Objektit 500 vjeçar i del "pronari"
kërkojnë të na marrin Xhaminë

Objektit 500 vjeçar i del "pronari"<br />kërkojnë të na marrin Xhaminë
DURRES- Myftinia Durrës ka ngritur padi kundër një fisi me origjinë kosovare, me banim në Rrashbull, që pretendon me letra se është pronar i Xhamisë Fatih, që do të zëvendësojë me një pallat në qendër të qytetit bregdetar
 
Xhamia 500-vjeçare në Durrës, sëbashku me një pjesë të murit rrethues të Kalasë, rrezikojnë të tjetërsohen, pasi atyre u ka dale "pronar". Duket absurde, por dy objekte historike, të tilla si Xhamia Fatih dhe një fragment i murit bizantin, kanë kohë që kërkohen nga pjestarët e një fisi kosovar me banim në Rrashbull, të cilët pretendojnë pronësinë mbi këto objekte.
Edhe pse përfaqësuesit e Myftinisë së Durrësit janë përpjekur që t’i bindin ata se Xhamia është 500-vjecare dhe historikisht është në pronësi të komunitetit islamik, ndërsa muret bizantine janë edhe më të vjetra se Xhamia, sërish pretendët këmbëngulin për pronësinë mbi to.
Kjo çështje tashmë ka kaluar në Gjykatën e Durrësit dhe pret ditën e gjykimit. Pikërisht me këtë çështje “të nxehtë” lidhet edhe votimi kundra PD më 23 qershor nga ana e shumë besimtarëve praktikantë të fesë islame, partia e të cilëve hyri në koalicion me forcat e majta në zgjedhje.
 
Historia
Eduart Shefkiu, administrator i pronave të Myftinisë së Durrësit, njëkohësisht teolog dhe jurist, tregon për Shqiptarja.com historinë e pronësisë mbi Xhaminë Fatih në Durrës.
Ai sqaron se "Xhamia Fatih është, jo vetëm objekt fetar, por njëkohësisht edhe objekt historik. Ajo ka 500 vjet që është ndërtuar dhe është pronë e Myftinisë së Durrësit që nga ajo kohë". Pjesë e saj janë edhe varreza dhe Medreseja.
Gjithsej, bëhet fjalë për një sipërfaqe prej 2.600 metrash katrorë.

Kjo xhami, pas vitit 1967 u mor nga regjimi komunist dhe u kthye në atelie për mirëmbajtjen e objekteve të kulturës antike. Në vitin 1991, ajo ju kthye sërish Myftinisë së Durrësit.
Por, në vitin 2008, papritmas, në skenë dolën pasardhësit e kosovarit Qerim Ukë Muka, i cili ishte vendosur në vitin 1922 në Rrashbull të Durrësit, si emigrant ekonomik.
Shefkiu sqaron se "pinjollët e tij u paraqitën me letra në dorë, duke pretenduar pronësinë mbi Xhaminë, Medresenë dhe murin rrethues të Kalasë së Durrësit. Këto letra ua kishte lëshuar Komisioni rajonal i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, që vepronte në Durrës".
Por absurditeti nuk qëndron vetëm mbi pronësinë mbi Xhaminë, pasi ky Komision u ka njohur atyre pronësinë edhe mbi 5.000 m2 truall,  bash në zemrën e zonës historike të Durrësit, si zgjatim i sipërfaqes së xhamisë. Synimi i “pronarëve” me letra është ndërtimi i një pallati në qendrën antike të këtij qyteti.
 
Procesi
Në këto kushte, përfaqësuesit e Myftinisë u janë referuar dokumentave në Arkivën e Shtetit dhe në Hipotekë, ku kanë konstatuar se nuk ka asnjë gjurmë pronësie të kësaj familjeje mbi këto objekte historike dhe kulti.
Këto ditë, çëshja do të gjykohet në Gjykatën e shkallës së parë në Durrës dhe në Myftini janë të bindur se e drejta qëndron në anën e tyre.
Pikërisht me këtë çështje të nxehtë për besimtarët myslimanë (kryesisht praktikantë) lidhet edhe votimi kundra PD-së me 23 qershor. Partia e tyre hyri në koalicion me forcat e majta.   
 
Shkrimi u publikua sot (25.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Fitorja e mundshme e Le Pen/ Demonstrata në Paris: Fashizmi është gangrenë

Fitorja e mundshme e Le Pen/ Demonstrata në Paris: Fashizmi është gangrenë