TIRANË- Pas marrëveshjes së arritur me kompaninë Pfizer në dhjetor të 2020, qeveria ka blerë një tjetër sasi vaksinash nga kompania ‘Overseas LLC’. Vendimi është marrë në mbledhjen e qeverisë së një dite më parë, me firmë të zv.kryeministrit Erion Braçe.
Për shkak të sekretit tregtar, nuk janë bërë publike detaje të tjera nga kjo marrëveshje mbi sasinë e dozave të porositura dhe apo çmimit që është paguar. Megjithatë, ajo që dihet është se kostoja pë blerjen e kësaj sasie të re të vaksinave do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2021.
“Miratimin e tekstit të marrëveshjes për prodhimin dhe furnizimin nga dhe ndërmjet Pfizer Overseas Llc dhe ministrisë së shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale të Shqipërisë, institutit të shëndetit publik dhe ministrit të shtetit për rindërtimin. Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe të ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Neni 1
Miratimi i tekstit të marrëveshjes1. Miratimin e tekstit të marrëveshjes për prodhimin dhe furnizimin nga dhe ndërmjet Pfizer Overseas LLC dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, Institutit të Shëndetit Publik dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij akti normativ.
2. Marrëveshja për prodhimin dhe furnizimin nga dhe ndërmjet Pfizer Overseas LLC dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, Institutit të Shëndetit Publik dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin, për shkak të sekretit tregtar dhe kërkesës së shprehur në marrëveshje nga Pfizer Overseas LLC, nuk do të publikohet në asnjë ëebsite të institucioneve apo në “Fletoren zyrtare”.
3. Të gjitha institucionet e përfshira në dhënien e mendimit, të miratimit apo që janë pjesë e procesit kanë detyrimin të mos bëjnë publike marrëveshjen bashkëlidhur këtij akti normativ apo pjesë të saj.
4. Detyrimet e organeve shtetërore dhe përjashtimet nga detyrimet për furnizimin e vaksinës anticovid, të përcaktuara në aktin normativ nr.1, datë 10.1.2021, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, janë të njëjta edhe për këtë marrëveshje, sipas kushteve të tekstit të saj, bashkëlidhur këtij akti normativ.
Neni 2
Efektet financiare
Efektet financiare, që rrjedhin nga marrëveshja bashkëlidhur këtij akti normativ, përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2021.Neni 3
Hyrja në fuqiKy akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”, thuhet në VKM.
Deri tani kanë mbërritur në vendin tonë 956,250 doza të vaksinës anti-COVID, teksa janë kryer në total 850 mijë vaksina. Objektivi i vendosur është që të arrihen 1 mln vaksinime brenda muajit qershor.