Pikturat e artistit të mirënjohur të rrugës në Britani, Banksy, nxirren në ankand javën që vjen, më 26 qershor. Ankandi do të mbahet si pjesë e ekspozitës së Julien’s për Artin e Rrugës dhe ndonëse pjesë e tij do të jenë arstistë të shumtë, vendin kryesor e mban Bansky me pikturat e tij.

Drejtuesi i ankandit, Michael Doyle shprehet se kjo është një mundësi unike për të gjithë admiruesit e Banksy për të zotëruar një prej veprave të tij, të cilat kanë një vlerë të veçantë pasi janë realizuar në vende të ndryshme publike të botës.

Pas publikimit të veprave të tij në New York, tetorin e vitit të kaluar, prestigji i tij u rrit dhe të gjithë filluan të interesohen dhe vlerësojnë punimet e këtij artisti i cili vazhdon të mbetet qëllimisht anonim, duke intriguar gjithnjë e më shumë admiruesit e veprave të tij.

Ndër punimet e shumta për shitje, tre prej veprave janë më të veçantat sipas Doyle. E para është kjo tablo e pikturuar me spray në një mur i cili është lëvizur më vonë, bashkë me një punim më të vjetër, “Mariachi Player”, të realizuar në 2001-shin, të cilat mendohet të vlerësohen me një vlerë prej $150,000 dhe $200,000 dollarë. Një tjetër pikturë e tij është dhe “Fëmijët me armë” që mendohet se do të shitet për $80,000 deri $100,000 dollarë.

“Miu i Anarkisë” nga seritë “Rat”, të vlerësuara nga $50,000 deri në $70,000 është sjellë nga vendi origjinal i realizimit – një mur publik në qytetin e Berlinit. Pjesa është një graffiti që përshkruan një mi të vogël të realizuar me spray, bashkë me simbolin e anarkisë në mur.

Bashkë me veprat e tjera të tij, të cilat janë punime origjinale të Banksy-t, drejtuesi i kësaj ekspozite shprehet se këto vepra janë aq të çmuara sa për të është si të fitonte një llotari.

Redaksia Online
(Suada B. / Shqiptarja.com)