“Bota është në një udhëkryq midis luftës dhe paqes”. Kështu deklaroi presidenti amerikan Barack Obama gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Ai u zotua  se SHBA do të udhëheqë një koalicion për të çmontuar shtetin islamik që është duke u formuar në Lindjen e Mesme të cilin e quajti "një rrjet të vdekjes."
 
Numri një i Shtëpisë së bardhë iu lut myslimanëve në Lindjen e Mesme që t’i thonë jo ideologjisë të organizatës terroriste ISIS si dhe të ndërpresin financimin që ky grup të mos lulëzojë.

Obama u tha udhëheqësve të mbledhur për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së se e vetmja gjuhë që kuptojnë vrasësit është gjuha e forcës. Obama deklaroi se me terroristët nuk do të ketë negociata.

Tashmë, tha Presidenti Obama, mbi 40 vende kanë ofruar të bashkohen në koalicionin për të shkatërruar Shtetin Islamik. Ai tha se Shtetet e Bashkuara nuk janë dhe nuk do të jenë kurrë në luftë me Islamin. Myslimanët në të gjithë botën, tha ai, aspirojnë të jetojnë me dinjitet dhe me ndjenjën e drejtësisë
 
Gjithashtu kreu i Shtëpisë së Bardhë foli dhe për virusin Ebola që tani sipas OBSH është një rrezik global dhe mund të krijojë katastrofa. Ai gjithashtu premtoi se SHBA do të heq sanksionet ndaj Rusisë, nëse kjo e fundit respekton armëpushimin në Ukrainë .




Redaksia Online
(g.f/shqiptarja.com)