PRISHTINË, 6 Mars/ATSH/.- Në panairin "Bursa Ndërkombëtare e Turizmit - ITB 2015", që po mbahet në Berlin, përfaqësuesit e Agjencisë për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), që vepron në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, së bashku me operatorët turistikë nga Kosova, po promovojnë ofertat turistike si dhe mundësitë për investime në këtë sektor.
Sipas KosovaPress, gjatë panairit, stendën e Kosovës e ka vizituar ambasadori i Kosovës në Berlin, Skënder Xhakaliu së bashku me stafin e Ambasadës. Ambasadori Xhakaliu ka biseduar me operatorët turistikë rreth rëndësisë së pjesëmarrjes së Kosovës në panaire ndërkombëtare, e në veçanti për ITB-në, pasi janë rritur kërkesat për turizëm në Kosovë nga tregu gjerman.
Gjatë tre ditëve të para të këtij panairi, operatorët turistikë kosovarë kanë zhvilluar takime të ndryshme dhe kanë krijuar kontakte të cilat do ta fusin Kosovën në itineraret e agjencive të mëdha turistike.
Në panair, këtë vit, ka më shumë se 10 mijë ekspozues të industrisë turistike nga 180 vende të botës, të cilët prezantojnë në 26 hollet e panairit që do të qëndrojë i hapur deri më 8 mars./m.m/