë Sali Berishën, të cilin e kishin braktisur një herë dhe nuk do ta kishin të vështirë ta braktisin edhe një herë tjetër, në vitin 2013. Ata nuk e fshehën entuziazmin pas ardhjes në pushtet të Edi Ramës. Nëpër korridore krenoheshin për “Rilindjen e Shqipërisë”. Betoheshin se do ta duartrokasin edhe më bukur liderin e saj, deri në ditën e fundit të qeverisjes së vendit prej tij. Kështu mësojnë dhe veprojnë nga ata dhe “neo-elitarët”.

Korrupsioni, konkurenca, trafiqet, nepotizmi, mungesa e standardeve dhe e burimeve njerëzore nuk janë pjesë e mendimit të tyre.

Megjithatë, “elita” e pakonkurrueshme e vendit tonë ka hasur edhe peripeci. Jo pak konkurrentë gjatë dy dekadave të fundit rezultuan të ishin analfabetë, të burgosur dhe trafikantë. Të pajisur edhe ata me diploma dhe grada shkencore në universitete që mbinë si kioskat pas viteve ’90, konkurrentët e tyre kishin shtuar pasuri edhe më tepër, ishin bërë politikisht edhe më të preferuar. Në publik ata ishin shfaqur si një model suksesi, si alternativa më e mirë për të zëvendësuar “elitën” e pakonkurrueshme të vendit në një të ardhme jo të largët.

Si kontrast, në Gjermaninë e gjymtuar dhe të shkatërruar nga Lufta e II Botërore, pesimizmit të një profesori ekonomie në SHBA pas hartimit të Planit Marshall, një koleg i tij gjerman iu përgjigj: Nën pushtetin e Hitlerit vërtet Gjermania humbi 9 milion njerëz kryesisht të rinj dhe iu shkatërruan thuajse të gjitha qytetet, por i mbeti i paprekur arsimi. Me njerëzit më të ndritur të kombit, pas ndihmës së SHBA, na duhen jo më shumë se 10 vite për t’u ringritur. Në vitin 1956 profesori amerikan, në vizitën e parë që kreu në Gjermani, i befasuar i dha të drejtë kolegut të tij, duke parashikuar me saktësi se kombi gjerman për 50 vite do të komandojë Europën dhe do të shndërrohet, pse jo, në një perandori të re të ekonomisë botërore. Kjo, falë elitës së dobishme dhe konkurruese që ajo kishte formuar dhe kishte besuar në ringritjen e paimagjinueshme.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Mësuesi kthen shtëpinë në shkollë për të mësuar Romishten: Po harrojmë ta shkruajmë, politika jo vëmendje ndaj nesh

Mësuesi kthen shtëpinë në shkollë për të mësuar Romishten: Po harrojmë ta shkruajmë, politika jo vëmendje ndaj nesh